19 Prill 2024

Qeveria ndanë fonde për përmirësimin e shërbimeve

Prishtinë, 19 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Platformën Shtetërore për Finalizimin e Dialogut të Kosovës me Serbinë. Platforma siguron proces transparent dhe gjithëpërfshirës dhe synon të jetë qëndrim unik i institucioneve tona ndaj këtij procesi. Platforma do të procedohet për diskutim dhe aprovim në Kuvendin e Kosovës dhe njëkohësisht do të informohet edhe Presidenti i Republikës së Kosovës.

Miratimin e Qeverisë, në mbledhjen e sotme e ka marr nisma për marrëveshjen ndërkombëtare të grantit në mes të Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) për financimin  e projektit për përmirësimin e ngrohtores qendrore në Prishtinë. Me këtë marrëveshje përfituesi do të përfitojë një kontribut financiar në vlerë 2.300.000 euro.

Edhe vendimi për nismën e negocimit të Marrëveshjes së grantit në mes të Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për financimin e projektit “Shërbime Financiare për Krijimin e Vendeve të Punës ne Sektorin e Bujqësisë, Fondi për Garantimin e Kredive III”, është miratuar nga kabineti qeveritar. Kontributi financiar nga kjo marrëveshje ka vlerën 6.500.000 euro.

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe vendimin për aprovim të nismës për negocim të marrëveshjes për financimin e “Projekti i Ekonomisë Digjitale” në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtarë për Zhvillim. Qëllimi i projektit është përmirësimi i qasjes në shërbime cilësore të internetit, si dhe i qasjes së qytetarëve dhe institucioneve publike e akademike në burimet e njohurive, shërbime dhe tregjet online. Asociacioni do të japë një kredi në kushte të volitshme në shumën 25.000.000 dollarë amerikan.

Qeveria e Kosovës ka miratuar rregulloren  për  ndryshimin dhe plotësimin e  Rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive. Ndryshimet në këtë rregullore përcaktojnë procedurat e emërimit dhe funksionet e këshilltarëve të jashtëm të emëruar nga kryeministri, zëvendëskryeministrat dhe ministrat.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar edhe plotësimi dhe ndryshimi i Udhëzimit Administrativ për masat e veçanta për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Udhëzimi rregullon mënyrën dhe mundësitë stimuluese për regjistrimin  e pronës së paluajtshme në emër të dy bashkëshortëve dhe siguron  pjesëmarrje të barabartë në të drejtën mbi pronën e paluajtshme si e drejtë themelore e njeriut e mbrojtur me kushtetutë dhe me ligjin për barazi gjinore në Kosovë. Konkretisht, kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimet e bëra që zgjasin afatin e masave të veçanta në afat prej 3 vjetësh.

Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar Udhëzimin Administrativ për standardet minimale të aftësive psikofizike për shoferë të automjeteve. Me qëllim të zbatimit të Ligjit për patentë shofer, ky udhëzim ka për qëllim të rregullojë kushtet dhe procedurat e lëshimit të certifikatave shëndetësore dhe të përcaktojë standardet themelore minimale të aftësive psikofizike të nevojshme për drejtimin e automjetit për kandidatët që aftësohen për marrje të patentë shoferëve.

Me qëllim të ekzekutimit efektiv të vendimit Nr.15/38, për ndarjen e mjeteve për afirmimin dhe integrimin  e komunitetit malazez në Kosovës, Qeveria ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin, duke ngarkuar Zyrën e Kryeministrit me zbatim të këtij vendimi.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për themelimin e Grupi Punues për hartimin e Koncept-dokumentit për Politikat Bujqësore dhe Fiskale për prodhuesit dhe Përpunuesit e Duhanit.

Është miratuar në parim vendimi për lidhjen e marrëveshjes për punën fitimprurëse të anëtarëve të familjeve të anëtarëve të misionit diplomatik apo konsullor ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Hungarisë.

Me vendimin e aprovuar nga kabineti qeveritar është themeluar Bordi Drejtues i Fondit për Sigurimet Shëndetësore me përfaqësues nga Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Financave, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Oda e Mjekëve të Kosovës, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Asociacioni i Komunave të Kosovës dhe Shoqatave të të Drejtave të Pacientëve. Pas zgjedhjes së drejtorit të Fondit, drejtori ose përfaqësuesi i tij do të jetë pjesë e bordit, në rolin e sekretarit dhe pa të drejtë vote.

Është miratuar edhe vendimi preliminar për shpronësimin e pronave të paluajtshme, të cilat preken nga ndërtimi i lokacionit të ri të varrezave në zonën kadastrale Neqavc të Komunës së Hanit të Elezit. Nevoja për sigurimin e lokacionit të ri të varrezave ka lindur gjatë zhvillimit të projektit për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për miratim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare për bashkëfinancim e projektit CETEP (Creating Employment Through Export Promotion). Marrëveshja lidhet në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Qeveria në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete për të mbuluar kërkesat e shoqatave të kategorive të dala nga lufta për rehabilitim në qendrat rehabilituese dhe për mbarëvajtjen e funksionimit të Shoqatës  së Familjeve të Dëshmorëve, Shoqatës së Invalidëve të Luftës së UÇK-së dhe Organizata  e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ka ngritur shqetësimin e rregullimit të njohjes së patentë shoferëve të Republikës së Kosovës në vendet tjera, që duhet të adresohet nga institucionet tona me qëllim që qytetarët tanë të lëvizin lirshëm me automjetet e tyre në vendet tjera. Ai ka theksuar nevojën që institucionet përgjegjëse të adresojnë këtë çështje. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)