18 Prill 2024

Presidentja Osmani vizitoi komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit

Ulqin, 8 shkurt - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Mal të Zi ka vizituar komunën e Ulqinit dhe atë të Tuzit.

Në Ulqin, Presidentja Osmani u prit nga kryetari i komunës, Omer Bajraktari. Në takim me kryetarin Bajraktari, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e komunës së Ulqinit më 1999, me strehimin e vëllezërve e motrave nga Kosova gjatë periudhës së luftës.

“Ulqini është pikëtakim i shqiptarëve, pavarësisht nga vijnë ata. Me Ulqinin na lidhin jo vetëm raportet familjare, vëllazërore e miqësore, por edhe kujtesa nga ditët e vështira të historisë sonë më të re. Ulqini, Ana e Malit e shumë vendbanime të tjera në Mal të Zi më 1999 u bënë strehë për shumë kosovarë, të cilëve ju i hapët dyert dhe zemrat, ndaj në emër të qytetarëve të Kosovës, faleminderit!’ Tutje, Presidentja Osmani tha se: “Në Ulqin tashmë vijmë për të mirë, për t`i shfrytëzuar mundësitë turistike, për t`i mbajtur lidhjet dhe për t`i forcuar ato.”

Gjatë qëndrimit në Ulqin, Presidentja Osmani realizoi takime të ndara dhe me përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi, si dhe me një grup intelektualësh e miqsh të Kosovës.

Ndërkaq në komunën e Tuzit, Presidentja Osmani u prit në takim nga kryetari Nik Gjeloshaj, me të cilin u diskutua për zhvillimet në këtë komunë dhe sfidat me të cilat përballen.

Presidentja Osmani shtroi nevojën e rritjes së bashkëpunimit të Ulqinit e Tuzit me institucionet lokale në Republikën e Kosovës, por edhe me institucionet qendrore, në funksion të shkëmbimit ekonomik, kulturor, turistik, si dhe fusha të tjera të interesit të dyanshëm.

Në Tuz, Presidentja Osmani vizitoi edhe fabrikën e prodhimit të çipsit/patatinave, e cila është një ndër investimet më të mëdha të huaja në Mal të Zi me investitor nga Kosova.

Gjatë qëndrimit në Tuz, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për  mikpritjen dhe bujarinë e dëshmuar në vitin 1999. Ajo foli për miqësinë e raportin unik, si dhe përkushtimin për intensifikim të bashkëpunimit në të ardhmen.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)