24 Prill 2024

Procesi i noterëve të jetë në linjë me standardet Unionit Ndërkombëtar të Noterëve

Prishtinë, 7 shkurt - Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt me të cilin ka diskutuar për prioritetet afatshkurtra dhe afatgjate të Ministrisë së Drejtësisë.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Haxhiu falënderoi Ambasadorin z. Heldt për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit gjerman, ndërsa potencoi se prioritet i saj është vetingu në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, proces i cili do të bëhet së bashku me ekspertë të fushës në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Kosovës, shoqërinë civile dhe partnerët zhvillimor siç është Gjermania.

Një prioritet tjetër, Ministrja Haxhiu tha se është edhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se do të ketë Projektligj për Pasurinë e Pajustifikueshme dhe ri-procedim të ligjeve që e adresojnë këtë fushë.

Gjatë këtij takimi, Ministrja Haxhiu deklaroi se një çështje po ashtu me shumë prioritet do të jetë edhe adresimi i krimeve të luftës, me ç’ rast fokus i veçantë do t’i jepet ngritjes së kapaciteteve në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të adresuar këtë çështje.

Ministrja Haxhiu ndër tjerash përmendi se gjatë mandatit të saj do të procedojë me hartimin e Strategjisë Sektoriale të Sektorit të Drejtësisë që buron nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit, ndërkohë pas miratimit të kësaj strategjie, Ministria e Drejtësisë do të fokusohet në Hartimin e një Plani Zhvillimor katër vjeçar të ministrisë.

Në anën tjetër, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, pasi shprehu urimet për detyrën e re të Ministres Haxhiu, tha se sundimit i rendit dhe ligjit ku përfshihet Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme janë fushat kryesore të fokusit të Gjermanisë sa i për ketë fushës së  sundimit të ligjit në Kosovë.

Ambasadori z. Heldt potencoi nevojën e vazhdimësisë institucionale me theks të veçantë në zbatimin e legjislacionit pa përjashtuar ndryshimet që mund të jenë të nevojshme.

Në këtë takim, Ambasadori z. Heldt i dorëzoi Ministres Haxhiu një letër nga Unioni Ndërkombëtar i Noterëve dhe nga Oda Federale Gjermane e Noterisë.

Me këtë rast, Ambasadori z. Heldt, ri-shprehu shqetësimin  e tij të paraqitur në fund të vitit të kaluar në lidhje me këtë proces teksa potencoi edhe nevojën për noterë të ri.

Ambasadori z. Heldt kërkoi nga Ministrja Haxhiu që procesi i noterëve të jetë në linjë me standardet e paraqitura në letrën  Unionit Ndërkombëtar të Noterëve dhe të Odës Federale Gjermane të Noterisë.

Ministrja Haxhiu, falënderoi ambasadorin z. Heldt për bashkëpunimin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Qeverisë Gjermane, si dhe për ri konfirmimin e vazhdimit të këtij bashkëpunimi në fushën e sundimit të ligjit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)