24 Nëntor 2020

Prezantohen 5 gjërat që Qeveria duhet t’i ketë parasysh në dialogun Kosovë-Serbi

Prishtinë, 22 shkurt - Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur konferencën për media në të cilën ka prezantuar punimin me titull “Pesë gjërat që Qeveria e re e Republikës së Kosovës duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut Kosovë - Serbi”.

Presioni për rifillim të Dialogut pritet të rritet ndjeshëm, sidomos pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi të parapara të mbahen në fund të muajit prill.

Në të njëjtën kohë, rifillimi i tij është përgjegjësi e pashmangshme e të gjitha palëve të përfshira.

Qeveria e re duhet të vendosë bashkëpunim të gjerë politik të brendshëm dhe të thellojë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtar, ashtuqë përfaqësimi i Republikës së Kosovës në Dialog tash e tutje të jetë serioz, i mirëpërgatitur dhe njëzëri.

Në këtë drejtim, GLPS në këtë shënim politikash identifikon dhe rendit pesë gjëra kryesore të cilat Qeveria e re duhet t’i ketë parasysh në qasjen e saj ndaj Dialogut dhe trajtimit të tij.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese mbi jokushtetueshmërinë e Ligjit për Dialogun Kosovë Serbi i kishte dhënë Qeverisë dhe Kryeministrit autoritetin dhe përgjegjësinë për të udhëhequr dhe përfaqësuar Kosovën në raundet e ardhshme të Dialogut.

Tashmë është përgjegjësi kushtetuese e Qeverisë së re dhe Kryeministrit të saj që të prodhojnë një pajtueshmëri të gjerë politike në mes të gjitha grupeve parlamentare e cila unifikon pozicionet negociuese të Kosovës në raport me Serbinë.

Mbi këtë bazë, në shënimin e politikave të publikuar sot, GLPS rendit pesë gjërat kryesore që Qeveria e ardhshme duhet t’i ketë parasysh sa i përket dialogut Kosovë-Serbi (sëkëndejmi “Dialogu”).

1. Dialogu është përgjegjësi shtetërore përpos se kërkesë ndërkombëtare. Normalizimi i plotë i marrëdhënieve Kosovë-Serbi nëpërmjet njohjes juridike të parezervë dhe vendosjes së marrëdhenieve diplomatike mes dy vendeve është qëllim final i instituticoneve të Republikës së Kosovës për kompletimin e shtetësisë së saj. Veprimtaria e çdo qeverie dhe çdo përfaqësuesi të lartë politik duhet t’i shërbejë këtij qëllimi, ashtuqë Kosova nesër të jetë shtet i “barabartë në mes shtetesh sovrane”.

Në rradhë të dytë, kërkesa ndërkombëtare për përfundimin e Dialogut buron nga stabiliteti politik që një marrëveshje finale do t’i ofronte rajonit. Stabiliteti rajonal, qartazi, është në interes të të gjitha shteteve Perëndimore. Ngulmimi për një përshpejtim të Dialogut nga ana e tyre duhet të kuptohet veçanërisht nëpërmjet këtij këndvështrimi.

2. Pajtueshmëria e gjerë politike mbi çështje të Dialogut është kriter i patejkalueshëm. Pavarësisht fuqisë së Qeverisë së re në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ajo duhet të insistojë në bashkëpunim ndërpartiak duke ofruar infrastrukturën e duhur për përfshirje përmbajtësore të opozitës parlamentare në procesin e Dialogut.

Temat dhe zhvillimet përgjatë gjithë procesit të dialogut të kenë mbështetjen e të paktën shumicës së kualifikuar në Kuvend (2/3 e deputetëve). Prandaj, Qeveria duhet ta merr parasysh nevojën për krijimin e një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlamentare. Vëmendje e veçantë të ju kushtohet pjesëmarrjes së partive opozitare.  Ky grup të jetë jo formal për nga karakteri, dhe për qëllim të ketë krijimin e pajtueshmërisë së gjerë nëpërmejt diskutimit gjithëpërfshirës.

3. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me shtetësinë e Kosovës, jo ta cenojë atë. Qeveria duhet të sigurohet që përmbajtja e Marrëveshjes është në përputhje me modelin e shtetësisë mbi të cilin Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Rrjedhimisht, territori i Republikës së Kosovës dhe monoetnizimi i institucioneve mbi çfarëdo baze nuk duhet të jetë subjekt/objekt i negociimit në Dialog. Këto dy çështje duhet të përbëjnë bazën e vijave të kuqe në Dialog.

Qeveria duhet të bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të dalë nga pozicioni defansiv negociues aktual, sipas së cilit Kosova detyrohet të zgjedh mes të kqijave. Për të  arritur një gjë të tillë Qeveria e re duhet të afirmojë një qasje të re në Dialog e cila udhëhiqet nga tri parime; sekuencializmi, reciprociteti në Dialog dhe mirëbesimi.

4. Pozita e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, është në nivelin më të ulët që pas pavarësisë. Diskutimi i hapur mbi mundësinë e ripërcaktimit të kufinjëve Kosovë-Serbi dhe performanca e dobët diplomatike e institucioneve përgjegjëse ka dobësuar ndjeshëm pozitën e Kosovës në rrafshin ndërkombëtar.

Kjo situatë ka prodhuar fenomenin e tërheqjes së njohjeve, me të cilin Qeveria e kaluar është ballafaquar në mënyrë të pasuksesshme dhe joserioze. Qeveria e re duhet me urgjencë ta trajtojë këtë çështje sepse çdo tërheqje e njohjeve është sulm i drejtpërdrejtë ndaj identitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe e dobëson pozitën e saj në rrafshin ndërkombëtar.

Në të njëjtën kohë, një situatë e tillë faktorizon edhe më shumë rolin e Serbisë në konsolidimin përfundimtar të shtetësisë së Kosovës dhe rrjedhimisht fuqinë e saj negoicuese në Dialog. Prandaj, një nga prioritetet e Qeverisë së re duhet patjetër të jetë rishikimi i strategjisë për politikën e jashtme, riformatizimi i përbërjes së personelit/përfaqësuesëve të lartë diplomatik dhe intensifikimi i aktiviteteve lobuese.

5. Dialogu nuk po trajtohet më si përgjegjësi rajonale e Bashkimit Evropian, por si nevojë për angazhim ndërkombëtar. Që nga Samiti i Berlinit, të prillit 2019, formati i Dialogut iu është nënshtruar ridizajnimit.

Përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si pjesë formale e Dialogut, pritjet e bazuara se Bashkimi Evropian do të emërojë një të përfaqësues të posaçëm për Dialogun, dhe në anën tjetër mundësia që Rusia mund të përfshihet gjithashtu, mbështesin supozimin se formati i ri i dialogut parasheh një përfshirje më të gjerë ndërkombëtare në krahasim me formatin e deritanishëm të udhëhequr nga Brukseli zyrtar.

Qeveria e re duhet ta ketë parasysh se përfshirja e një numri sa më të madh të akterëve ndërkombëtar në procesin e Dialogut mund të jetë barrë për Kosovën. Ndonëse një përfshirje e gjerë ndërkombëtare i jep shtyesë shtesë Dialogut, ajo po ashtu do të rezultojë në presion të shtuar mbi Kosovën sa i përket numrit dhe natyrës së kompromiseve të nevojshme për një Marrëveshje.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 24 Nëntor 2020

- Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes shqyrton të gjeturat e raportit për vendin të Komisionit Evropian për vitin 2020 në fushën e sigurisë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 10:00)

- Mbahet mbledhja e katërt e Komitetit për Komunitete në komunën e Rahovecit. (Salla e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Rahovecit, ora 10:00)

- Mbahet takimi i 190-të i Këshillit Prokurorial. (Nëpërmjet video konferencës, ora 10:00)  

- Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me organizatën jo qeveritare “Ta Pastrojmë Kosovën”, do të lansojnë “T’i japim vendit ngjyra”.  (Këndi Olimpik, në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ora 10:30)


- Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrton raportonin e auditimit për Pasqyrat Vjetore Financiare të vitit 2019, për Kompaninë Regjionale të Ujitjes Drini i Bardhë. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N303, ora 11:00)

- Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, nënshkruajnë Memorandum të Bashkëpunimit për Atashetë Kulturorë. (Objekti i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 11:00)

- Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, shqyrton Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjareve të tyre. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 11:00)    

- Komiteti Olimpik i Kosovës organizon pritje për ekspeditën e xhudos, pas suksesit të arritur në kampionatin evropian të xhudos, të mbajtur javën e kaluar në Pragë të Republikës së Çekisë, ku Distria Krasniqi dhe Loriana Kuka u stolisën me medalje të bronztë. (Zyret e KOK-ut, ora 11:45)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret në takim ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj. (Zyra e Kryetarit, ora 12:45 )

- Lëvizja Vetëvendosje mban konferencë për medie. (Zyret e LV-së në Arbëri, ora 13:00)

- Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike, shqyrton Raportin e Panelit për zgjedhjen e “Kryesuesit të Komisionit Shqyrtues të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 13:00)

- Komisioni për Bujqësi, Pylltari, zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, shqyrton rekomandimet nga BE-ja të planit për mbikëqyrjen e procesit integrues 2020-2021. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ors  13:00)

 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj vizitojnë  Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan. (Gjilan, ora 13:45)

- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës. (Platforma ZOOM 5.0, ora 14:00)

- Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj mbajn Konferencë për media. (Qendra Rajonale e Shëndetit Publik në Gjilan, ora 14:30)

 

- Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, Sevil Kazaz Limani, do bëjnë lansimin e projektit “Ndriçimi i Urës së Gurit”. (Pranë Urës së Gurit në Prizren, ora 18:00)