19 Prill 2024

Rusia nuk mund të shtrijë influencen në Kosovë, të gjithë shqiptarët janë pro amerikan

Prishtinë, 7 shkurt - Qendra e Kosovës për studime të Sigurisë, tha në një studim se Rusia po e përdor ndikimin e saj për të penguar njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit të saj në organizata ndëkrombëtare, por ajo e ka të pamundur të shtrijë ndikimin e saj brenda Kosovës për shkak të shumicës së popullsisë shqiptare.

Këto komente u bënë në një konferencë lidhur me zbërthimin e ndikimit rus në Kosovë, ku u paraqitën disa të dhëna të studimit të kryer në kuadër të programit Fulbright Specialist, i mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë

Autori i studimit, Elis Vllasi tha se Serbia është arsye e ndikimit të Rusisë edhe në Kosovë.

Në Kosovë e shohim se ndikimi rus nuk është drejt shqiptarëve, që të ndikoj te popullata shumicë për të shikuar pikëpamjen ruse, nuk është për të fituar mendjen dhe zemrat e shqiptarëve, por influenca është e drejtuar kundër Kosovës si shtet dhe ndoshta ndaj shoqërisë së Kosovës”, tha ai.

 Vllasi tha se rusët duan të ndikojnë në Kosovë për shkak të pranisë së NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ai tha se Rusia po përpiqet të ndërtojë imazhin si fuqi botërore dhe si një forcë apo vend që është i pashmangshëm kur bëhet fjalë për Ballkanin.

“Edhe një objektiv tjetër i Rusisë në Kosovë është që të ketë ndikim mbi Serbinë për të mbështetur dhe mbrojtur interesat e Serbisë dhe serbët në një mënyrë e kanë lejuar këtë ndikim”, tha ai.

Vllasi tha se sipas studimit, i cili i plotë do të publikohet muajin e ardhshëm, rusët nuk kanë asgjë kundër pavarësisë së Kosovës pasi që të njëjtit nuk kanë pasur as ndaj vendeve tjera të Ballkanit që kanë fituar pavarësinë. Megjithatë ai thotë se rusët kërkojnë diçka nga vendet perëndimore.

“Ju pranojeni aneksimin e Krimesë ndoshta ne do ta njohim pavarësinë e Kosovës, diçka përgjatë kësaj linje”, tha ai.

Sipas hartuesit të raportit, serbët e Kosovës janë ata që më së lehti ndikohen nga Rusia

“Serbët e Kosovës nuk janë agjentë autonom në Kosovë, ata janë gjithnjë objekt dhe jo subjekt. Dhe serbët e Kosovës kur janë duke u ndikuar nga rusët në Kosovë, ata ndikohen sepse Serbia e lejon këtë”, tha ai duke nënvizuar se prania ruse në Kosovë shihet edhe përmes zyrës ndërlidhëse në Prishtinë, lidhjeve nëpërmjet kishës ortodokse serbe.

“Nuk do të gjeni asnjë shqiptar, shqiptar të Kosovës që është pro Rusisë për çfarëdo arsye. Drejtimi i shumicës së popullatës në Kosovë është pro perëndimit, kryesisht pro amerikan dhe nuk kanë simpati për kulturën ruse, popullatën ruse, historinë ruse dhe politikën ruse”, tha zoti Vllasi.

Megjithatë ai tha se askush nuk është imun ndaj ndikimit rus dhe sipas tij do të ishte jo reale të mendohet se edhe shqiptarët nuk do të mund të ndikohen.

“Niveli i tyre më i madh i ndikimit është në thelb eksplorimi i shoqërisë së Kosovës. Pra, me dobësi institucionale, që për Rusinë apo çdo fuqi tjetër armiqësore është në gjendje të kapitalizojë”, tha ai.

Sipas studimit, zgjedhjet e shpeshta, mungesa e bashkërendimit ndërmjet institucioneve të sigurisë, mungesa e sundimit të ligjit, korrupsioni dhe krimi i organizuar janë disa nga cështjet që shfrytëzohen nga Rusia në përpjekjet e saj për të ndikuar në Kosovë.

Vllasi thotë se në Kosovë ka shumë dezinformatë dhe propagandë të brendshme e cila përdoret posaçërisht në kohën e zgjedhjeve, gjë që e bën shumë të lehtë që një gjë e tillë të përdoret edhe nga agjentët e huaj për të çuar lajme të rreme.

Sipas studimit, Rusia përdorë propagandën për ta paraqitur veten si mbrojtëse të shtetit serb.

“Rusia mbështet pretendimet e Serbisë për Kosovën, është e aftë të përdor diplomacinë, ekonominë dhe ushtrinë në mënyrë që të përkrahë Serbinë. Rusia është në gjendje të parandalojë normalizimin dhe favorizon destabilizimin e Kosovës dhe kjo çon në njërën prej mënyrave të ndalimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe duke i ndaluar shtetet të anëtarësohen në NATO apo në organizata tjera”, tha zoti Vllasi.

Vllasi thotë se Rusia përdorë lajmet e rreme për të paraqitur Kosovën si vend i përshtatshëm për terroristët dhe shqiptarët si mbështetës të terrorizmit dhe kjo pastaj shfrytëzohet nga Serbia dhe Rusia për të ndikuar të vendet tjera që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës.

Por sa është shkalla e ndikimit rus në Kosovë?

“Influenca maksimume është e pamundur në Kosovë, pra po, ka influencë ruse por nuk është e madhe. Arsye pse është e vështirë shtrirja e influence ruse në Kosovë është se shumica e popullatës, më shumë se 90 për qind e popullatës nuk ka lidhje kulturore, fetare apo etnike me Rusinë, asnjë mendim për çfarëdo që Rusia ka për të ofruar, shumica e popullatës në Kosovë përfshirë këtu edhe serbët mbajnë drejtim perëndimor. Prezenca e Shteteve të Bashkuara, NATO-s dhe institucioneve të ndryshme të Bashkimit Evropian ngushton hapësirën për Rusinë që të operoj në Kosovë”, tha ai duke nënvizuar se megjithatë ata që mendojnë se ndikimi rus në ë Kosovë është zero – e kanë gabim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)