02 Qershor 2020

Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 4 qershor

Prishtinë, 18 maj - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetares, dr. Vjosa Osmani, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës të mbahet më 4 qershor.

Pas pikës së zakonshme të deklarimeve jashtë rendit të ditës, në këtë seancë pritet të shqyrtohet propozimi i Grupit Parlamentar të PDK-së për emërimin dhe zëvendësimin e deputetëve në komisionet parlamentare.

Po ashtu, pritet të shqyrtohet edhe propozimi i deputetes Eliza Hoxha, mbështetur edhe nga 21 deputetë tjerë nënshkrues, për formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar, në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit “COVID-19” nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Lidhur me katër nismat ligjore të Kuvendit: Projektligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, të iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dhe mbështetur nga pesë deputetë të tjerë, si dhe Projektligjin për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19”, Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, si dhe Projektligji për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të diskutohet serish në mbledhjen e radhës, më qëllim të gjetjes së një konsensusi përktazi me procedimin e tyre.

Ndërkaq, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin Nr. 06/L-091, si dhe raporti vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, dokumente këto të proceduara në Kuvend nga ana e qeverisë para mocionit të mosbesimit, u proceduan për shqyrtim në komisionet përkatëse parlamentare.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia miratoi raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për vitin 2019, si dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për periudhën 2021-2023, konform rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Transfere.  ​

Kalendari

Ngjarjet e datës 2 Qershor 2020 - Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet kërkesa e 61 deputetëve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla  C-301, ora 10:00 - mbledhja do të mbahet pa prezencën e mediave)

- Lëvizja Vetëvendosje nisë mbledhjen e nënshkrimeve për peticion “Duam Zgjedhje” (Sheshi “Nënë Tereza”, ora 10:00)

- Mbahet seanca e tretë e Kuvendit të Komunës së Gjilanit. (Holli i Gjimnazit Natyror “Xhavit Ahmeti” në Gjilan, ora 10:00) 

- Në kuadër të Javës së Gjelbër, Komuna e Prishtinës do të organizojë mbjelljen e drunjëve në lagjen Dardania. (Lagja Dardania, ora 11:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, C203, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës ku pas mbledhjes, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mban konferencë për medie. (Selia e LDK-së, ora 16:30)