19 Prill 2024

Qeveria shfuqizon Task-forcën antikorrupsion në Policinë e Kosovës

Prishtinë, 19 tetor - Prishtinë, 16 tetor - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Avdullah Hoti, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 36-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente tjera nga fushat e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar prioritetet e fazës së dytë të Agjendës për Reforma Evropiane (ERA), ku përcaktohen prioritetet politike për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Objektiv kryesor i këtij dokumenti është përmbushja e detyrimeve që dalin  nga kjo Marrëveshje.

Qeveria ka miratuar Planin për Zbatimin e Marrëveshjes për Normalizim Ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (Marrëveshja e Uashingtonit, 4 shtator 2020).

Në këtë rast janë obliguar të gjitha institucionet dhe organet e përmendura në Plan, që të zbatojnë të gjitha aktivitetet në bashkëpunim të plotë me akterët relevantë për secilën pikë të Planit, si dhe të njëjtat obligohen që të raportojnë në Qeveri çdo tre muaj për zbatimin e këtyre pikave.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Programi për Zvogëlimin e Barrës Administrative, i cili synon të arrijë cakun prej 30% për zvogëlimin e barrës administrative përgjatë tetë (8) viteve, ku kompanitë, qytetarët dhe administrata do të jenë përfituesit kryesor.

Zvogëlimi i barrës administrative do të jetë faktor i rëndësishëm për stimulimin e zhvillimit ekonomik pas krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, ngaqë barra administrative shkaktohet nga kërkesat e tepërta të informacioneve të detyrueshme ligjore.

Ato shkaktojnë jo efikasitet në funksionimin e administratës, cilësi të ulët të shërbimeve, kosto të tepërta, klimë jo të qëndrueshme investimesh, numër të madh të rasteve në gjykata, nivel të lartë të ekonomisë joformale dhe krijojnë pengesë për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje ekonomike.

Për të zvogëluar barrën administrative çdo ministri duhet të ndërmarrë masa të caktuara në kuadër të fushës së përgjegjësisë së tyre administrative. Gjatë matjes bazë do të identifikohet barra administrative që shkaktohet nga legjislacioni në fuqi dhe pas një pasqyre të qartë, ministritë do të propozojnë masa konkrete për të zvogëluar barrën administrative.

Përmes këtij programi synohen këto përfitime: Zhvillim ekonomik dhe rritje e Bruto Prodhimit të Brendshëm; Përmirësim i klimës së biznesit dhe investimeve, si dhe zvogëlim i jo formalitetit ekonomik; Luftim i korrupsionit dhe fuqizim i sundimit të ligjit; Digjitalizim i shërbimeve publike administrative; Lehtësim i të bërit biznes, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; Rritje e investimeve (veçanërisht nga diaspora) dhe investimeve të huaja direkte; Përmirësim i bilancit të importit dhe eksportit; Krijim i vendeve të punës dhe ulje të varfërisë; Cilësi më e lartë dhe rritje e transparencës në ofrimin e shërbimeve publike dhe Fuqizim i rolit të gruas përmes emancipimit ekonomik dhe mundësi punësimi për të rinjtë dhe grupet e margjinalizuara.

Po ashtu, është shqyrtuar dhe miratuar vendimi për ndalimin e procedurave të blerjes së veturave zyrtare nga ministritë dhe agjencitë në varësi të tyre. Vendimi obligon Ministrinë e Punëve të Brendshme që brenda një jave nga hyrja në fuqi e këtij vendimi të hartoj dhe sjellë për aprovim një Plan për Inventarizimin e të gjitha veturave zyrtare dhe një plan për rishpërndarjen e veturave zyrtare sipas nevojave të institucioneve.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shfuqizim të vendimit të Qeverisë, të datës 26.02.2010, për themelimin e Departamentit Special Antikorrupsion në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë në bashkëpunim me EULEX-in dhe kishte për qëllim të hulumtojë dhe luftojë dukuritë korruptuese në Kosovë. Qeveria vlerëson se kjo çështje duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

Me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është miratuar Rregullorja për grupet e produkteve të cilat janë subjekt i mbikëqyrjes inspektuese. Kjo Rregullore përcakton grupet e produkteve që janë subjekt i mbikëqyrjes inspektuese nga autoritetet inspektuese kompetente, kur ato vihen në përdorim. Rregullorja do të zbatohet për grupet e produkteve të cilat mbulohen nga legjislacioni kombëtar, i cili transpozon legjislacionin  e Bashkimit Evropian.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar  4 draft-statutet e universiteteve publike në Republikën e Kosovës, si në vijim: Draft-Statuti i Universitetit Publik “Kadri Zeka” në Gjilan; Draft-Statuti i Universitetit “Fehmi Agani” në Gjakovë; Draft-Statuti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Draft-Statuti i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Draftet e statuteve do të procedohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim.

Qeveria e Kosovës, duke vepruar sipas propozimit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka miratuar vendimin për aprovimin e Tarifave të Përgjithshme për shfrytëzimin e lëndës së mbrojtur në rastin e ritransmetimit. Tarifat bazohen sipas grupimit të kanaleve televizive:  Deri në 70 kanale televizive - 0.30 euro për abonues;   Nga 71 deri në 100 kanale televizive - 0.35 euro për abonues;   Nga 101 deri në 150 kanale televizive - 0.40 euro për abonues; dhe  Mbi 151 kanale televizive - 0.45 euro për abonues.

Vendimi siguron zbatimin e Ligjit për të drejtën e autorit dhe obligon të gjithë operatorët kabllorë dhe subjektet tjera që bëjnë ritransmetim të kanaleve televizive t’i përmbahen këtij vendimi.

Me kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë,  Qeveria ka miratuar vendimin që të tërheq Projektligjin për tokën ndërtimore nga procedurat në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme e ka marrë edhe vendimi për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të datës 5 korrik 2020, për ndarjen e mjeteve për kompensimin e dëmeve në ekonomitë bujqësore, të shkaktuar nga fatkeqësitë elementare natyrore në shumën prej 1.999.910 euro.

Përfitues do të jenë ekonomitë bujqësore në komunat: Istog, Pejë, Viti, Kaçanik, Vushtrri, Klinë, Rahovec, Mitrovica e Jugut, Prishtinë, Drenas, Skenderaj, Prizren, Fushë Kosovë, Shtime, Podujevë, Mamushë, Leposaviq, Gjilan, Suharekë, Dragash dhe Kamenicë.

Me vendimin e miratuar sot nga kabineti qeveritar do të ndalohet organizimi i punëtorive jashtë Republikës së Kosovës nga të gjitha ministritë, agjencitë ekzekutive dhe njësitë tjera brenda sistemit ministror të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Vendimi ndalon organizimin  e këtyre punëtorive që kanë për qëllim hartimin , punimin  apo diskutimin e dokumenteve qeveritare, si: strategjitë, koncept dokumentet, projekt aktet normative, dokumentet planifikuese dhe të gjitha dokumentet e ngjashme.

Vendimi i ndalon edhe pjesëmarrjen e zyrtarëve publik të punësuar në ministri, agjenci ekzekutive dhe njësi tjera brenda sistemit qeveritar të Republikës së Kosovës, në punëtoritë që organizohen jashtë vendit nga donatorë dhe organizata tjera.

Aktivitetet e tilla kur konsiderohen të nevojshme duhet të organizohen brenda vendit, pas autorizimit nga zyrtarët kryesorë administrativ të organizatave buxhetore.

Gjithashtu, në mbledhjen e sotme, Qeveria i ka rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministren e Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për amendamentin e marrëveshjes së kredisë mes Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane të Investimeve, për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10; dhe për nënshkrimin e Marrëveshjes për amendamentin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për projektin “Programin mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale, faza (dalëse) VI” mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës.

Qeveria ka aprovuar propozimin e Ministrisë së Drejtësisë për Anëtarë të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në përbërje:

1. Enver Peci, Kryetar i Komisionit, pyetës i lëndës e drejta Penale dhe zëvendës anëtar i Komisionit z. Vaton Durguti

2. Dastid Pallaska, anëtar i Komisionit , pyetës i lëndës E drejta Civile (materiale dhe procedurale) dhe zëvendës anëtar Rafet Haxha

3. Nebojsa Boricic, anëtar i komisionit, pyetës i  lëndës E drejta Tregtare dhe zëvendës anëtar Mahir Tutuli

4.znj. Aferdita Bytyqi, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta Kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësor të Kosovës, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të Drejtat e Njeriut dhe zëvendës anëtar z. Ćerim Fazliji

5. Ilaz Ramajli, anëtar i komisionit, pyetës i lëndës E drejta e Punës dhe E drejta Administrative dhe zëvendës anëtare znj. Shqipe Qerimi

Propozimi do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Edhe propozimi tjetër të Ministrisë së Drejtësisë, për themelimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, është miratuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme. Grupi punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve do të ofroj një analizë/studim të argumentuar mbi mundësinë e themelimit të një mekanizmi për hulumtimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, dhe të identifikojë praktikat më të mira krahasuese, si dhe të pasqyrojë elementet dhe specifikat që mund të përfshihen në rastin e Kosovës.

Grupi Punues menaxhohet nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë me staf mbështetës, dhe deri me 31/12/2020, Ministrisë së Drejtësisë do t'i paraqes analizën me opsionet që duhet ndjekur për themelimin e Institutit për hulumtimin e krimeve të luftës në Kosovë.  

Më tej, Qeveria ka emëruar Bordet e Përkohshme të Ndërmarrjeve Publike, të cilave ju ka skaduar mandati.

Ndërmarrja Publike “Trepça”: Sylejman Hyseni - kryesues; Shyqeri Sadiku- anëtar; Esat Peci - anëtar; Safet Sadiku - anëtar; Përfaqësues i sindikatës - anëtar

Ndërmarrja Publike Posta e Kosovës: Leonard Shabanaj - kryesues; Fadil Aliu - anëtar; Elda Maloku - anëtar; Ujkan Kameraj - anëtar

Ndërmarrja Publike “Infrakos”: Brahim Selimaj - kryesues; Sead Thaçi - anëtar; Avni Kajdomçaj - anëtar; Sanja Lazarevic - anëtare

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)