12 Dhjetor 2018

Qeveria norvegjeze përkrahë Kosovën në zbatimin e MSA-së

Prishtinë, 19 Nëntor - Sot, me një ceremoni, para mediave, u nënshkrua Marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Qeverisë Norvegjeze, me ç'rast u nënshkrua Projekti përkrahës për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës në zbatimin e MSA-së.

Qeveria e Norvegjisë, përmes kësaj marrëveshjeje ia ka deleguar Ministrisë së Integrimit Evropian zbatimin e këtij projekti.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, theksoi rëndësinë e procesit integrues si dhe zbatimin e MSA-së, proces ky tejet i rëndësishëm që bën përafrimin e Kosovës me BE-në.

Ata ofruan përkrahje të mëtejme për këtë proces, duke besuar fort se Kosova është brenda agjendave integruese si dhe vlerave të këtij integrimi.

Siç ka treguar përvoja e të tjerëve, procesi i Integrimit Evropian është kompleks dhe kërkon reforma thelbësore, theksoi Ministrja Hoxha. Kapacitetet njerëzore, theksoi ajo, luajnë një rol vendimtar në të. Për këtë qëllim, ne kemi identifikuar një numër fushash prioritare për të ndërtuar kapacitetet tona për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe avancimin në procesin e pranimit, vuri në dukje Ministrja Hoxha.

Ministrja falënderoi Qeverinë Norvegjeze dhe stafin e MIE për kontributin e tyre në zhvillimin e këtij projekti.

Më pastaj, Ministrja Hoxha ka cekur fushëveprimin e projektit - 9 kapituj të acquis-së (legjislacioni i BE-së) për zbatimin e MSA-së, si Kapitulli 4, Lëvizja e lirë e kapitalit, Kapitulli 9, Shërbimet financiare, Kapitulli 10, Shoqëria e informacionit dhe mediat, Kapitulli 15, Energjia, Kapitulli 18, Statistikat, Kapitulli 19, Politikat sociale dhe punësimi, Kapitulli 27, Mjedisi, Kapitulli 28, Mbrojtja e konsumatorit dhe e shëndetit publik si dhe Kapitulli 32, Kontrolli financiar.

Projekti zgjat tri vjet, 2019 - 2021, ndërsa buxheti i planifikuar është rreth 1,4 milion euro.

"Qëllimi i projektit është mbështetja e administratës publike të Kosovës në zbatimin e MSA-së dhe përgatitjen e institucioneve publike për anëtarësim në BE në kapitujt e sipërpërmendur të acquis-së", theksoi Ministrja.

Objektivat e projektit janë forcimi i kapaciteteve institucionale në fushat e acquis-së si dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për përafrimin e legjislacionit në fushat e acquis-së.

Përfitues të këtij projekti janë Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Financave, Doganat e Kosovës, Administrata Tatimore e Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Infrastrukturës, Komisioni i Pavarur për Media, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Zyra e Rregullatorit për Energji, Agjencia Kosovare për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe për Siguri Bërthamore, Agjencia e Statistikave të Kosovës, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Shëndetësisë si dhe Zyra Kombëtare e Auditimit.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 12 dhjetor 2018 - Mbahet hapja zyrtare e projektit KosLift i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë dhe implementohet nga IPKO Foundation dhe RIT Kosovë. (Kampusi i RIT Kosovë, në Universitetin Amerikan, ora 9:30)

- Let’s Do It organizon aksion pastrimi te “Tregu i Gjelbër” në Prishtinë. (Tregu i Gjelbër, rruga që e lidh me lagjen “Kalabria”, ora 10:00)

- Ministria e Administratës Publike organizon ceremoninë e vënies së gurthemelit për ndërtimin e Shkollës së Mesme të Muzikës dhe të institucionit parashkollor-Çerdhes në Prizren. (Lagjja “ Bajram Curri”, që gjendet përballë shkollës së mesme të mjekësisë “ Luciano Motroni” në Prizren, ora 10:00)

- Ministris së Shëndetësisë, Uran Ismaili raporton para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me procesin e revidimit të listës esenciale të barnave, vonesat në përmbushjen e agjendës legjislative dhe projeksionet buxhetore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2019. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. (Objekti i Komunës së Gjakovës, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim në të cilën do të behët shqyrtimi i Projektligjit për Kinematografinë, shqyrtimi i Projektligjit për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta,etj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 10, ora 10:00)

- Prezantohet kampanja informuese ”Kodi Civil qëndron për qytetarët e barabartë të Republikës së Kosovës,” organizuar nga projekti i financuar nga Bashkimi Evropian “Mbështetje Kodit Civil - faza 2”, i cili po mbështetët nga Ministrinë e Drejtësisë. (Hotel Ulpiana në Graçanicë, ora 10:30)

- Demokracia Plus dhe USAID organozijnë debat publik lidhur me prokurimin publik në Gjilan. (Hotel Kristal, ora 11:00)

- Lidhja Demokratike e Kosovës mban konferencë për medie. (Selia qendrore e LDK-së në kompleksin Qafa, ora 11:00)

- Let’s Do It në bashkëpunim me nxënësit e shkollës ‘’Hivzi Sylejmani’’ organizon aksion pastrimi në Fushë Kosovë. (Oborri i shkollës Hivzi Sylejmani, ora 11:55)

- Punëtorët e NTP “Pallati i Rinisë” mbajnë një protestë përmes së cilës do t’i shprehin shqetësimet dhe pakënaqësitë e tyre për mos marrjen e pagave që tre muaj më radhë. (Para Newborn,ora 12:00)

- Banorët e fshatit Cikatovë mbajn protestë në mbrojtje të pronave stergjyshore te marrura në menyrë tinzare nga ana e Komunës se Drenasit dhe te cilat u janë shitur New Co Feronikeli, pa i kompenzuar asnjëherë. (Para Gjykatës Themelore të Prishtinës  dega në Drenas, ora 13:00)

- Aleanca Kosovare të Bizneseve organizon konferencën për media lidhur me ndikimin e taksës 100 % në ekonominë e Serbisë. (Selia qendrore e AKB-ës në Tophane, ora 13:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët qendrore te Vetëvenosjes, ora 13:00)

- Koalicioni i OJQ-ve “Java Kundër Korrupsionit 2018” do të mbajë tryezën e diskutimit me temë “Integriteti, Llogaridhënia dhe Efikasiteti i sistemit të drejtësisë - Nevoja për Vetting”. (Hotel Sirius, ora 14:00)
 
 - Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, do të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi me Kryetarin e Komunës së Dragashit Shaban Shabani. (Objekti i Komunës së Dragashit, ora 14:00)

- Zëvendësshefja e misionit të ambasadës së SHBA-ve në Kosovë, Colleen Hyland, dhe Drejtoresha e Korpusit të Paqës, Dr. Darlene Grant, do të mbajnë fjalime në një takim me kryetarët e komunave të Kosovës. (International Hotel Prishtina, ora 16:00)