16 Prill 2024

Presidentja Jahjaga nderohet me mirënjohje dhe medalje

Prishtinë, 8 prill - Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku u prit nga ministri Bajram Rexhepi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Presidentja Atifete Jahjaga u nderua me mirënjohje dhe me Medaljen e Shërbimit, për gjithë kontributin që ka dhënë gjatë punës së Policinë e Kosovës.

Presidentja Jahjaga u shpreh se ndihet shumë mirë që është mes kolegeve e kolegëve ku kaloi 11 vjet, duke dhënë kontributin e pakursyeshëm për të ndërtuar një institucion, Policinë e Kosovës, që sot është një shembull i padiskutueshëm i suksesit.

Ajo me këtë rast, duke iu referuar fjalimit inaugurues në detyrën e Presidentes, përsëriti se karriera e saj pasqyron ndryshimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova gjatë dekadës së shkuar.

“Kam përjetuar të gjitha sfidat që kanë çuar në pavarësinë e Kosovës. Jam krenare që jam angazhuar në krijimin e ndërtimin e njërit prej institucioneve më të respektuara të Kosovës”, tha ajo.

Duke vlerësuar si të suksesshme punën në policinë e Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se “këtë e tregon rrita dhe profesionalizimi i Policisë së Kosovës, sukseset e saj të panumërta, bashkëpunimi i saj shumë i mirë me të gjitha institucionet e tjera dhe, më kryesorja, bashkëpunimi i shkëlqyeshëm me të gjithë qytetarët e Kosovës”.

“Sot, kur unë jam zgjedhur në një detyrë të re, kur gjendem para një sfide të madhe në karrierën time, ju them vetëm faleminderit për punën që kemi bërë bashkërisht, për rezultatet dhe sukseset që i kemi arritur bashkërisht. Ju garantoj se, nga detyra e Presidentes së vendit, do t’ju jap gjithë mbështetjen dhe përkrahjen e nevojshme në këtë rrugë dhe këtë mision në shërbim të qytetarëve të vendit”, theksoi Presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, ministri Bajram Rexhepi dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, vlerësuan lart punën që ka bërë zonja Jahjaga në Policinë e Kosovës dhe u shprehën të bindur se ajo edhe detyrën e re do ta kryejë në mënyrë të shkëlqyeshme, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)