22 Nëntor 2019

Projekti për shkëmbim territoresh ka dështuar

Prishtinë, 11 tetor - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se në takimet me të dërguarin presidencial amerikan për bisedimet Kosovë – Serbi është diskutuar për arritjen e një marrëveshjeje brenda disa muajsh.

"Besoj që do të ketë dhe duhet të ketë dialog me Serbinë, sepse kemi shumë çështje të hapura, mirëpo, statusi i Kosovës nuk është njëra prej tyre. Ne konsiderojmë që me Serbinë tashmë i kemi 33 marrëveshje në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe duhet ta shohim qysh në muajin e parë në zyrë një bilanc të zbatimit të tyre dhe të ndikimit të tyre në realitetin e qytetarëve."

"Por edhe më herët se kaq, në javën e parë në zyrë si kryeministër i ri i Republikës së Kosovës, unë do të filloj dialogun me serbët e Kosovës, që është një gjë tjetër për zhvillim, dialog demokratik prej poshtë për integrim të tyre, ndërkaq ekipi negociator, ekipi i bisedimeve me Serbinë do të udhëhiqet nga unë sepse republika jonë parlamentare ashtu e do dhe ashtu e thotë me ç’rast do t’i vendosim edhe principet të dialogut të ardhshëm."

"Do ta kemi përgatitjen paraprake me dialog me Brukselin për dialog me Serbinë, por dua që patjetër të jetë edhe opozita e përfshirë meqenëse skena jonë politike e Kosovës nuk guxon të jetë e ndarë dhe e përçarë sa i përket Serbisë", ka thënë Kurti.

Por, ai tërheq vërejtjen se perspektiva e një marrëveshjeje vështirësohet kur afati kohor vihet përpara përmbajtjes.

Kurti thotë se projekti për shkëmbim territoresh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dështuar por ideja ende nuk ka vdekur dhe se qeveria e tij do t’i jap fund asaj.

"Projekti për shkëmbimin territorial midis Kosovës dhe Serbisë ka dështuar. Më duhet të pranoj se ideja nuk ka vdekur, projekti ka dështuar – ideja nuk ka vdekur."

"Me qeverinë tonë jo vetëm që projekti i dështuar vuloset, mirëpo vdes edhe një ide e tillë meqenëse nuk mund të shtiremi thua se jemi para një çerek shekulli dhe me lapsa mbi hartë luajmë rolin e (Franjo) Tugjmanit e Millosheviqit teksa ndajnë dhe copëtojnë Bosnjën."

"Mendoj që ajo kohë ka kaluar, ajo është kohë lufte. Tash jemi në kohë të paqes kur kemi nevojë që sa më shpejt të bëjmë hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian", ka theksuar Kurti.

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 nëntor 2019 - UBT në bashkëpunim me Institutin Shkencor Suedez-Kosovar do të mbajnë bashkërisht konferencën “30-vjetori i Rënies së Sistemit Komunist”. (Hotel Sirius, ora 9:00)

- Drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë Lisa Magno do të flasë në hapjen e konferencës Vetë - Qeverisja Lokale në Kosovë - 20 Vjet. (Hoteli Swiss Diamond, ora ora 9:00)

- OJQ-Voice of Roma Ashkali and Egyptians - VoRAE organizojnë hapjen e ceremonisë të tri projekteve të financuara nga Roma Education Fund dhe Komisioni Evropian organizim ky i mbështetur nga Roma Versitas dhe Roma Education Fund, Kosovo së bashku me VoRAE. (Qendra Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë, ora 9:00)

- Instituti Demokratik të Kosovës organizon tryezën e diskutimit “Tejkalimi i sfidave të Kuvendit - nevoja për një Rregullore të re të punës”, në një diskutim të hapur me përfaqësues të partive politike parlamentare si dhe përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare. (Salla e konferencave Orion, ora 10:00)

- Në prag të 25 nëntorit, Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, dhe fillimit të fushatës 16 Ditët e Aktivizmit, Misioni i OSBE-së në Kosovë do t’i prezantojë rezultatet e Anketës mbi Mirëqenien dhe Sigurinë e Grave në Kosovë. (Hotel Swiss Diamond, ora 11:00)

- Iniciativa për Histori Gojore përmes projektit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, financuar nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe, do të lansojnë aplikacionin mobil 'Janjeva Ecë'. (Restoran 2000 në Janjevë, ora 11:00)

- Grupi për Studime Juridike dhe Politike organizon konferencën për media me temë “Vetingu: Mënyra e vetme për të siguruar pavarësinë e plotë të sistemit të drejtësisë në Kosovë”. (Qendra e Konferencave Orion, ora 11:00)

- Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, merr pjesë në konferencën “Nisja e sondazhit për mirëqenien dhe sigurinë e grave në  Kosovë”, e cila organizohet nga OSBE. (Hoteli “Swiss Diamond”, ora 11:00)

- Komuniteti Merakli t'kerreve organizon protestë kundër rritjes së cmimeve për sigurimin e veturave. (Rr. Luan Haradinaj, pran Bankes Qendrore të Kosovës, ora 13:00)

- Fondacioni Geoffrey Nice në bashkëpunim me “Qendrën për të Drejtat e Njeriut” të RIT Kosov organizon konferencën dy ditore me temë "Narrativat Kalimtare, Post-Kalimtare dhe Strategjike për Luftërat Jugosllave: nga Luftërat dhe Kërkimi i Drejtësisë tek Lojërat Gjeo-Politike të Fuqisë. {RIT Kosova - AUK në Rr. Dr. Shpetim Robaj, në Prishtinë, ora 13:00)

- Promovohet libri "Profili i Bjeshkëve të Nemuna’’ nga Profesor Sadri A Lokaj. (Salla e Asamblesë Komunale në Deçan, ora 14:00)

- Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan dhe Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, në mbështetje të Aktivitetit të USAID-it Drejtësia Vlen dhe në bashkëpunim me Odën e Avokatëve të Kosovës, organizojn diskutim në lidhje me “Klinikat Jurdike me raste reale”. (Salla A34 në Universitetin e Gjilanit, ora 14:00)

- Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, pret në takim njohës komandantin e ri të KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 15:00)

- Shoqata e Malazezëve të Kosovës organizon shfaqjen e leximit skenik të dramës “Flora”. (Qendra e zhvillimit Malazezeve në Arbëri ish Dragodan, rruga Eduard Lir 4, ora 19:00)