22 Janar 2020

RrGK organizon Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve

Prishtinë, 7 dhjetor - Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) do te mbledhë sot 158 organizatat anëtare, përkrahësit individual, partnerët, miqtë, dhe përfaqësuesit e mediave në Kuvendin e 17-të Vjetor të Anëtareve.

RrGK organizon Kuvendin Vjetor të Anëtareve që nga viti 2003, si pjesë e përgjegjësisë për të raportuar para anëtareve çdo vit radhazi. Në përputhshmëri me Statutin e RrGK-së, Kuvendi i Anëtareve është organi më i lartë qeverisës, i cili mbikqyrë dhe vlerëson punën e RrGK-së.

RrGK është angazhuar dhe ka punuar drejt zbatimit të Strategjisë 2019-2022, duke u fokusuar në aktivitetet gjatë vitit 2019, në 6 fusha: 1.Fuqizimi i Lëvizjes Feministe në Kosovë, 2. Gratë në Politikë dhe Vendimmarrje, 3.Të Drejtat e Grave në Kujdesin Shëndetësor, 4.Jeta pa dhunë me bazë gjinore, 5.Fuqimizimi Ekonomik i Grave, 6.Përmirësimi i Qasjes në Edukim Cilësor dhe të Ndjeshëm Gjinor. Gjatë këtij Kuvendi, stafi i RrGK-së do të raportojë për përparimin dhe arritjet kryesore të vitit 2019.

Për më tepër, RrGK do ta shfrytëzojë këtë Kuvend për të festuar, reflektuar dhe për të ju falenderuar për angazhimin dhe kontributin e përbashkët drejt përparimit të të drejtave të grave dhe drejt arritjes së barazisë gjinore në Kosovë e përtej saj.

Gjithashtu, RrGK do të ndajë për herë të dytë çmimin vjetor Sevdije Ahmeti, i themeluar për nder dhe në kujtim të aktivistes feministe dhe humanistes Sevdije Ahmeti (1944-2016). Këtë vit çmimi i ndahet Luljeta Pula – Beqirit, për kontributin dhe angazhimin e saj në lëvizjen e grave gjatë viteve të ’90-ta.

Kuvendi i 17-të i Anëtareve mbështetet nga Fondacioni Kvinna till Kvinna dhe Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).  

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)