22 Tetor 2019

Prokuroria cakton koordinatorët rajonal për monitorimin e zgjedhjeve

Prishtinë, 19 shtator - Është mbajtur sot, takimi koordinues mes institucioneve të cilat janë nënshkruese të memorandumit të bashkëpunimit për procesin zgjedhor (KQZ, PZAP, PSh, PK dhe KGjK).

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi lidhur me përgatitjet e institucioneve, bashkëpunimi dhe bashkërenditja e aktiviteteve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, vetëdijesimi për parandalimin e manipulimeve të mundshme, si dhe roli i shoqërisë civile në këtë proces zgjedhor.

Koordinatorja Nacionale për zgjedhje në Prokurorinë e Shtetit, Laura Pula, ka deklaruar se institucioni i Prokurorit të Shtetit, tashmë ka caktuar për secilën prokurori koordinatorët rajonal, dhe do të angazhoj një numër të konsiderueshëm të prokurorëve, ku do të monitorojnë gjithë procesin zgjedhor, si dhe ka potencuar se në rastet ku paraqiten problemet eventuale, do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme në bazë të kompetencave dhe Ligjit.

Ndërkaq, përfaqësues të institucioneve tjera, kanë prezantuar planet e tyre lidhur me angazhimet e tyre, si dhe kanë deklaruar se të gjithë janë duke u marr me aktivitete të ndryshme, në bazë të kompetencave që ka secili institucion përkatës.

Po ashtu, nga të pranishmit është theksuar se vetëdijesimi i qytetarëve për parandalimin e manipulimeve të mundshme  të zgjedhjeve është mëse i rëndësishëm, pasi që në rastet ku mund të ketë pretendime për keqpërdorime të votave, Policia e Kosovës dhe Prokuroria e Shtetit do të veprojnë menjëherë.

Gjithashtu, të pranishmit u pajtuan që ti bëhet ftesë të gjitha organizatave jo qeveritare, shoqërisë civile dhe mediave që të bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e lartcekura, para, gjatë dhe pas procesit zgjedhor.

Kjo tryezë është organizuar nga instituti “Demokracia për zhvillim”(D4D).

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 tetor 2019 - Me rastin e 30 vjetorit të rënies së komunizmit, Instituti Shkencor Kosovaro-Suedez do të organizojë konferencën shkencore ndërkombëtare me titull '30-vjetori i rënies së sistemit komunist'. (Hoteli Sirius, ora 9:00)

- Nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit mbahet dita e dytë e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit” me ç‘rast do të organizohet konferencë per koordinimin ndërinstitucional në trajtimin e rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore si dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës seksuale gjatë luftës. (Hotel Emerald, ora 9:30)

- Drejtori i Zyrës për Rritje Ekonomike pranë misionit të USAID-it në Kosovë, Matthew Cullinane, do të flasë në hapjen e Konventës së tretë vjetore të Industrisë së Veshmbathjeve në Kosovë. (Hoteli Emerald, ora 10:00)

- Punëtorët teknik të Fakulteteve të UP-së “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të protestojnë para Rektoratit të UP-së. (Para Rektorati, ora 10:00)

- Nën patronatin e kryetarit të komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri do të mbahet Panairi i Sportit me të gjitha klubet sportive të qytetit të Mitrovicës. (Sheshi “Isa Boletini” në Mitrovicë, ora 10:00)

- Dega e Alternatives në Gjakovë mban konferencë për media. (Zyrët e Alternativës në Çarshinë e Jupave në Gjakovë, ora 11:00)

- Bëhet promovimi i librit “Gjinekologjia me obstetrikë  për infermieri dhe mami” me autore Prof. dr. Myrvete Paçarada dhe bashkautorë  Ass. dr. Vlora Ademi Ibishi dhe Ass. dr. Nyltene Kongjeli. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 11:00)

- Më rastin e Ditës Boterore të Energjisë, Instituti për Politika Zhvillimore mban konferencë për media me temë 'Cilat duhet të jenë prioritete e qeverisë së re në sektorin e energjisë në Kosovë?  - Rekomandime dhe propozime nga shoqëria civile'. (Zyrët e Resource Center (Lagjja Pejton, Rr. Pashko Vasa, nr. 1, përballë Hotel Royal, ora 13:00)

- Këshilli Prokurorial i Kosovës mban takimin e 173-të. (Objekti i Prokurorisë së Shtetit, ora 13:30)

- ETEA organizon premierën e shfaqjes “Muret Flasin” që i dedikohet përkujtimit të organizimit të arsimit paralel gjatë viteve të '90-ta. (Shtëpia - shkollë “Sami Frashëri” e familjes Aliu - Hertica, ora 20:00)