23 Shkurt 2020

Qytetarët i besojnë më së paku gjykatave

Prishtinë, 27 janar - Gjatë ditës së sotme, Drejtësia Sot, platformë e krijuar nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe e mbështetur nga Ambasada Britanike në Prishtinë, mbajti konferencë për media të titulluar “Sfidat në sundimin e ligjit në Kosovë: Performanca e sistemit gjyqësor dhe prokurorial dhe vlerësimi qytetarë ndaj këtyre institucioneve”.

Në kuadër të kësaj konference u prezantuan të gjeturat e botimit të pestë të Indeksit të Performancës së Institucioneve të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i njohur me emrin (RoLPIK).

Edicioni i pestë i RoLPIK-ut bazohet në të dhënat parësore si përceptimi qytetar dhe ato dytësore si raportet zyrtare nga organet përgjegjëse dhe menaxhuese  të  sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Të dhënat parësore përfshijnë anketimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës gjatë muajit shtator 2019, të realizuara në bashkëpunim me UBO Consulting.

Mostra e përzgjedhur për këtë anketim përbëhet nga 1071 të anketuar të moshës mbi 18 vjeç në të gjithë territorin  e Kosovës me përkatësi shqiptare (963), serbe (54) dhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera (54).

Bazuar në rezultatet e analizës së zhvilluar, përkundër agjendës “Drejtësia 2020” dhe procesit të Rishikimit Funksional, që të dyja të nisura nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim kryesor rikthimin e besimit të qytetarëve në drejtësi, të dhënat e analizës tregojnë se më shumë se gjysma e qytetarëve mohojnë të kenë vërejtur përmirësim në sistemin e drejtësisë dhe më pak se 30% thonë se kanë vërejtur efekte pozitve në këtë aspekt.

Sa i përket ndikimit politik për vitin 2019, rreth 65.2% e qytetarëve besojnë se politikanët kanë më pak gjasa të ndëshkohen nga ligji, kurse vetëm 10.3% prej tyre mendojnë se qytetarët janë të barabartë para drejtësisë.

Në krahasim me vitin e kaluar trendi është pozitiv pasi që kemi një rënje prej 5.5% të besimit se politikanët janë të pandëshkueshëm, megjithëse shikuar si tërësi ky indikator tregon se më shumë se gjysma e popullësisë besojnë se politika të bën të paprekshëm nga drejtësia.

Në vazhdim vërehet se qytetarët i besojnë më së paku gjykatave sepse mendojnë se kanë influencën më të madhe nga politika në 34.4 % të rasteve, ndërsa organin më pak të influencuar politikisht e konsiderojnë policinë me 18.4%.

Tek mitmarrja, sipas 48.6% të të anketuarve, institucionet e drejtësisë vazhdojnë të jenë të prekura nga kjo dukuri.

Në krahasim me vitin paraprak përqindja është ulur për 6.5%, por përceptimi negativ mbetet mendim i shumicës. Institucionet më të prekura nga kjo dukuri sipas 64.2% të qytetareve janë gjykatat dhe prokuroria.

Për nga efektiviteti në luftën kundër korrupsionit të anketuarit i radhisin instiucionet si në vijim: Prokurorinë me vetëm 4.5% efikasitet, Gjykatat 5.5%, Policinë e Kosovës 29.6%. Kur analizoni këto të dhëna duhet të keni parasysh që përqindja më e ulët tregon efektivitet më të ulët.

Ndërsa, të pyetur për gatishmëria e tyre për të raportuar korrupsionin dhe veprat penale, meqenëse të anketuarit në masë të madhe janë të pakënaqur me punën e institucioneve në luftimin e këtyre dukurive në shoqëri, vetëm 69.2% prej tyre kanë thënë se janë të gatshëm ta raportojnë atë tek institucionet përkatëse, ndërsa 21.8% nuk do të ishin të gatshëm ta bënin këtë gjë.

Si në vitet e kaluara edhe në këtë vit, RoLPIK-u ka gjetur se 78.7% e qytetarëve së pari do të zgjidhnin të raportonin rastet e tyre në Policinë e Kosovës, dhe vetëm 1.4% prej tyre në Prokurori.

Kjo përqindje në krahasim me vitet e kaluara ka pasur rënie në të gjitha institucionet, por është më e vërejtshme në prokurori dhe në gjykata.

Ndërsa, indikatori i pavarësisë në vendimarrje, tregon se 37.7% e qytetarëve në vitin 2019 e radhisin Policinë e Kosovës si institucionin më të pavarur, ndërsa vetëm 11.7% e të anketuarve mendojnë se gjykatat mund të jenë të pavarura në ushtrimin e detyrës së tyre.

Të pyetur nëse të njejtit mendojnë se ndaj gjyqatëve dhe prokurorëve ndërmerren masa disiplinore për shkeljen e rregullave apo procedurave, vetëm 43.2% e qytetareve mendojnë se gjasat që të shqiptohet ndonjë masë ndaj tyre janë të vogla.

Ndërsa, sa i përket përformancës së sistemit prokurorial, duket se efikasitet më të madh gjatë vitit 2019 kanë pasur prokuroritë themelore me efikasitet prej 127%, ndërsa institucioni m efikasitet më të ulët në kryerjen e lëndëve ka qenë Prokuroria e Apelit me efikasitet 99%.

Të njëjtat të dhëna për gjyqësorin tregojnë se efikasitet më të lartë në përfundimin e lëndëve kanë pasur gjykatat themelore në raport edhe me vitet e kaluara.

Kurse Dhoma e Posaçme ka pasur efikasitet më të ulët në krahasim me shkallët e tjera të gjyqësorit.

Për më tepër, indikatori i buxhetit tregon sesa prioritet ka qenë sistemi i drejtësisë në vitin paraprak.

Në vitin 2018, për Këshillin Prokurorial të Kosovës u ndanë 11 milionë EUR ndërsa për Këshillin Gjyqësor u ndanë 23 milion EUR, përqindje që nuk arrin as 1% të buxhetit të shtetit. Dhe, rreth 75% e këtij buxheti shkon në paga dhe mëditje në të dy institucionet.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 23 shkurt 2020 - Partia Demokratike e Kosovës, mban Konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

- Mbahet marshi i çiklistëve kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë. (Pikë nisja nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, Fushë Kosovë, në hyrje të Prishtinës, ora 12:00)

- Komuna e Deçanit në bashkëpunim më OVL-UÇK-së në Deçan! bejnë zbulimin e pllakës së varrit të luftëtarit e komandantit Halim DervishTolaj nga Prejlepi i Deçanit. (Kompleksi i Varrezave të Dëshmoreve të Kombit në fshatin Prejlep, ora 12:00)