22 Janar 2020

Profili i lartë i korrupsionit vazhdon të amnistohet

Prishtinë, 10 dhjetor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), si pjesë e Koalicionit të Organizatave Jo-Qeveritare (OJQ) për Javën Kundër Korrupsion 2019, të martën, ka mbajtur tryezën e diskutimit: “Amnistia e korrupsionit të profilit të lartë - Sinjalizimet e padëgjuara të korrupsionit nga drejtësia”.

Në këtë tryezë u publikuan dy raporte: “Kosova (s)ka korrupsion të profilit të lartë” si raport për paprekshmërinë e profilit të lartë të korrupsionit dhe “Sinjalizimi dhe mbrojtja e sinjalizuesve” si analizë ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e tyre.

Hulumtuesja e IKD-së, Gzime Hashani, gjatë prezantimit të raportit për paprekshmërinë e profilit të lartë të korrupsionit tha se ende nuk ka asnjë aktgjykim të formës së prerë që është shqiptuar me burgim efektiv për vepra penale të korrupsionit ndaj profilit lartë dhe se Prokuroritë dhe Gjykatat ende vazhdojnë luftën kundër korrupsionit kryesisht tek korrupsioni i nivelit të ultë, dhe niveli i mesëm dhe rrallë herë kundër nivelit të lartë.

Sipas Hashanit, IKD ka vazhduar monitorimin dhe analizimin e profilit të lartë të kryerësve të veprave penale të korrupsionit në bazë të informatave të publikuara nga Prokurori i Shtetit në faqen zyrtare.

Prokurori i Shtetit gjatë kësaj periudhe ka publikuar njoftimet vetëm për ngritjen e 29 aktakuzave të ngritura ndaj 90 personave për vepra penale të korrupsionit. Sipas saj, këto njoftime në shumë raste nuk kanë pasur informacionin sa i përket vlerës së dëmit, ndërsa asnjëherë sa i përket kërkesave për sekuestrim apo konfiskim.

Tutja, hulumtuesja Hashani deklaroi se Prokuroria Speciale, njëjtë sikurse edhe në vitet e kaluara (2016, 2017, 2018) edhe në vitin 2019, ka vazhduar me trendin e ikjes në marrjen e përgjegjësive për trajtimin e rasteve të korrupsionit, pasi sipas saj, kjo Prokurori nga 1 janari 2019 e deri më 30 nëntor 2019 nuk ka ngritur asnjë aktakuzë ndaj profilit të lartë për vepra penale korruptive dhe se prokurorët në këtë prokurori nuk janë të profilizuar dhe specializuar në fusha të veçanta.

Hashani deklaroi edhe se politika ndëshkimore të rastet e korrupsionit ende mbetet sfidë për gjykatësit në të gjitha gjykatat e Kosovës, me arsyetimin se sistemi gjyqësor ende nuk është në gjendje të zbatoj politika ndëshkimore unike dhe në pajtim me frymën dhe qëllimin e vet Kodit Penal të Kosovës.

Ajo bëri të ditur se numri më i madh i dënimeve të shqiptuara nga gjykatat nja 1 janari e deri më 30 nëntor 2019 janë dënime me kusht dhe me gjobë, pasuar nga dënimet me burgim, mirëpo shtoi se viti 2019, në krahasim me vitet paraprake, për herë të parë ka shënuar ngritje të numrit të dënimeve me burgim efektiv të shqiptuara nga gjykatat e Kosovës, por jo ndaj profilit të lartë të korrupsionit.

Hashani gjithashtu theksoi edhe mos-luftimin e korrupsionit nga Gjykata e Apelit dhe konstatimin nga Gjykata Supreme lidhur me shkeljet që ishin gjetur gjatë gjykimit nga gjykatat e instancave më të ulta në favor të të akuzuarve për vepra korruptive.

Hulumtuesi i IKD-së, Gzim Shala, gjatë prezantimit të analizës ligjore për sinjalizuesit dhe mbrojtjen e sinjalizuesve, tha se me hyrjen në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (LMS) Kosova ka ndërtuar një sistem të raportimit, apo sinjalizimit të shkeljeve në institucionet publike apo private, ku ka përcaktuar fushat për të cilat mund të sinjalizohet, institucionet apo adresat se ku duhet të drejtohet një sinjalizues, procedurat për sinjalizim, mbrojtjen dhe të drejtat e sinjalizuesve, madje edhe të personave të tjerë, të lidhur me sinjalizuesin, mbrojtjen gjyqësore të sinjalizuesve, dispozitat kundërvajtëse e deri tek raportimi vjetor.

Shala tha se sipas këtij ligji, secili sinjalizues ka në dispozicion tri lloje të sinjalizimit: të brendshëm (tek punëdhënësi), të jashtëm (tek autoriteti kompetent) dhe publik (Media, OJQ, internet etj.) dhe se për të sinjalizuar, sipas LMS-së kërkohet vetëm “dyshimi i arsyeshëm”, i cili term nuk është i njëjtë me “provën”, term juridik që nënkupton fakte që shkojnë përtej dyshimit se diçka ka ndodhur.

Tutje, sipas Shalës, Ministria e Drejtësisë nuk ka përmbushur obligimin ligjor për hartimin e rregullores e cila përcakton procedurën për pranimin dhe trajtimin e rasteve të sinjalizimit dhe se që nga hyrja në fuqi e LMS-së, Agjencia Kundër Korrupsionit nuk ka pasur asnjë rast të sinjalizimit si organ tek i cili bëhet sinjalizimi i jashtëm, derisa që nga ajo kohë, as në publik nuk ka pasur asnjë sinjalizim publik.

Shala gjithashtu përmendi rastin konkret të sinjalizimit në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), për të cilin rast tha sinjalizuesi, aso kohe informatori Qerim Bytyqi ishte përballur me presione të ndryshme për shkak të sinjalizimit të tij. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 janar 2020 - Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës organizon diten e dytë të takimit rajonal për Ndryshime Klimatike dhe Integrime Evropiane “Zhvillimi i një propozim projekti për ngritjen e kapaciteteve në sektorin e Mjedisit, Integrimeve Evropian dhe Ndryshimeve Klimatike”. (Hotel Sirius, ora 9:30)

- Me rastin e 22 vjetorit të sulmit të dytë të forcave serbe mbi familjen Jashari, Komuna e Skenderajt në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së,  do të organizojnë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, në shenjë kujtimi e nderimi të luftës së shenjtë çlirimtare të familjes Jashari. (Prekaz, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës. (Sallën e Mediave të Komunën se Mitrovicës, ora 10:00)

- Klubi i Prodhuesve organizon tryezën e diskutimit për diskutimin e efekteve të tarifës 100% në ekonominë  e vendit një vit pas vendosjes së kësaj takse. (Orion Conference Centre, ora 10:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Vushtrrisë. (Qendr Rinore në Vushtrri, ora 11:00)

- Kryetari Shpend Ahmeti do të nënshkruajë Marrëveshjen e Mirëkuptimit me USAID për zbatimin e Programit per trajtimin e ndertimeve pa leje. (Komuna e Prishtinës, ora 11:00)

- Mbahet mbledhja e Qeverisë së Kosovës në detyrë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 13:00)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti, do të bëjë shpërndarjen e librave për nxënësit fitues të nivelit komunal të garës nacionale në Dituri dhe Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik në komunën e Kaçanikut. (Shtëpia e Kulturës "Xheladin Kurtaj" në Kaçanik, ora 14:00)

- Mbahet Festivali i Dramës Origjinale Shqipe “Talia e Flakës 2020”, ku do të marrin pjesë teatrot me shfaqjet më të mira dhe dramat e tyre origjinale shqipe nga Kosova. (Teatri i Qytetit të Gjilanit, ora 19:00)