09 Korrik 2020

Qeveria e re do të jetë vazhdim i mashtrimit të qytetarëve

Prishtinë, 3 qershor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë seancën e sotme se Vetëvendosje dhe LDK i mashtruan qytetarët e Kosovës duke ju ofruar shpresë e në anën tjetër për 100 ditë qeverisje degraduan çdo të arritur të shtetit në 20 vite liri duke shkaktuar rrezik nacional për vendin.

Lideri i PDK-së tha se Albin Kurti po ikë prej vetes, jo prej të tjerëve, por e ka dëmtuar rëndë Kosovën dhe këtë, qytetarët do ta përjetojnë në shtëpitë e tyre shumë shpejt.

"Dilemat që ka hapur brenda – me nxitjen e urrejtjes dhe dëshirën për revansh, janë minore përballë dilemave që ka hapur me garantuesit e ekzistencës sonë fizike dhe shtetërore,  me miqtë tradicionalë të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky është një dëm i pallogaritshëm politik që i është bërë vendit nga ideologjia anti-amerikane e Kryeministrit, ashtu si dhe nga sjellja e tij qyqare përballë Serbisë", tha Veseli.

Ai tha se në këto 100 ditë, Kosova u qeveris nga një mendësi e paranojave, që shpik armiq në shtëpinë e vet, që shpik armiq në shtëpitë e miqve më të mirë të Kosovës.

"Ideja e përfitimit me çdo kusht, çdo herë sjell humbjen pa kusht. Kjo po i ndodh edhe sot Albin Kurtit. Kjo do t’i ndodhë edhe Avdullah Hotit, i cili është kopje jo origjinale e këtij mashtrimi", tha Veseli.

Ai tha se votimi që do të ndodhë sot është vazhdimësi mashtrimi dhe Partia Demokratike e Kosovës nuk do ta votojë qeverinë e re.

"Nuk jemi me VV-në. As nuk do të jemi me LDK-në. Nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë pazare me mua dhe me PDK-në për pushtet", tha ai.

"Unë e kam nisur një rrugë dhe e kam një qëllim, që do ta çoj deri në fund. Unë besoj në këtë vend. Besoj në njerëzit e mirë dhe të zotë të këtij vendi për të bërë ndryshime të mëdha.

Kriminelëve, të korruptuarve dhe mashtruesve do t’u vijë fundi, ndërsa rendit, ligjit, të drejtit dhe punëtorit do t’i vijë çasti. Kjo është e domosdoshme, e pashmangshme dhe këtë nuk do të mund ta ndalë askush", tha Veseli.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 9 Korrik 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët votimi dhe shqyrtimi i disa Projektligjeve për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare. (Salla e Kuvendit, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit bën përurimin e stadiumit në Sërbicë të Poshtme, projekt i realizuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ku do të jetë i pranishëm kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe drejtoresha e DKRS-së, Emilija Redzepi. (Nisja do të bëhet nga Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 10:30)

- Vazhdimi i seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët  votimi i Propozim rezolutës nga Raportimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe debati parlamentar lidhur me dialogun Kosovë - Serbi. (Salla e Kuvendit, ora 10:30)

- Në nderim të ushtarit amerikan Alexander Blake Klass, 20 vjeçar nga Willamina e Oregonit, që ka humbur jetën në një incident, që nuk kishte të bënte me veprim të armatosur, Shoqata "Miqtë e Amerikës" do ta ulin në gjysëm shtizë flamurin amerikan. (Sheshi “Bill Clinton” në Prishtinë, ora 11:00)

- Mbahet Seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Salla e Kuvendit, ora 11:00)

- OVL e UÇK-së mban protestë gjithëpopullore me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”. (Prishtinë dhe qytetet e tjera të Kosovës, ora 12:00)

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për media në të cilën flet Albulena Haxhiu. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Mbahet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit, në të cilën do të behët shqyrtimi dhe aprovimi i Propozim vendimit për bartjen e mjeteve nga rezervat e buxhetit komunal, nga kategoria pozicionit të pagave në kategorinë e Investimeve Kapitale. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal në objektin e ri të komunës, ora 14:00)

Mbledhja do të mbahet në sallën e mbledhjeve të Kuvendit Komunal, në objektin e ri të komunës.

- Mbahet një takim pune i organizuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në të cilin do të diskutohet dokumenti - Plani Hapësinor i Parkut Kombëtar Bjeshkët e Nemuna. (Ndërtesa e re e Qeverisë ish-Rilindja, salla e konferencave, kati XVIII, ora 15:00)