18 Tetor 2018

Qeveria e papërgjegjshme ndaj parasë publike

Prishtinë, 13 qershor - Dje Qeveria e Republikës së Kosovës procedoi me implementimin e rritjes së pagave, kryesisht për stafin politik, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendimin e qeverisë nuk e konsideronte jokushtetues.

Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se edhe kësaj radhe, ky veprim i qeverisë ka shqetësuar opinionin publik dhe ka dëshmuar për një qasje arrogante që ka kjo qeveri në të gjitha drejtimet.

Lëvizja për Bashkim konsideron se qeveria, para se të vendoste për zbatimin e këtij vendimi, do të duhej të reflektonte lidhur me reagimin e opinionit publik për këtë çështje.

"Ajo, së paku, nuk do të duhej të ndërmerrte këtë hap para se ta draftonte Ligjin për Qeverinë në të cilin do të kufizohej numri i ministrave, këshilltarëve e sidomos zëvendësministrave."

"Mos të harrojmë se kjo qeveri, në mënyrën më të papërgjegjshme, ka shtuar në rreth 80 numrin e zëvendësministrave, të cilët përveç barrës financiare janë edhe pengesë në efikasitetin e punës së ministrive", thekson LB.

Gjithashtu, do të duhej të pritej edhe miratimi i Ligjit për Pagat që është në procedurë, i cili do të vendoste bazat edhe për pagat e stafit politik.

Për Lëvizjen për Bashkim është e papranueshme se si qeveria Haradinaj vendosi t’i rrisë pagat mbi nivelin e pagave të rajonit dhe në shpërputhje të plotë me situatën socio-ekonomike të vendit.

LB thekson se kjo qeveri po vazhdon të tregohet tërësisht e papërgjegjshme ndaj parasë publike dhe njëkohësisht po vazhdon të shpërblejë militantët partiak me poste zëvendësministrash, duke abuzuar kështu me buxhetin e shtetit.

"Fatkeqësisht, puna e deritashme e kësaj qeverie nuk na jep shpresë dhe arsye për të besuar se këto paga dhe këto shpërblime do të përkthehen në rezultate."

"Përkundrazi, sa më shumë të stimulohet keqqeverisja aq më të rënda do të jenë pasojat për vendin", vlerëson në fund LB.

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 tetor 2018 - Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:00)

- Organizohet aksion pastrimi në Fushë Kosovë, përkatësisht në lagjen “028” me shumicë rome. (Lagja “028” në Fushë Kosovë, ora 10:00)

- Instituti i Kosovës për Drejtësi organizon tryezën "Parandalimi dhe luftimi i krimeve në zgjedhje: Procedurat Standarde të Veprimit përgjigja e duhur për krimet para, gjatë dhe pas ditës së votimit". (Hotelin Sirius, ora 10:00)

- Ministri i Punës, Skender Reqica, Ministri i MASHT-it, Shyqiri Bytyçi, Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Organizata Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar raportojn para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione lidhur me zbatimin e Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuar në Republikën e Kosovës 2013 - 2023. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 302, ora 10:00)

- Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri së bashku me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, marrin pjesë  në tryezën e diskutimit në kuadër të kampanjës ‘’Drejtësia dhe Biznesi‘’. (Ndërtesa e OEK-ut, ora 10:00)

- Kryetari i Suharekës pret në takim përfaqësuesit e Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe përfaqësues rezident te Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar. (Zyra e krytarit te Suharekës, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ju fton të përcillni konferencën për media lidhur me funksionimin e punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Zyrat e KDI-së, ora 10:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon tryezën e diskutimit me temë “E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja: Dialogu Kosove-Serbi dhe mesimet që lidershipi i Kosovës duhet të përseris”. (Hotelin Swiss Diamond, ora 10:30)

- Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi raporton para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi lidhur me sfidat dhe prioritetet e Ministrisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N 303, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Shoqatën e Gazetarëve dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile të Luginës së Preshevës. (Kabineti i Presidentit, ora 11:00)

- Komuna e Suharekës dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor organizojnë ceremoninë e inaugurimit të Projektit Përcjellës - Promovimi i Iniciativës SATOYAMA për Ruajtjen e Biodiversitetit dhe Zhvillimin Rural nëpërmjet Menaxhimit të Qëndrueshëm të Burimeve Natyrore. (Sheshi kryesor në fshatin Mushtisht, ora 11:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj merr pjesë në Kongresin e parë Ndërkombëtar të Odës së Fizioterapeutëve të Kosovës. (Hoteli Emerald, ora 12:00)

- Kryeministri Ramush Haradinaj vizitë pune në Ministrinë e Punëve të Brendshme. (Ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ora 13:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes së ekspozitës "Aga Khan Award for Architecture". (Hapësirat e Muzeut të Kosovës, ora 14:00)

- Mbahet ceremonia e hapjes së edicionit të parë të Festivalit Ballkanik të pjekjes dhe promovimit të rakisë, 'Rakia Fest'. (Hapësirat e Etnokompleksit të fshatit Kukaj, Komuna e Prishtinës, ora 15:00)

- Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, do të pres në takim Ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. (Ndërtesa e Ministrisë se Punëve të Jashtme, ora 17:15 - konferencë e përbashkët për media, ora 17:55)

 - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu. (Kabineti i Presidentit, ora 18:30)