22 Shkurt 2019

Qeverisë i kërkohet të ndal politizimin e shërbimit civil

Prishtinë, 14 shkurt - Instituti INDEP, Instituti GAP dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) shprehin shqetësimin e thellë me Qeverinë e Kosovës për mosrespektimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me Ambasadën Britanike dhe për vazhdimin e politizimit të emërimeve në pozitat e larta në Qeveri dhe borde.

Kjo praktikë sipas tyre duhet ndalur menjëherë dhe të gjitha pozitat për të cilat kompania profesionale britanike ka shprehur kundërshtim të hapur duhen revokuar.

"Kur në tetor të vitit të kaluar, Qeveria Haradinaj kishte vendosur të vazhdoj Memorandumin me Ambasadën Britanike, Kryeministri kishte thënë se kjo po bëhet në mënyrë “që të sigurohet një proces ligjor dhe kredibil”!"

"Jo vetëm që kjo nuk ka ndodhur, por në të kundërtën, Qeveria ka injoruar përfundimet dhe rekomandimet e kompanisë profesionale duke dëmtuar rëndë kredibilitetin e gjithë procesit. Personi i 4-të në listë është emëruar Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë", theksojn keto organizata.

Në të njëjtën kohë, Qeveria i ka kërkuar kompanisë britanike të mos përfshihet në emërimin e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës.

Më tutje, Qeveria ka emëruar sekretarin e përgjithshëm të MASHT, edhe pse qartazi ishte kërkuar anulimi i procesit për shkak të jo-kredibilitetit (tërheqje të 8 nga 11 kandidatëve nga intervistimi), dhe mospërmbushjes së kritereve nga kandidatët e intervistuar.

Pa e njoftuar ambasadën, janë proceduar Komisioni për Provimin e Jurisprudencës, Trusti Pensional i Kosovës, Guvernatori i Bankës Qendrore, Anëtarët e Bordit të Bankës Qendrore dhe Agjencia Kosovare e Privatizimi.

Politizimi në pozita të larta në Qeverinë e Kosovës dhe në bordet e agjencive të pavarura dhe agjencive qeveritare është shndërruar në një problem kronik. Emërimi dhe zgjedhja e anëtarëve politikë dhe jomeritorë në pozita kyçe në institucione dhe agjenci është jo vetëm e kundërligjshme por edhe dëmton rëndë barazinë para ligjit dhe konkurseve publike. Të zgjedhurit e politikës nuk do t’i shërbejnë interesit publik.

Përkundrazi, në vend të profesionalizmit ata do t’i shërbejnë interesave të ngushta partiake në dëm të institucionit ku veprojnë. INDEP, GAP dhe GLPS i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës ta ndalojë këtë proces të shëmtuar të degradimit të pavarësisë së administratës dhe institucioneve të pavarura.

Politizimi nuk rrënon thjeshtë një memorandum me një Ambasadë që deshi të kontribuonte në krijimin e një kulture të drejtësisë në emërime.

Ai mbi të gjitha shkelë parimet kushtetuese të sundimit të së drejtës, të barazisë së të gjithë qytetarëve para konkursit publik, shkelë prioritetin 6 të shtyllës së parë të Agjendës Evropiane të Reformave dhe legjislacionin vendor që rregullon institucionet subjekte të proceseve të emërimit.

Politizimi i agjencive shtetërore në dëm të profesionalizmit ngadalëson progresin e gjithëmbarshëm shoqëror të integrimit dhe zhvillimit ekonomik.

Bëhet vetëm për të përmbushur apetitet e partive në koalicion qeverisës, edhe kur kjo nënkupton shkeljen e të drejtave të njeriut të personave meritor, të papunë të Kosovës. INDEP, GAP dhe GLPS ftojnë edhe Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës, Agjencinë Kundër-Korrupsionit, prokurorinë dhe organet e rendit që të hetojnë këto shkelje dhe të mbrojnë ligjshmërinë dhe demokracinë në vend.

Në të njëjtën, INDEP, GAP dhe GLPS e konsiderojnë si hap të duhur krijimin e një komision hetimor parlamentarë për të hetuar politizimin dhe shkeljet në konkurset për pozita të larta në shërbimin civil dhe institucione të pavarura, si mjet për të vendosur kontrollin parlamentar mbi institucionet ekzekutive.

Duke politizuar shërbimin civil dhe duke shkelur pavarësinë e institucioneve të pavarura, Qeveria rrezikon që t’i humbas fondet e Bashkimit Evropian të destinuara për reformën e administratës publike të cilat kapin shumën e 22 milionë eurove.

"Edhe njëherë, i bëjmë thirrje Qeverisë të ndërpresë politizimin e agjencive dhe pozitave të rëndësishme në Qeveri dhe t’u përmbahet rekomandimeve të komisioneve vlerësuese dhe kompanisë britanike sipas Memorandumit të Nënshkruar".

"Në fund të fundit, mbrojtja e ligjshmërisë dhe të drejtave të të gjithë aplikuesve nuk duhet të jetë e varur nga vullneti për të implementuar një memorandum mirëkuptimi, por një domosdoshmëri që veçse është e garantuar në Kushtetutë, ligje dhe marrëveshje ndërkombëtare."
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 shkurt 2019 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti do të​ takohet me Kryetarin e Federatës së Shahut, Nysret Avdiu (Objekti i Kryeministrisë, kati VIII, zyra 806, ora 8:30)

-  Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, Shefi i Ambasadës Japoneze në Kosovë, Mitsunori Ogasawara dhe Drejtori gjeneral i kompanisë Jetro Vjenë, Satoshi ABE vizitojnë kompaninë Gjirafa. (Kompania Gjirafa, Dragodan, ora 9:30)

- Let’s Do It do të mbajë konferencën “Efiçienca e energjisë dhe Ruajtja e ujit”, në bashkëpunim me Oden e Gjelbër Ekonomike te Amerikës. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Koordinatori  Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti do të mbajë takim me drejtorët e shkollave të komunitetit boshnjak në Komunën e Prizrenit ku do të prezantohet Programi Nacional për Rininë. (Drejtoria Komunale e Arsimit, Prizren, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike në të cilën do të shqyrtohet raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të ZKM-së, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, mban konferencë për media. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi i shoqëruar nga kryetari i Komunës se Rahovecit, Smajl Latifi do të vizitojë Palestrën e Sportit, ku do të shohë punimet e realizuara deri më tani në këtë objekt sportiv, projekt kapital në të cilin MKRS-ja ka investuar. (Komuna e Rahovecit, ora 11:00)

- Mbahet debati publik me temën 'Transparenca e punës së komunës së Graçanicës'. (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor në të cilën do të shqyrtohet projektligjit për pijet e forta alkoolike, etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Ambasada Norvegjeze në Prishtinë, IPKO Foundation dhe RIT Kosova organizojn ngjarjen për projektin KosLift i cili ka për qëllim të mbështesë deri në 1000 student të Universitetit të Prishtinës dhe RIT Kosovë si dhe 60 biznese kosovare në sektorët e energjisë, TIK-ut dhe prodhimit në ngritjen e aftësive të nevojshme dhe kapaciteteve për të rritur konkurrueshmërinë e tyre në sektorin e biznesit në Kosovë dhe rajon. (Residenca Norvegjeze në Fshatin Ndërkombëtar, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyret qendrore të Vetëvendosjes, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës Rexhep Hoti i shoqëruar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Agim Blakçori do të vizitojë shkollat “Ibrahim Rugova”, “Naim Frashëri”, dhe “Aleksandër Xhuvani”, në Podujevë për të përcjellë mbarëvajtjen e garës. (Podujevë, ora 13:30)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj viziton disa sera në Komunën e Mamushës. (Fshati Mamushë, ora 14:40)

 - Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune kompanisë “Liri” në Prizren. (Prizren, ora 17:00)

- Fondacioni Lumbardhi dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës kanë kënaqësinë organizojnë ligjeratën publike “Bukuria e asaj që mbetet” të arkitektes Aslıhan Demirtaş. (Kino Armata, ora  17:00)