20 Shtator 2020

Roli i femrës është i pandashëm me zhvillimin e një shoqërie

Prishtinë, 8 mars - Për nder të 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të Gruas, Presidenti Sejdiu mori pjesë në manifestimin qendror të organizuar nga shoqata “Gratë për Gratë”, e cila u mbajt me moton “Gratë e fuqishme ndërtojnë kombin e fuqishëm”.

Presidenti Sejdiu duke i uruar të gjitha gratë e vendit për festën e tyre, e përgëzoi edhe organizatën “Gratë për Gratë”, për kontributet e tyre në sfera të ndryshme.

“Organizata juaj është një organizëm i fuqishëm, i cili ka ditur të jetë një artikulues i mirë i ndjenjës dhe i fuqisë së gruas”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Më tej, Presidenti tha se kishte ardhur të fliste në këtë manifestim pa letra dhe pa konventa, por nga zemra dhe nga shpirti, si një njeri i rritur në një familje, me ndjenjën e fjalës së parë të çdo fëmije, që është fjala nënë, me ndjenjën e rritës së çdo njeriu që edhe në momentet e vështira gjithmonë prapë e përsërit fjalën nënë.

“Roli i gruas, i femrës, i vajzës, në familje ka qenë dhe do të mbetet esencialisht i pandashëm nga të gjitha zhvillimet e rëndësishme të një shoqërie dhe është mirë që e keni zgjedhur si moto tuajën themelore thënien: Një grua e fuqishme bën një komb të fuqishëm, bën një shtet të fuqishëm, bën një shoqëri njerëzore të fuqishme”, vijoi Presidenti Sejdiu.

Presidenti foli edhe për rolin e femrës në familje, në shoqëri dhe në zhvillimet e përgjithshme,  duke vënë në pah përjetimet e vështira nëpër të cilat kanë kaluar ato.

“Përkundër përjetimeve të vështira nëpër të cilat ka kaluar Kosova, pa rolin e femrës në edukatë, në ndërtimin e familjes, në ndërtimin e brezit të tërë të gjeneratave, nuk do të mund të ishim ku jemi sot. Ne i kujtojmë me dhimbje nënat e heronjve, heronjtë dhe mesazhet e tyre themelore për paqen dhe luftën për paqe, sepse kur ka paqe, ka ndërtim, ka mesazhe të mira, ka afrim në mes njerëzve, bashkëpunim mes popujve dhe perspektivë të përgjithshme. Kur ka paqe, nuk ka luftë”, theksoi Presidenti.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu i vlerësoi investimet e bëra nga kjo shoqatë në mjedise të ndryshme anekënd vendit, me theks të veçantë në zonat më të goditura nga lufta e fundit.

“I di investimet me bashkëpunimin tuaj të thellë në Krushë, Izbicë, Llap, Dukagjin, Anamoravë. E di dhe komunikimin tuaj të mirë që e keni pasur me gratë amerikane dhe me gratë e tjera të botës, jo vetëm për të treguar hallet tuaja, jo vetëm për të treguar goditjet e mëdha që kemi pasur si njerëz, por edhe për treguar madhështinë tuaj për të kapërcyer ato dhimbje të mëdha, që nuk mund t’i harrojmë asnjëherë, por të ecim me jetën që na pret përpara për të bërë punë edhe për këta breza që i kemi, por edhe për jetimët e shumtë që i ka Kosova, për të cilët ju jeni gjendur në mënyrën më të mirë për ta organizuar jetën e tyre”, pohoi Presidenti Sejdiu.

Duke folur për përfaqësimin politik të gruas në Qeveri, Parlament dhe në institucionet e tjera shtetërore, Presidenti Sejdiu tha: “Nuk kam qenë dhe nuk pajtohem që të sigurohet përfaqësimi në përqindje apo në mënyrë artificiale, por të ketë përfaqësim në kuptimin e dijes dhe ajo dije juve nuk ju mungon”.

Ai i përgëzoi gratë ndërmarrëse të cilat udhëheqin ndërmarrje të ndryshme artizanale dhe prodhuese dhe i inkurajoi ato që kjo punë e mirë të vazhdojë edhe në fusha të tjera deri në diplomaci, duke përmendur faktin se Presidenti ka dekretuar edhe zonja të cilat udhëheqin me përfaqësimin diplomatik të vendit tonë në mënyrë shumë të suksesshme.

Ndërsa, udhëheqëset e organizatës “Gratë për Gratë”, duke e falënderuar Presidentin Sejdiu për prezencën dhe mbështetjen theksuan se lidershipi dhe dedikimi Presidentit Sejdiu për Kosovën dhe për të gjithë njerëzit e saj janë një model dhe inspirim për të gjithë ata që dëshirojnë t’ia dedikojnë  jetën e tyre shërbimit publik.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 20 Shtator 2020

- Forumi Ballkanik në emër të Platformës së Shoqërisë Civile për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut mban konferencë për shtyp në të cilën publikon raportin hulumtues, që është një vështrim mbi progresin e bërë nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor drejt zbatimit të zotimeve të tyre që nga Samiti i Ballkanit Perëndimor në Londër (2018) dhe Poznań (2019), të zhvilluara në kuadër të Procesit të Berlinit të nisur në vitin 2014. (Zyret e Forumit Ballkanik Rr. Tirana, C4/2 LAM B-N2 11-1, banesat e bardha të Prime Group, afër Euro Printy, ora 13:00)
 
- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 14:00)