24 Korrik 2019

Qeveria ndanë 20 mijë euro për rindërtimin e Katedrales Notre-Dame

Prishtinë, 18 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e 20 mijë eurove me qëllim të shprehjes së solidaritetit dhe përkrahjes së rindërtimit të katedrales Notre-Dame në Paris, e cila pësoi  nga zjarri para dy ditësh.

Është plotësuar dhe ndryshuar vendimi i Qeverisë për themelimin e Komitetit Ndërministror për Integrim dhe Anëtarësim në NATO, ndërsa me një vendim të veçantë është emëruar zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani në pozitën e Koordinatorit Nacional për Integrim dhe Anëtarësim në NATO.

Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhorë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndarë mjetet financiare për Komisionin Qendror Zgjedhor në shumën 471,484 euro dhe për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në shumën 18,618 euro.

Janë miratuar në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar edhe vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit të infrastrukturës “Zgjerimi i rrugës nacionale, Hyrja në Gjilan” në zonat kadastrale Livoç i epërm në komunën e Gjilanit dhe Koretisht të komunës së Novobërdës; dhe vendimin preliminar për shpronësim të përhershëm të pronave për interes publik  që preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Parkut të Energjisë me Erë në Selac”.

Ka marrë miratimin e Qeverisë edhe nisma  për lidhjen e Marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për bashkëpunim në mbështetjen e themelimit të Njësisë Qendrore për Mbështetjen e Projekteve Infrastrukturore.

Edhe rekomandimi i Qeverisë për Presidentin e Republikës së Kosovës që të autorizojë Ministrinë e Financave për nënshkrim të Marrëveshjes së kredisë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financimin e projektit për trajtimin e ujërave të zeza në Komunën e Gjilanit, ka marrë miratimin e Qeverisë në mbledhjen e sotme. Marrëveshja siguron një kredi në shumën 10 milionë euro.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për administratën publike,  i cili do të ketë këto detyra: hartimin e akteve nënligjore; zbatimin e klasifikimit të vendeve të punës; organizimi i brendshëm i institucioneve; azhurnimin, përshtatjen dhe ndërlidhjen e sistemeve elektronike për burimet njerëzore; popullimin me të dhëna dhe funksionalizimin e  SIMBNJ.

Në mbledhjen e sotme është aprovuar Koncept dokumenti për plotësim ndryshimin e Ligjit për arkivat, i cili ka për qëllim përmirësimin, ngritjen dhe funksionalizimin e plotë të rrjetit arkivor, resurseve njerëzore, infrastrukturën fizike, grumbullimin e materialit arkivor, digjitalizimin e dokumenteve dhe të çështjeve tjera që rregullojnë funksionimin e arkivave në Republikën e Kosovës.

Kryeministri ka kërkuar nga ministrat e resorëve përkatës që të përgatisin informata për kabinetin qeveritar për procesin e zbatimit të vendimit për kompensimin e dëmeve në bujqësi nga breshëri vitin e kaluar, për procesin e fuqizimit të bashkëpunimit me OJQ-të për skemat pensionale dhe për procesin e përcaktimit të pagës minimale.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka kërkuar aprovimin e Qeverisë për themelimin e grupit punues që do të shqyrtojë zhvillimet në fushën e përgatitjes së kuadrove për sektorin e energjetikës dhe për themelimin  e Qendrës së Ekselencës Digjitale, si pjesë të Parkut Inovativ në Prizren. Qeveria ka dhënë aprovimin për të dyja këto propozime.

Edhe Aeroporti i Gjakovës do të kalojë në shfrytëzim të Forcës së Sigurisë së Kosovës, pas propozimit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe miratimit të këtij propozimi nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme.

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale ka prezantuar një informatë për kabinetin qeveritar për procesin që është duke u zhvilluar në reformimin e skemave pensionale në Kosovë. Qeveria ka autorizuar ministrin që të përgatisë propozimet me shkrim për veprimet që duhet të ndërmarrë Qeveria në të ardhmen për reformimin e sistemit pensional në Republikën e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 korrik 2019

- Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, do të dëshmojë nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit me 14 komuna të Kosovës. (Hotel Emerald, ora 10:00) 

- Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Pal Lekaj merr pjesë përurimin e zgjerimit dhe rehabilitimit të hyrjes së pikës kufitare Kosovë - Shqipëri, në Vërmicë. (Pika kufitare e Vërmicës, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim drejtorin e UNHCR. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, do të pres në takim kryetarin e Komunës së Malisheves, Ragip Bega, më të cilin do të nënshkruajnë memorandume të bashkëpunimit për financimin e projekteve në fushën e mjedisit. (Kabineti i Ministrit, kati 17, ish objekti Rilindja, ora 11:00)

- Qendra Mediale me mbështetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur organizon mbahet debatin publik, me temë: "Taksa 100 për qind - kush fitoi, e kush humbi dhe çfarë?". (Qendra Mediale në Çagllavicë, ora 11:00)

- Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës organizon panairin me punime artizanale, veshje kombëtare dhe ushqime tradicionale. (Sheshi “Skënderbeu”, ora 11:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri pret në takim Sam Paice, udhëheqës i sektorit për demokratizim në Ambasadën Britanike. (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:30)

- Komuna e Gjilanit organizon ceremoninë e dorëzimi te donacionit për shëndetësi nga Besnik Benz. (Qendra Klinike e Mjeksësisë Familjare, ora 12:30)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media. (Zyrët e Vetëvendosjes, ora 13:00)