22 Gusht 2019

Qeveria e dorëhequr të ndërpresë veprimtaritë e dëmshme

Prishtinë, 23 korrik - Nënkryetari Besnik Bislimi dhe kryesuesi i Grupit Parlamentar Glauk Konjufca shprehën shqetësimin e Lëvizjes Vetëvendosje për vendimet e dëmshme që qeveria e dorëhequr po vazhdon të marrë.

“Vendimet nuk po ndalen edhe kur kjo qeveri është në dorëheqje, e ndoshta është qeveria e vetme në botë që edhe pas dorëheqjes po i rritet numri i zëvendës-ministrave."

"Ndoshta ky do të jetë edhe akti i fundit komik i kësaj qeverie e cila thotë se është duke shkuar por në të njëjtën kohë zëvendës-ministrat nga 80 bëhen 82.” vuri në dukje Konjufca, i cili shprehu qëndrimin tashmë të njohur se opsioni që preferon Lëvizja Vetëvendosje! për qeverisje të përbashkët, është me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Konjufca theksoi se e vetmja ftesë e pranueshme nga presidenti në këtë moment, është ajo për caktimin e zgjedhjeve të reja. Qytetarët presin ndryshim, dhe nuk do të pranohen makinacionet presidenciale që do të synojnë shmangien e zgjedhjeve.

Ndërsa Besnik Bislimi vuri në dukje se roli i qeverisë së dorëhequr duhet të jetë vetëm tranzitor. Pra të mirëmbajë funksionimin normal të administratës publike dhe kryerjen e pagesave rutinore në pajtim me buxhetin e aprovuar të vendit. Rrjedhimisht kompetencat e qeverisë tranzitore janë tejet të limituara. Ky limitim nënkupton që:

1. Kjo qeveri nuk ka më mandat për të implementuar program qeverisës dhe nuk mund të marrë asnjë vendim që ndikon negativisht aftësinë e qeverisë në ardhje për të implementuar programin e saj qeverisës.

2. Kjo qeveri nuk guxon të paraqitet në emër të Kosovës lidhur me ndonjë marrëveshje sa i takon Serbisë apo çështje që ndërlidhen me marrëveshje të mëhershme me të.

3. Nuk mund të marrë vendime me ndikim në jetën ekonomike dhe shoqërore të vendit.

4. Nuk mund të merret me përgatitje të projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

5. Nuk mund të implementojë asnjë projekt madhor infrastrukturor; vazhdojë asnjë kontratë me peshë financiare e me ndikim ekonomik dhe iniciojë asnjë reformë institucionale apo ekonomike.

6. Nuk mund të emërojë asnjë zyrtar në pozita të larta në hierarkinë politike institucionale apo në ndërmarrjet publike e shtetërore, agjencitë e pavarura dhe stafin diplomatik të vendit.

Besnik Bislimi më pas tregoi konkretisht se cilat janë 14 çështje të rëndësishme me të cilat qeveria në dorëheqje nuk guxon të ndërmarrë asnjë hap, pasi çdo aventurë do të anulohej nga qeveria e ardhshme që në ditën e parë të saj:

1. Ndërprerjen e cilitdo aktivitet që ndërlidhet me termocentralin e ri në Kosovë apo me shkatërrimin e lumenjve të vendit përmes lejimit të operimit jashtëligjor të hidrocentraleve.

2. E cilësdo nismë që lidhet me operatorë privatë apo marrëveshje të ngjashme sa i përket Ndërmarrjes Publike “Trepça” sha.

3. Ndërprerjen e çdo aktiviteti të ndërlidhur drejtpërdrejt apo indirekt me privatizimin e Telekomit të Kosovës, si dhe ndalimin e futjes së Telekomit në borxhe me synim të transferimit të milionave drejt marrëveshjeve haptazi të korruptuara me Z-Mobile.

4. Ndërprerjen e çdo aktiviteti që lidhet me vazhdimin e kontratës me Z-Mobile.

5. Ndërprerjen e çdo aktiviteti që ndërlidhet me autostradën e planifikuar të Dukagjinit.

6. Ndërprerjen e çdo aktiviteti me synim vazhdimin e monopolit në fushën e homologimit.

7. Ndërprerjen e çdo aktiviteti nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë që ndërlidhet me procesin e kompromentuar të botimit të teksteve shkollore.

8. Ndërprerjen e pseudoreformave në shëndetësi që më shumë synojnë përmirësimin e imazhit personal të individëve brenda PDK-së se sa përmirësimin e sistemit të mjerë shëndetësor.

9. Ndërprerjen e menjëhershme të emërimeve jomeritore dhe jokompetente në pozita të larta në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Ushtrinë.

10. Ndalimin e çdo emërimi në pozitat e larta nëpër ministri, përfshirë ato të drejtorëve apo sekretarëve të përhershëm.

11. Ndalimi i secilit emërim në pozita menaxhuese dhe në borde mbikëqyrëse e menaxhuese të ndërmarrjeve publike dhe agjencioneve rregullative.

12. Ndërprerjen e menjëhershme të çdo emërimi të ri në stafin diplomatik të vendit.

13. Largimin e menjëhershëm nga detyra të gjithë asaj brigade zëvendësministrash, koordinatorësh, nënkordinatorësh dhe pozita tjera të shpikura në këto dy vitet e fundit, meqenëse këto janë krejtësisht të panevojshme në periudhën tranzitore.

14. Të pamundësojë përdorimin apo keqpërdorimin e aseteve publike për qëllime zgjedhore të subjekteve politike pjesë e koalicionit qeverisës.

Në të njejtën kohë Besnik Bislimi i bëri thirrje punonjësve dhe specialistëve të ndershëm të Administratës publike në Kosovë: “Mos bini pre e presionit nga kabinetet e ministrave dhe kryeministrave për të implementuar vendime që janë të dëmshme dhe shkojnë përtej kompetencave të një qeverie në dorëheqje”.

Këto vendime duhet t’i lihen qeverisë në ardhje, tha Bislimi, duke nënvizuar se sigurojmë që qeveria e ardhshme do sjellë një model krejtësisht ndryshe të qeverisjes. Një qeveri që bazohet në drejtësi shoqërore, punësim dhe mirëqenie.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 gusht 2019

- Mbahet seanca plenare e Kuvendit të Republikës së Kosovës në të cilën do të behët shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Kuvendi i Kosovës, ora 10:00)

- Komuna e Prishtinës organizon vendosjen e pesë njësive shtesë të pemëve për pastrimin e ajrit në sheshin "Zahir Pajaziti" ku do të jetë prezent dhe Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti. (Sheshi i 'Zahir Pajazitit', ora 10:00)

 - Mbahet dita e tretë e Etnofestit në të cilën do të mbahet punëtoria kreative, instalacione me atelje te pikëtorëve dhe skulptorëve, punime artizanale, etj. (Ambientet e Etnofestit në fshatin Kukaj, ora 10:30)

- Kryetari i Komunës se Istogut, Haki Rugova do të organizojë dëgjimin me qytetarë për Draft Buxhetin Komunal për vitet 2020-2022. (Salla e Kuvendit Komunal në Istog, Kati III, ora 11:00) 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka do të pret në takim anëtarin e Parlamentit Britanik, John Grogan ku pas takimit do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për media. (Shtëpia e Bardhë në Prizren, ora 13:00)

- Aleanca Franceze e Prishtinës, Kino Armata dhe Termokiss organizojnë së bashku edicionin e parë të festivalit "Kino nshehër". (Termokis, ora 20:00)