28 Mars 2024

Prezantohet angazhimi i institucioneve në ndërtimin e paqes dhe integrimin etnik

Prishtinë, 23 maj - Qendra për Trajnime dhe Studime Gjinore ka kënaqësinë t’ju ftoj juve në konferencën ”Duke shtruar rrugën për ndërtimin e paqes dhe integrimin evropian” - kontributi i shoqërisë civile në paqen dhe harmonia ndëretnike, me fokus në dialogun midis komunitetit shqiptar dhe serb në Kosovë.

Objektiv i kësaj konference është të prezantojë angazhimin e autoriteteve të Kosovës në ndërtimin e paqes dhe integrimin etnik.

Po ashtu objektiv i kësaj konference janë edhe sfidat dhe historitë e suksesit të ndërtimit të paqes, aksionet në themelimin e një harmonie të qëndrueshme ndëretnike nga perspektiva e OJQ-ve; dhe perspektiva lokale përmes rrëfimeve jetësore lidhur me efektet e implementimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Ndërtimi i paqes ka të bëjë me rikthimin e besimit dhe të konfidencës së njerëzve në sistemet e qeverisjes dhe në sundimin e ligjit si dhe në sigurimin e më shumë shprese në të ardhmen tek komuniteti shqiptar dhe serb në Kosovë.

Kosova ka qenë e ndërgjegjshme se ndërtimi i paqes nuk është një proces i lehtë, kur kihet parasysh lufta dhe gjenocidi  në epokën e fundit.

Por, derisa historia nuk mund të harrohet, ajo nuk duhet të jetë një pengesë në ndërtimi e së ardhmes evropiane të Kosovës. Kjo është në interesin e shtetit, të qytetarëve dhe të komuniteteve të vendit tonë si dhe në interesin e paqes dhe të stabilitetit në rajon.  

Vendosja e një paqeje afatgjate, bërja e kësaj të mundshme përmes bashkëpunimit midis këtyre grupeve ndëretnike si dhe eliminimi i shkaqeve të konflikteve janë objektiva parësor.

Përmes adresimit të arsyeve ose të shkaqeve të konfliktit, synohet ndërtimi i paqes në Mitrovicën Veriore si dhe transformimi i shoqërisë në një paqe të qëndrueshme.

Lidhur me këtë pjesë të Kosovës, kur është fjala për ndërtimin e paqes, shuma sfida janë shfaqur përgjatë proceseve të ruajtjes së paqes, të krijimit të paqes dhe të ndërtimit të paqes.

Në këtë rrugëtim të gjatë, ka pasur shumë suksese dhe dështime të faktorëve të ndryshëm në Kosovë.

Mbi të gjitha, puna e Qendrës për Trajnime dhe Studime Gjinore e synon ndërtimin e shumë fushave të domosdoshme për ekzistencën dhe funksionimin e shoqërisë si të tillë: siguria njerëzore, qeverisja demokratike, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, qasja e barabartë ndaj burimeve etj.

Këto procese, që të gjitha, janë tejet të rëndësishme në konsolidimin e paqes dhe të sigurisë në situatat e brishta post-konfliktuale. Roli i shoqërisë civile është fundamental në arritjen e rezultateve dhe në mirëmbajtjen e tyre bazuar në kultivimin e besimit dhe të respektit për njëri-tjetrin.

Në perspektivën evropiane të integrimit, Dialogu i Brukselit ka ardhur si një obligim ndërkombëtar për të dyja vendet, Kosovën dhe Serbinë, si vende që e aspirojnë integrimin në BE dhe që paraprakisht duhet të krijojnë marrëdhënie fqinjësore si kusht themelor për integrimin evropian.

Vlerat dhe standardet evropiane kanë vendosur një themel të fortë për konsolidimin e sistemeve të qeverisjes dhe sundimin e ligjit, rindërtimin e marrëdhënieve në të gjitha nivelet ndëretnike.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)