08 Mars 2021

Prezantohet Projekt Strategjia për Sundimin e Ligjit

Prishtinë, 18 janar - Ministri në detyrë, Selim Selimi, së bashku me kryesuesin e  KGjK-së, Skender Çoçaj dhe kryesuesin e KPK-së, Bahri Hyseni, sot kanë prezantuar Projekt-Strategjinë për Sundimin e Ligjit, që buron nga procesi i Rishikimit Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit.

Me këtë rast, ministri në detyrë Selimi tha se Projekt- Strategjia, përmban katër objektiva strategjike.

“Sot kemi përpiluar planin pesë vjeçar të ndryshimit pozitiv në sistemin e drejtësisë, pra kemi finalizuar Strategjinë që del nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit. Kjo Strategjia përmban katër objektiva: fuqizimi i gjyqësorit dhe prokurorisë, fuqizimi i drejtësisë penale, fuqizimi i qasjes në drejtësi, dhe fuqizimi i luftës anti-korrupsion”, tha Selimi.

Sipas tij, përmes kësaj Strategjie shpalosen hapat që duhet të ndërmarrin institucionet për të vendosur sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Kjo Strategji sipas Selimit, është nisma më serioze që Kosova e ka ndërmarrë drejtë avancimit të sundimit të ligjit, dhe për këtë proces falënderoi bashkëpunëtorët nga Ambasada Amerikane, Ambasada Britanike, UNDP,USAID, Unioni Evropian si dhe përfaqësuesit kyç të institucioneve të drejtësisë në vend.

Ndërsa kryesuesi i KGjK-së, Skender Çoçaj tha se ky proces arrin të adresoj një numër të konsiderueshëm të çështjeve që ballafaqohet sistemi gjyqësor në Kosovë.

“Për ne është shumë e rëndësishme që kjo strategji, t’i përfshijë objektivat afatmesme dhe afatgjate për sistemin gjyqësor si dhe për tërë sistemin e drejtësisë”, tha Çoçaj.

Edhe kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni e vlerësoi lartë punën për finalizimin e  Projekt Strategjisë dhe njëkohësisht falënderoi ministrin në detyrë z. Selimi për bashkëpunim dhe angazhim në këtë proces.

“Ministër keni bërë një punë jashtëzakonisht të mirë me stafin tuaj sepse po i ofroni Kosovës, sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi institucioneve të sundimit të rendit dhe ligjit, një dokument i cili do të jetë një bazament i fuqishëm për të ndryshuar, plotësuar dhe avancuar shtetin ligjor”, tha  Hyseni.

Donikë Qerimi, e cila është eksperte e jashtme ligjore tha se kjo Strategji është produkt i një procesi të gjatë dhe të detajuar që është zhvilluar në tri faza.

“ Në fazën e parë u bënë disa analiza paraprake të cilat identifikuan çështjet kryesore të cilat duhej të analizoheshin më tej. Më pas, në fazën e dytë, u analizuan këto probleme në katër kapituj dhe u prodhuan gjithsej 16 dokumente të politikave, me ekspertizë të jashtme e vendore që u mundësua nga partnerët tanë”, tregoi Qerimi.

Projekt Strategjia për Sundimin e Ligjit, do të dal në konsultime publike në platformë online, ku të gjithë palët e interesuara kanë të drejtë të shprehin komentet e tyre.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 Mars 2021

- Mbahet seanca gjyqësore kundër të pandehurit I.L. për vepren penale 'Keqpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet'. (Gjykata Themelore në Ferizaj, ora 9:30)

- Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti merr pjesë në aktivitetin “Shënimi i 8 Marsit- Dita Ndërkombëtare e Gruas”, me ç’rast do të bëhet edhe nënshkrimi i marrëveshjeve me përfitueset e bizneseve të vogla të Grave nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike  2021 – Masa 4, Faza e dytë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 9:45)

- Qendra për Informim, Kritikë dhe Aksion organizon aksion simbolik për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas. (Sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë, ora 10:00)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore të rajonit të Mitrovicës që kanë kontribuar në luftën kundër pandemisë COVID-19. (Spitali i Përgjithshëm Mitrovicë, ora 10:00)

- Lëvizja FOL organizon konferencë për media me ç’rast do të bëhet publikimi i raportit “Pasuria e (pa)ndarë - Posedimi i pasurisë nga zyrtaret politike dhe bashkëshortet e zyrtarëve politik”. (Zyrat e Lëvizjes FOL, ora 10:30)

- Sindikata e Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës do të protestojë para ndërtesës së Qeverisë. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 11:00)  

- Universiteti ''Kadri Zeka'' do të shënojë 8 vjetorin e themelimit! (Ambientet e Universitetit në Gjilan, ora 11:00)

- Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas mbahet marshi “Marshojmë s’festojmë kundër patriarkatit që vret”,  (Nisja nga sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 12:00)  

- Shoqata e Gastronomëve organizon marsh protestues në të cilin do të kërkojnë hapje totale për bizneset. (Sheshi “Zahir Pajaziti”, ora 14:00)

 

- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mban mbledhjen e radhës. (Selia e KQZ-se, ora 14:00)

 

- Grupi I çiklizmit “Marakli t’Biciklave” për nder të ditës së gruas - 8 MARSI organizon eventin e radhës Marsho dhe çiklo që do të mbahet nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit të Kosovës - Prishtinë. (Sheshi ''Zahir Pajaziti'' në Prishtinë, ora 14:00)

- OJQ “ETEA” dhe biblioteka “Hivzi Sulejmani” organizojnë bashkëbisedim me temën “Mësuesia ndër vite”. (Biblioteka “Hivzi Sulejmani” në lagjen Dardania, ora 16:00)

- Qendra e Artit dhe Komunitetit organizon mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi - çdo ditë është 8 mars”. (Teatrin Kombëtar në Prishtinë, ora 19:00)