24 Korrik 2019

Qeveria shënon Ditën e Komunitetit Turk në Kosovë

Prishtinë, 23 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaymakci, me rastin e festimit të Ditës së Komunitetit Turk.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendësministrin Kaymakci për progresin e përgjithshëm në Kosovë, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, si dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

Në këtë takim kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e shtetit turk për proceset e rëndësishme të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Pas takimit, kryeministri Haradinaj së bashku me zëvendësministren turk, Kaymakci, morën pjesë në shënimin e Ditës së Komunitetit Turk, në mesin e shumë të ftuarve të tjerë.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast tha se, Dita e Turqve të Kosovës, është një ditë që shënohet në Kosovën e re dhe është një moment i mirë që të reflektohet për marrëdhëniet shumë të mira që ka komuniteti turk në Kosovë, me popullin e saj, marrëdhënie që datojnë me shekuj.

“Të drejtat për komunitetin turk, gjuha, përfaqësimi në institucione publike, roli vendimmarrës i komunitetit turk në Kosovë, ka avancuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për angazhimin e turqve të Kosovës në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj tha se, populli turk i Kosovës është një urë lidhëse e fuqishme me Republikën e Turqisë dhe si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me Republikën e Turqisë, të cilën e falënderoi për përkrahjen, për ruajtjen e paqes me KFOR-in, përkrahjen ekonomike, politike.

“Republika e Turqisë është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrahë në planin ndërkombëtar”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se si kryeministër, angazhohet që të jetë një koleg i mirë me gjithë komunitetin turk në Kosovë, si dhe të trajtojë kërkesat dhe temat që lidhen me jetën e turqve të Kosovës.

Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakci, duke uruar për ditën e Komunitetit Turk, tha se ky komunitet në Kosovë është urë lidhëse e komuniteti turk në Turqi dhe se dëshirojnë që kjo urë lidhëse të forcohet edhe më shumë.

“Çfarëdo që të jetë gjuha dhe feja, të gjitha komunitetet duhet të jetojnë në paqe dhe së bashku. Kosova është një shembull shumë i mirë i kësaj dhe se gjashtë yjet ne flamurin e Kosovës përfaqësojnë gurthemelet kryesore të Kosovës, duke theksuar se Turqia do të bëj përpjekje që Kosova të pranohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha zëvendësministri Kaymakci.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se Kosova ka vullnetin për përkrahjen e të gjitha komuniteteve dhe për këtë ka infrastrukturë të mirë ligjore dhe kushtetuese, duke theksuar nevojën për përkrahje të mëtejmë përmes projekteve të ndryshme për komunitetin turk që jeton në Kosovë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe deputetja Myfera Shinik.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 korrik 2019

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, do të dëshmojë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me 14 komuna të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:00) 

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merr pjesë përurimin e zgjerimit dhe rehabilitimit të hyrjes së pikës kufitare Kosovë - Shqipëri, në Vërmicë. (Pika kufitare e Vërmicës, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim drejtorin e UNHCR. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim kryetarin e Komunës së Malisheves, Ragip Bega, më të cilin do të nënshkruajnë memorandume të bashkëpunimit për financimin e projekteve në fushën e mjedisit. (Kabineti i Ministrit, kati 17, ish objekti Rilindja, ora 11:00)

- Qendra Mediale me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon mbahet debatin publik, me temë: "Taksa 100 për qind - kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizon panairin me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 11:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim Sam Paice, udhëheqës i sektorit për demokratizim në Ambasadën Britanike. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:30)

- Komuna e Gjilanit organizon ceremoninë e dorëzimi te donacionit për shëndetësi nga Besnik Benz. (Qendra Klinike e Mjeksësisë Familjare, ora 12:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e Vetëvendosjes, ora 13:00)