28 Mars 2024

Prishtina dhe Beogradi, në “maratonë” të re diplomatike

Prishtinë, 26 korrik - Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka paralajmëruar se do të dërgojë në 121 shtete të botës kërkesa për njohje zyrtare të pavarësisë së Kosovës, transmeton agjencia amerikane e lajmeve, AP.

“Mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë ka krijuar një kontekst krejtësisht të ri dhe, në përputhje me këtë, unë tashmë e kam nisur fushatën e re për të kontaktuar vendet që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, deklaroi shefi i diplomacisë kosovare për AP.
 
Hyseni paralajmëroi se këtë fundjavë do të qëndrojë në SHBA, ku do të ketë rreth 60 takime me përfaqësues të shumë vendeve, në përpjekje për të shtuar numrin e njohjeve para debatit në Asamblenë e Përgjithshme të KB-ve që mbahet në shtator.

Agjencia kujton se pavarësinë e Kosovës, deri më tani, e kanë njohur 69 shtete.

Serbia nis dërgatën e re, në kërkim “të mosnjohjeve” të Kosovës

Pas paralajmërimit të Presidentit Boris Tadiç, se Serbia ka plan të qartë të aktivitetit diplomatik, të dërguarit specialë do t’ua shpërndajnë letrën e Presidentit serb përfaqësuesve të 55 shteteve në mbarë botën, njoftoi dje RTS.

Presidenti i Serbisë, pas shpalljes së mendimit këshillëdhënës të GJND-së mbi shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, tha se shumë vende do të jenë nën presion të njohin pavarësinë e Kosovës para se të shqyrtohet në Asamblenë e Përgjithshme të KB, por Serbia do të bëjë të gjitha përpjekjet që njohje të tilla të ketë sa më pak dhe që në vjeshtë, në Nju Jork, të miratohet rezoluta e Serbisë.

Qeveria e Serbisë ka paralajmëruar se do të vazhdojë luftën diplomatike për Kosovën para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ka dhënë përgjigje në pyetjen thelbësore që ka të bëjë me shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës.

Të dërguarit specialë të Serbisë do të mësyjnë 55 vende në gjithë botën, me letrën e Presidentit Tadiç, që do t’ua dorëzojnë përfaqësuesve të shteteve në të cilat udhëtojnë.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka miratuar mendimin këshillëdhënës, sipas të cilit shqiptarët e Kosovës nuk e kanë shkelur të drejtën ndërkombëtare me Deklaratën e Pavarësisë, e as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB, sikundër as rendin juridik të vendosur me atë rezolutës në Kosovë.

Për mendimin këshillëdhënës kanë votuar dhjetë gjyqtarë të GJND-së, ku katër kanë qenë kundër.

Gjyqi nuk ka dashur të merret me pasojat politike të vendimit që ka marrë, duke ia përcjellë atë institucionit që ia ka kërkuar mendimin – Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)