18 Tetor 2021

Presidentja Osmani takoi presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada

Prishtinë, 21 shtator  - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve me liderë botërorë, në margjina të sesionit të 76-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara (UNGA) në New York, ka takuar presidentin e Kostarikës, Carlos Alvarado Quesada, të cilin e ka falënderuar që shteti i tij ishte ndër të parët që e njohu pavarësinë e Kosovës. Ajo ka kërkuar përkrahje nga homologu Quesada që të lobojë te shtetet fqinje të Kostarikës për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Më tej, Presidentja Osmani ka theksuar se pret mbështetjen e këtij shteti edhe në përpjekjen e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka theksuar se në dialog me Serbinë, Kosova është palë konstruktive dhe se epilogu i tij duhet të jetë njohja e ndërsjellë në kufijtë aktualë dhe konform rendit juridik të Kosovës.

Në këtë takim, Presidentja Osmani është ndalur edhe të mundësitë e bashkëpunimit ndërshtetëror me Kostarikën dhe ka theksuar se të dy vendet duhet t`i promovojnë mundësitë e tregtisë dhe investimeve.

Presidenti i Kostarikës, ndërkaq, shprehu admirimin e tij për përparimin e shpejtë të Kosovës dhe nënvizoi gatishmërinë e tij për të lobuar gjithandej për forcimin e mëtejmë të subjektivitetit shtetëror të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 Tetor 2021

 - Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Auditorja e Përgjithshme e ZKA-së raportojnë para Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me shqyrtimin e Raportit Vjetor të Auditimit për vitin 2020. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 10:00)

- Fondacioni Kosovar Trashëgimia Kulturore pa Kufij, CHwB Kosova organizon Ilucidare Playground: “Guralec: Moving Rocks” dhe Konferencën “Përtej mureve dhe bindjeve”. Kinema Jusuf Gërvalla në Pejë