04 Gusht 2020

Qeveria zhbën vetingun në sistemin e drejtësisë; shpik ‘reformën pa veting’

Prishtinë, 9 korrik - Lëvizja Vetëvendosje (LV) ka vlerësuar se 1everia e paligjshme po vazhdon me planin për ruajtjen e status quo-së në sistemin e drejtësisë.

Qeveria sipas LV-së po provon ta ruaj klientelën brenda këtij sistemi sa për t’i mbrojtur politikanët e korruptuar dhe ata që kanë kapur shtetin.

Kjo u pa edhe me dorëheqjen e djeshme të grupit të ekspertëve që përgjatë qeverisjes Kurti vullnetarisht, pa kompensim, pa librezë partiake dhe me një profesionalizëm e përvojë të lartë e të provuar, grupi i ekspertëve, kishte marrë përsipër t’i dizajnonte parimet udhëheqëse për reformën e vetingut në sistemin e drejtësisë.

Në lidhje me tendecën e hapur të kësaj qeverie Hoti për ta mbrojtur veten dhe shtetin e kapur, foli sot në një konferencë për media, ish-Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. 

Albulena Haxhiu përgëzoi punën e grupit të ekspertëve të pavarur në lidhje me procesin e vetingut dhe iu kundërpërgjigj ministrit të tanishëm të drejtësisë i cili e kishte parë me dyshime pavarësinë e grupit të ekspertëve.

“Si Ministre e Drejtësisë, asnjëherë nuk kam tentuar në asnjë formë të ndikoj në punën e tyre  madje në këtë grup qëllimisht nuk ka pasur përfaqësim të kabinetit tim dhe as të Ministrisë apo qeverisë sepse ne kishim nisur një proces shumë me rëndësi për vendin dhe qytetarët dhe gjithçka që mund të dukej ndërhyrje në pavarësinë e tyre do të përcjellë me mungesë mosbesimi ndaj të njëjtit dhe do të dëmtonte këtë proces,” tha Haxhiu.

 Ajo shprehu keqardhjen për dorëheqjen e anëtarëve të pavarur por tha se e ka parë si të detyrueshme ngase në vend të përkushtimit të ministrit të tanishëm për t’i takuar, ai vendosi t’ua shtoj edhe rreth 20 anëtarë të tjerë në grup, ku shumica prej tyre janë përfaqësues të institucioneve të drejtësisë.

 Haxhiu theksoi se kësaj qeverie i përshtatet një sistem i drejtësisë i cili është i pafuqishëm përballë veprimeve kriminale.

Ajo, po ashtu vëri në dukje ndryshimin e mandatit të grupit të ri të ekspertëve, që sipas saj nga një mandat për vetingun po kalon në një 'reformë' pa përmbajtje në sistemin e drejtësisë.

“Është e qartë që ministria dhe qeveria aktuale e shohin sanimin e gjendjes në sistemin e drejtësisë përmes kinse mbrojtës së pavarësisë së saj, dhe besimit në mekanizmat disiplinor që veçse ekzistojnë.”

Një fakt i tillë është plotësisht i paqëndrueshëm dhe banal në pretendimin që ka, tha ajo duke shtruar disa pyetje:

“Si mund t’i besosh verbërisht pavarësisë gjyqësore e prokuroriale kur ajo po dështon seriozisht, sistematikisht e shpesh herë qëllimisht në gjykimin dhe dënimin e figurave qendrore të klaneve kriminale."

"Si mund të besosh që mekanizmat aktual të disiplinimit do të funksionojnë në sanimin e kësaj gjendje, kur kemi dhjetëra lëndë disiplinore me pretendime serioze që përfundojnë me vendime qesharake; Si mund t’i besosh reformën dikujt që duhet të jetë subjekt i saj; pra që reforma të zbatohet mbi ta. Kjo është qartazi e papërshtatshme dhe me mungesë serioze të logjikës reformuese.”

 “Kjo është praktikisht që dikush të bëj reforma për veten e tij; pra, qeveria me këtë plan po ia beson reformën e sistemit të drejtësisë vet bartësve të saj; ata të cilët do të duhej të ishin përgjegjës për defektet që e motivojnë ekzistencën e nevojës për reformë,” tha ajo në fund, duke shprehë bindjen se afër janë zgjedhjet e lira dhe demokratike dhe kjo qeveri do të shkojë shpejtë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Gusht 2020

- Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit shqyrton raportin vjetor të Akademisë së Drejtësisë, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. (Salla e seancave plenare, ora 9:00)

 

- Riccardo Serri, Ushtrues i Detyrës së Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë do të dorëzojë 30 Ventilatorë të ICU, 200 Pulse Oximeters dhe 20 makina elektrokardiografike Ministrisë së Shëndetësisë në mbështetje të sistemit shëndetësor. (Live stream on facebook.com/EuropeanUnionInKosovo, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa e Komunës së Prizrenit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në Shtëpinë e Bardhë, ora 10:00)

-  Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportin e auditimit për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike. (Salla e seancave plenare, ora 10:00)

- Mbahet takimi konsultativ rreth procesit për përgatitjen e programit të reformave në ekonomi 2021 - 2023. (Ndërtesa e Qeverisë, salla P 38, ora 13:30)