16 Prill 2024

PZAP-ja vendos kundër kandidatëve që kanë pasur probleme me ligjin

Prishtinë, 26 janar - Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka marrë vendim që të certifikohen kandidatët për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, me përjashtim të atyre që kanë pasur probleme me ligjin.

Sipas ligjit, të gjitha palët që nuk janë të kënaqura me vendimet e PZAP-së mund t'i drejtohen Gjykatës Supreme.

Palët brenda 24 orëve mund të dorëzojnë ankesat në Supreme dhe Gjykata më pas ka afat 72 orë që t'i përgjigjet ankesave të paraqitura.

Në vendimet e publikuara të martën, PZAP-ja njoftoi se ka refuzuar pjesërisht apelin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ky organ, ka vërtetuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjve për moscertifikimin e gjashtë kandidatëve për deputetë të kësaj partie: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Liburn Aliu, Bajram Mavriqi dhe Labinotë Demi-Murtezi.

“Pranohet pjesërisht rekomandimi i ZRPPC-së, certifikohet lista e kandidatëve për deputetë të kësaj partie, me përjashtim të kandidatëve të cekur”, thuhet në njoftim ku shtohet se “kandidatët e cekur në pikën një të diapozitivit të këtij vendimi, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë”.

Më 3 janar, 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi u dënuan me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

 Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit i ka vërtetuar dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Paneli po ashtu ka vendosur që Nisma Socialdemokrate të certifikohet si parti politike për zgjedhjet e 14 shkurtit, por ka refuzuar kërkesën për certifikimin e 12 kandidatëve për deputetë: Vesel Krasniqi, Besnik Berisha, FIlloreta Bytyçi, Valentina Alijaja, Xhafer Berisha, Aziz Thaçi, Musa Fetahaj, Hasime Daka, Fatmir Gërdellaj, Vehbi Avdullahaj, Endrit Shala dhe Adrian Nokaj.

Si në rastin e LVV-së, edhe për Nismën Socialdemokrate, PZAP-ja ka rezufuar rekomandimin e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, që kishte dërguar në KQZ me rekomandimin që kandidatët që kanë probleme me ligjin, të certifikohen për zgjedhje.

Edhe kandidatët e Nismës që janë cekur në vendim, nuk mund të zëvendësohen me kandidatë të tjerë thotë PZAP-ja.

Vendimi i njëjtë vlen edhe për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku PZAP-ja ka thënë se kandidatët për deputetë: Shemsedin Dreshaj, Gani Dreshaj, Rrahim Ajeti dhe Shqipe Kastrati nuk mund të certifikohen dhe as të zëvendësohen me kandidatë të tjerë.

Ndërkaq, kandidatët e tjerë në listën për garë zgjedhore të këtij subjekti do të certifikohen për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se ky institucion do të respektojë të gjitha vendimet e marra nga PZAP-ja.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet e PZAP-së dhe do të presim sepse në fund të këtyre vendimeve ka këshilla juridike, sipas të cilave, është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme”, tha Elezi gjatë një prononcimi për media.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)