06 Shkurt 2023

Presidentja Osmani niset për vizitë zyrtare në Bullgari

Prishtinë, 29 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë dy ditore zyrtare në Bullgari, me ftesë të homolgut të saj, Rumen Radev, nga i cili do të pritet me nderime të larta ushtarake.

Përveç takimit tête-à-tête me presidentin Radev, Presidentja Osmani do ta zhvillojë edhe një takim bilateral dhe më pas do ta kenë një konferencë të përbashkët për media.

Delegacioni i kryesuar nga Presidentja Osmani do të marrë pjesë edhe në darkën zyrtare presidenciale të shtruar nga presidenti Radev.

Gjatë vizitës në Bullgari, Presidentja Osmani do të takohet, gjithashtu edhe me kryetarin e Parlamentit të Bullgarisë, Vezhdi Romanov.

Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga kryetarja e kryeqytetit bullgar, Yordanka Fandakova, Presidentes Osmani do t`i dhurohet Çelësi i Sofjes.

Në agjendën e vizitës së Presidentes Osmani në Bullgari është edhe ndarja e Medaljes Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Bullgarisë për kontributin e tyre në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s (KFOR) në Kosovë.

Në ceremoni do të jetë i pranishëm edhe presidenti Radev, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Dimitar Stoyanov dhe komandanti i Forcave të Përbashkëta të Armatosura të Bullgarisë, Valeri Tsolov.

Kurse në Universitetin “Shën Kliment Ohridski”, Presidentja Osmani do të nderohet me mirënjohje, teksa para stafit akademik, diplomatëve të akredituar dhe studentëve do ta mbajë një diskutim, në të cilin do të flasë për paqen dhe prosperitetin nëpërmjet integrimit euroatlantik në Evropën Juglindore.

Departamentit të gjuhëve të përgjithshme, indoevropiane e ballkanike të këtij Universiteti, Presidentja Osmani do t`ia dhurojë një mirënjohje për kontributin e çmuar për studimin, zhvillimin dhe kultivimin e mëtejshëm të gjuhës shqipe.

Presidentja Osmani, gjatë vizitës në Bullgari do ta ketë një takim edhe me mërgatën shqiptare që jeton e vepron në këtë shtet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 6 shkurt 2023

- Forumi Rinor i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të organizoj një aksion si reagim ndaj skandalit të fundit me vende të punës në Arsim dhe akuzave publike për shitjen e vendeve të punës. (Para Komunës së Prizrenit, ora 9:30)
    
- Ministria e Financave, Punëve dhe Transfereve lanson Platformën për Punësim të të rinjve ku pjesëmarrës do të jenë Kryeministri, Albin Kurti, Ambasadori i Zvicrës, Thomas Kolly dhe Ministri, Hekuran Murati. (Hotel Sirius, ora 10:00)
    
- Mbahet mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku në rend dite është Interpelanca e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti. (Kuvendi i Kosovës, salla C301, ora 11:00)

- Kryesia e Parlamentit Studentor mban konferencë për media lidhur me organizimin e marshit kundër asociacionit. (Para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ora 11:00)

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, takohet me përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Familjarëve të Personave të  Zhdukur gjatë luftës në Kosovë. (Kuvendi i Kosovës, salla N302, ora 12:00)

 

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati vizitojnë ndërmarrjen “Liri”, në Prizren. (Ndërmarrja "Liri", Prizren, ora 16:00)

 

- Kryetari i Kryeqytetit Përparim Rama së bashku me përfaqësuesit e grupeve të qytetarëve organizojnë ceremoninë e nënshkrimit të Agjendës për Kontratën Sociale për Kryeqytetin që është zotim i përbashkët ndërmjet zyrtarëve të komunës dhe qytetarëve për të përmirësuar komunikimin, bashkëpunimin dhe veprimet kolektive. (SHFMU “Ismail Qemajli”, Bregu i Diellit, ora 19:00)