04 Mars 2021

Qeveria miraton ndryshimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit

Prishtinë, 26 maj - Në kuadër të angazhimeve për përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar Projektligjin për  ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit.

 

Nevojën për ndryshimin dhe plotësimin e këtij  ligji e ka bërë të domosdoshme, përmbushja e kritereve për liberalizimin e vizave. Projektligji rregullon pajisjen e shtetasve të Republikës së Kosovës me pasaporta biometrike, të pajisura me çip, që është njëri nga kriteret për liberalizimin e vizave dhe qarkullimit të lirë të shtetasve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe Strategjinë për Ri-integrimin e Personave të Riatdhesuar. Ri-integrimi është rrjedhojë e procesit të riatdhesimit dhe paraqet një nga sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova gjatë periudhës së pas luftës. Numri i shtetasve që kanë lëshuar Kosovën më herët, gjatë dhe pas luftës, ka qenë i konsiderueshëm. Shtetet e Bashkimit Evropian nuk kanë qenë në gjendje të ofrojnë vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm për këta shtetas, andaj, këta  persona duhet të riatdhesohen.

Në mbledhjen e sotme është vendosur që të ofrohen masa për lehtësimin e shlyerjes së borxheve të bizneseve ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Masat e lirimit nga pagesa e kamatave ndëshkuese, me kusht të pagesës së borxhit tatimor kryesor të biznesit ndaj ATK-së, e aplikuar në fundvitin e 2008-ës, ka dhënë rezultate të mira dhe Qeveria e Kosovës ka vendosur që kjo masë të aplikohet deri me 30 nëntor të këtij viti, sipas kritereve të përcaktuara.

Qeveria ka aprovuar Rregulloren për themelimin e zyrës për të drejtat dhe pronën intelektuale. Rregullorja përcakton detyrat dhe mandatin e zyrës që do të themelohet në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Është aprovuar edhe plani operativ për zhvendosjen e familjeve Rome, Ashkali dhe Egjiptiane nga kampet e kontaminuar me plumb,  në lagjet Osterode dhe Lugu i Qeshmes në veri të Mitrovicës. Kjo është edhe një dëshmi për përkushtimin e Qeverisë së Kosovës ndaj mirëqenies për të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie.

Gjithashtu, është themeluar Komiteti Drejtues Ndërinstitucional për mbikëqyrjen dhe koordinimin  e zbatimit të Planit të Veprimit të Strategjisë për Integrimin e Komuniteteve  Rom, Ashkali dhe Egjiptas, për periudhën 2009-2015. Komiteti Drejtues ndërinstitucional do të formohet me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucionet qendrore të Qeverisë së Kosovës dhe nga organizatat jo-qeveritare që përfaqësojnë komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptas.

Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për veprimtaritë kërkimore shkencore është hequr nga strategjia legjislative e Qeverisë së Kosovës për vitin 2010. Ky vendim është marr, me arsyetim nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për t’i dhënë kohë edhe më shumë angazhimit të gjithanshëm të botës akademike si dhe ekspertëve ndërkombëtar në hartimin e këtij ligji.

Qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin që në listën e liderëve institucional, që kanë të drejtë të pajisen me pasaportë diplomatike, të përfshihet edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Qeveria ka aprovuar gjithashtu edhe marrëveshjen e arritur në mes të Ministrisë së Administratës Publike, Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave dhe Sindikatës së Shërbyesve Civil për ngritjen e pagave të shërbyesve civil.

Në mbledhje është aprovuar edhe Strategjia për Sistemin e Integruar të Menaxhimit të Situatave Emergjente.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Mars 2021

 - Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me përfaqësuesit e bankave. (Ndërtesa e BQK-së, ora 10:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore që kanë kontribuar në luftën kundër Covid-19. (Amfiteatri i Telemjekësisë në QKUK, ora 10:00)

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me shoqatat e bizneseve. (Ndërtesa e BQK-së, ora 14:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Dogana e Kosovës organizon konferencë për shtyp ku do të paraqiten rezultatet e doganës gjatë dy muajt e parë të vitit 2021 dhe luftimi i kontrabandës dhe informalitetit në muajt e fundit. (Drejtoria e doganës në lagjjen Emshir, ora 14:00)   

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti mban konferencë për media. (Ndërtesa e BQK-së, ora 15:00)