29 Mars 2024

Qeveria e Kosovës miratoi Programin qeverisës 2020–2023

Prishtinë, 5 qershor - Qeveria e Republikës së Kosovës e drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti, në mbledhjen e mbajtur sot, e miratoi Programin qeverisës 2020-2023, vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për familjen e Agon Musliut dhe vendimin për t’i kërkuar Kuvendit të Kosovës që të bëjë ndryshimin për tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale. 

Me Programin qeverisës 2020-2023, i cili ka marrë miratimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet se do të jetë mbrojtëse dhe zbatuese e të gjitha parimeve dhe normave që burojnë nga Kushtetuta e Kosovës.

Përparimi i lirive qytetare, mbrojta e pronës private, promovimi i mundësive të barabarta, forcimi i ekonomisë së tregut, promovimi i drejtësisë efikase dhe asnjanëse, do jenë postulatet kryesore që do të karakterizojnë ndërgjegjen politike të Qeverisë së re.

Do të promovohet përcaktimi strategjik i Republikës së Kosovës për forcimin e stabilitet në rajon, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me të gjitha shtetet në rajon. Integrimi i vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO do të jetë qëllim nga i cili burojnë angazhimet institucionale për përparimin e demokracisë, ekonomisë dhe shtetit të së drejtës.

Programi qeverisës, i ndërtuar mbi prioritetet nacionale të Kosovës, bazohet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, drejtësia, toleranca, përgjegjësia dhe transparenca, liria individuale dhe kolektive. Objektivat themelore të Qeverisë janë:

Beteja për ta mposhtur pandeminë dhe  Rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë. 

Krahas këtyre objektivave, Qeveria do të ketë prioritet:

    Forcimin e shtetit, avancimin e demokracisë, luftimin e dukurive negative, veçmas krimit dhe korrupsionit;

    Zhvillimin ekonomik bazuar në ekonominë e tregut, rritjen e punësimit dhe investimeve, për t’u përballur me pasojat e pandemisë dhe nevojën për fuqizim të aftësisë konkurruese të bizneseve e prodhimeve vendore;

    Marrjen e përgjegjësisë për të quar përpara dialogun me Serbinë, në bashkëpunim me BE dhe SHBA, duke mos lejuar ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territorit;

    Avancimin e procesit të integrimit evropian, përmes zbatimit të MSA-së, si dhe procesit të integrimeve euroatlantike;

    Zbatimin e plotë të Agjendës së Reformave Evropiane;

    Krijimin e atmosferës së bashkëpunimit pozitë-opozitë për çështjet vitale në interes të vendit dhe vendimmarrje në konsultim të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, sidomos në procesin e dialogut me Serbinë.

Po në këtë mbledhje, Qeveria ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për mbështetje financiare në vlerë prej 25,000.00 € (njëzet e pesë mijë euro) për ndihmë familjes së Agon Musliut, që humbi jetën tragjikisht  më datë 3 maj 2020 në Qendrën e Studentëve në Prishtinë e caktuar si Hapësirë karantine.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar edhe vendimin me të cilin i ka kërkuar Kuvendit të Republikës së Kosovës që të bëjë ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit si dhe kufizimit të bilancit bankar të përdorshëm.

Tejkalimi sipas këtij vendimi rritet përkohësisht deri në tetë (8) për qind, ndërsa kufiri i bilancit të shfrytëzueshëm bankar ulet përkohësisht deri në tre (3) për qind. Kërkesa për këtë ndryshim bëhet pasi që Ligji për ndarjet buxhetore për vitin 2020 ndikohen nga situata e krijuar nga pandemia globale “Covid-19”.

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)