19 Prill 2024

Sejdiu: GJND-ja nuk mund të jetë kundër vullnetit të popullit

Prishtinë, 20 korrik - “Nuk pranojmë kurrë që Kosova të hyjë në negociata për çështjen e statusit të saj, nuk pranojmë asnjëherë që territori i Kosovës të jetë në pazar, pra të bëhen shkëputje të territorit të Kosovës apo lojëra të tjera që Serbia do t’i iniciojë, nuk pranojmë që të cenohet integriteti i brendshëm unitar i Kosovës, të cilin e ka të definuar me Kushtetutë, por natyrisht nuk pranojmë as që dikush nga jashtë të jetë diktues i jetës sonë”, theksoi Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu gjatë vizitave që ua bëri sot Gjykatës së Qarkut në Pejë dhe Gjykatës së Qarkut në Prizren.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu tha se pret që verdikti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili pritet të bëhet i njohur të enjtën, nuk do të ketë qasje tjetër përveç mbështetjes së fuqishme të argumenteve që ka deponuar Kosova, të cilat janë të parrëzueshme me të drejtën e natyrshme të një popullit që të jetojë i lirë, dhe ai popull me vullnetin e vet e ka deklaruar pavarësinë, natyrisht të mbështetur dhe të koordinuar edhe me të gjithë mbështetësit e Kosovës, të cilët kanë investuar shumë për paqen dhe stabilitetin.

“Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e bazuar në vullnetin e një populli që të jetojë i lirë dhe me aspirim për integrim në familjen e vendeve të tjera të lira. Republikën e Kosovës deri më tash e kanë njohur 69 vende, presim njohje të reja dhe do të vazhdojmë miqësinë tonë me vendet që iu kanë gjetur Kosovës pranë në kohët më të liga, por edhe në kohët e zhvillimit”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Gjatë vizitave në Gjykatën e Qarkut të Pejës dhe në atë të Prizrenit, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, i cili shoqërohej edhe nga kryetari i Këshillit Gjyqësor të vendit, z. Enver Peci,  iu ka dhënë mbështetjen e tij të plotë gjykatësve për punën e tyre në realizimin e objektivit që kanë për të sjellë besimin te qytetarët, për të bërë realizimin e projekteve të përgjithshme për sundimin e ligjit dhe për luftimin e fenomeneve të këqija, të cilat i dëmtojnë interesat e qytetarëve të vendit, si dhe për sfidat me të cilat ata ballafaqohen gjatë punës së tyre.

Luftimin e fenomeneve, vijoi Presidenti Sejdiu, e bëjnë organet gjegjëse dhe politika duhet të jetë jashtë ndikesës në luftimin e fenomeneve negative, sidomos kur është fjala për luftimin e korrupsionit që mund të jetë në institucione dhe është me rëndësi që sistemi prokurorial dhe ai gjyqësor ta bëjnë punë e vet si duhet.

“Duhet të ketë bashkëpunim shumë të thellë dhe të përgjegjshëm me organet e tjera të ndjekjes, me Policinë e Kosovës, dhe është me rëndësi që të instalohet në vazhdimësi një përgjegjshmëri e të gjithë njerëzve, pra edhe e qytetarëve. Është i nevojshëm bashkëpunimi i mirë me institucionet ndërkombëtare, në këtë kuadër me EULEX-in. Kosova nuk është e inkriminuar, por njerëzit të cilët mund të bien apo që kanë rënë ndesh më ligjin duhet të përgjigjen”, theksoi Presidenti Sejdiu”.

Ndërkaq, kryetarët e gjykatave të qarkut të Pejës dhe të Prizrenit, pasi që e falënderuan Presidentin Sejdiu për vizitën në këto dy gjykata, thanë se prisnin që Presidenti Sejdiu, edhe në të ardhmen, do të angazhohet sikur edhe deri më tash, për mbështetjen e punës së gjykatave dhe reformave të gjyqësorit në përgjithësi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)