18 Shtator 2019

Prishtina, ndër 6 kryeqytetet më transparente në Evropë

Prishtinë, 20 gusht - Dega e Transparency International në Sllovaki, sot publikoi rezultatet e matjes së transparencës për 26 kryeqytetet evropiane.

Ky studim hulumton dhe krahason qasjen e qytetarëve të këtyre qendrave evropiane në informacione publike.

Në mënyrë të veçantë analizon se cilat informacione, qeveritë e këtyre kryeqyteteve i bëjnë të disponueshme për qytetarët, si i marrin vendimet, si i shpenzojnë paratë e taksapaguesve dhe cilat rregulla kanë në dispozicion për të parandaluar sjelljet korruptive.

Matja është realizuar në dhjetor të vitit 2018 dhe është e bazuar në gjithsej 14 indikatorë. Rezultatet e matjeve e radhisin Prishtinën në kategorinë e kryeqyteteve që kanë përmbushur së paku 75% të pikëve maksimale,

Gjetjet tregojnë që ueb faqet e kryeqyteteve Vilnius dhe Pragë ofrojnë qasje shume të lehtë në informatat lidhur me prokurimin publik. Ndonëse nëntë kryeqytete publikojnë kontratat e prokurimit në ueb faqet e tyre, asnjë nga këto kontrata nuk janë të publikuara në format të qasshëm për shfrytëzim nga qytetarët.

Prishtina dhe Oslo tregojnë praktika të mira të publikimit të buxhetit dhe raporteve të shpenzimeve në format të redaktueshëm (format i të dhënave të hapura). Ndërsa Stokholmi përbën shembullin më të mirë të prezantimit të planifikimeve dhe shpenzimeve buxhetore dhe atë krejtësisht në mënyrë të lehtë dhe të kuptueshme, me infografika e artikuj.

Përderisa nëntë kryeqytete kishin kthyer përgjigje në kërkesën për qasje në dokumente publike, 15 nuk ishin përgjigjur fare, ndërsa dy kishin kthyer përgjigje të pjesshme.

Tallinn publikon kontaktet e plota të asambleistëve komunal dhe i lidh ato me informacione të tjera që mund të jenë të dobishme për qytetarët. Megjithatë, Londra ka shkuar edhe më tej dhe ka përgatitur një mënyrë pothuajse të përsosur të prezantimit të të zgjedhurve para publikut. Në një ueb faqe moderne mund të gjenden kontakt informatat për secilin anëtar të këshillit të qytetit, të ardhurat e tyre vjetore, transkriptet e mbledhjeve dhe lista e dhuratave të marra - p.sh. një darkë e paguar, një shishe verë ose bileta tenisi.

Një shembull i praktikave transparente të punës është qyteti i Berlinit, i cili publikon paraprakisht të gjitha mbledhjet e punës, kalendarin e punës dhe takimeve të kryetarit të komunës për tërë javën.

Përderisa vetëm pesë kryeqytete publikojnë deklarimet e pasurisë së anëtarëve të asamblesë komunale në ueb faqe (ku në mesin e tyre është edhe Prishtina), këshilli i qytetit të Madridit publikon edhe CV-të e anëtarëve të asamblesë, të dhëna për kualifikimin akademik të tyre, nivelin e  zotërimit të gjuhëve të huaja, një përmbledhje të karrierës së tyre të mëparshme, dhe deklaratën e pasurisë - përfshirë të dhënat nga raportet e tatimeve.

Ky hulumtim gjithashtu tregon se 22 nga 26 kryeqytetet kanë të  publikuara procesverbalet e seancave. Në këtë matje, në krye të listës është Amsterdam me një sistem arkivi të qartë dhe miqësor. Ndërsa, sa i përket publikimit të shënimeve individuale të votimit, vetëm 11 kryeqytete e bëjnë atë. Prishtina nuk është në mesin e tyre.

Një shqetësim është ngritur lidhur me regjistrin e lobimit, ku vetëm një (Madrid) nga 26 kryeqytetet e matura e publikon atë. Ky hulumtim ka gjetur se shumë shtete, e në mesin e tyre edhe Kosova, nuk kanë ligje për rregullimin e lobimit.

Kodi i Sjelljes së Prishtinës është botuar në një mënyrë më të përmbledhur në tre gjuhë (shqip, serbisht dhe anglisht). Përderisa vetëm 12 nga 26 kryeqytetet e matura kanë kthyer përgjigje pozitive në kërkesën për qasje në të dhënat lidhur me pagat e kryetarit dhe asamblistëve.

Diana Metushi-Krasniqi, menaxhere e projekteve në KDI, tha se konkluzionet e përgjithshme flasin që kryeqytetet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian u ofrojnë qytetarëve më shumë qasje në informacion sesa kryeqytetet e vendeve jo anëtare. Më tutje, aso shtoi se “Vendet e Evropës Lindore i japin më shumë rëndësi transparencës se sa vendet me demokraci të konsoliduar dhe po tentojnë t’a adresojnë korrupsionin e thellë përmes politikave pro-transparente. Prishtina, Praga dhe Vilniusi janë shembuj të kësaj.”

KDI fton qeverisjen e kryeqytetit të Prishtinës të përqafojë dhe zbatojë praktikat transparente të suksesshme nga kryeqytetet tjera evropiane në mënyrë që të garantojë një informim cilësor dhe të lehtë të qytetarëve të saj. Transparenca si një parim i qeverisjes së mirë është shumë e rëndësishme, dhe duhet të shërbejë si bazë për llogaridhënie të mirëfilltë të të zgjedhurve ndaj qytetarëve.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 shtator 2019

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Xhaminë e Çarshisë në Prishtinë. (Xhamia e Çarshisë në Prishtinë, ora 9:10)

- Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, do të vizitojë Komunën e Kaçanikut ku do të takoj kryetarin e kësaj komune, Besim Ilazin, për të diskutuar rreth përgaditjes së Garës Nacionale të Sportit. (Objekti i komunës, ora 9:30)

- Specialistët stomatologë të papunë do të protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë. (Para Ministrisë së Shëndetësisë, ora 10:00)

- Instituti Demokratik i Kosovës organizon tryezën e diskutimit ndërmjet qytetarëve dhe kandidatëve për deputetë nga subjektet politike lidhur me temën “Qasja e subjekteve politike rreth çështjes së gjinekologut në nivel komunal”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Kalanë e Artanës. (Kalaja e Artanës, ora 10:30)

- Ministri në detyrë i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shala, mbanë konferencë për media, ku do të lansojë Fondin për Mbështetjen e Ndërmarrjeve Mikro të Vogla dhe të Mesme në vlerë prej 4 milionë euro. (ndërtesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme, kati i 3-të,  përballë New Born-it, ora 10:30)

- Oda e Afarzimit të Kosovës në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë në Tiranë dhe Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore organizojnë ngjarjen “Regional B2B Event”. (Holiday Inn në Shkup, 11:00)

- Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mirëpret fituesit e medaljeve të Taekwandos. (Kabineti i Ministrit në MKRS, ora 11:00)

- Lëvizja FOL organizon diskutimin e tretë në kuadër të Forumit FOL Hapur me kandidatët për Kryeministër ku i ftuari i radhës do të jetë Nenad Rašić, Kandidat për Kryeministër nga koalicioni Slloboda. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 11:00)

- Kryetari i Komunës së Gjianit, Lutfi Haziri, nënshkruan kontratat me tetë përfituesit e nën-granteve, në kuadër të projektit "Te rinjtë në Agrobiznes- Regjioni Ekonomik Lindje". (Zyra e Kryetarit Haziri, ora 11:00)

- Punëtorët teknik te qendrës studentore do të protestojnë para drejtorisë së qendrës studentore. (Para drejtorisë së qendrës studentore, ora 11:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Ulpianën. (Ulpianë, ora 11:40)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon promovimi i shtegut për çiklistë, si fazë testuese. (Rruga Zagrebi në Prishtinë, ora 12:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti viziton Janjevën. (Janjevë, ora 12:20)

- Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me Zyren e Bashkimint Evropian në Kosovë organizon tryezë diskutimi “Ecja, çiklizmi dhe transporti urban”. (Kolegji Tempulli, rr. Eduard Lir 156, ora 14:00)

- Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur bën promovimin e publikimeve dhe organizon panel diskutimin “ Njohja e Kosovës bashkëkohore”. (Swiss Diamond Hotel, ora 14:00)

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Ndërtesa e KQZ-së, ora 15:30)

- Iniciativa për Histori Gojore organizon lansimin e aplikacionit mobil Prishtina Ecë. (Kafe—librarinë dit’ e nat’, ora 17:00)

- Kandidati i PDK-së për Kryeministër të ardhshëm të Kosovës, Kadri Veseli, merr pjesë në takimin e organizuar nga Gruaja Demokratike. (Hotel Venus, Magjistralja Prishtinë-Lipjan, ora 17:00)

- Lëvizja Vetëvendosje! shpalos prioritetet qeverisëse. (Atelja e Sallës së Kuqe, ora 17:00)

- Federata e Piingpongut e Kosoves, organizon ndeshjet e ligës së parë, e ndeshja derbi pritet të jetë ajo ndërmjet Shkollës dhe Hasan Prishtinës. (Prishtinë, ora 18:00)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banorë të fshatit Rufc. (Rufc, ora 19:30)

- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti mban tubim më banor në fshatin Gadime. (Gadime, ora 21:00)