18 Shkurt 2019

Presidenti Thaçi pranon letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Turqisë

Prishtinë, 12 shkurt - Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar.

Presidenti Thaçi i ka uruar mirëseardhje ambasadorit Sakar dhe i ka ofruar mbështetje të plotë në punën e tij për vazhdimin e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona.

“Do të vazhdojmë të kultivojmë marrëdhënie strategjike me Turqinë. Ju falënderoj për mbështetjen që i keni dhënë Kosovës në tri dekadat e fundit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në anën tjetër, ambasadori i ri i Turqisë në Kosovë, Çağrı Sakar, e ka falënderuar presidentin Thaçi dhe ka theksuar se Turqia edhe më tutje do të mbështesë Kosovën në të gjitha fushat.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Turqia është një aleat i fuqishëm i Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 19 shkurt 2019 - Mbahet mbledhja e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit në të cilën do të behët shqyrtimi i raportit me amendamente në Projektligjin për Hetim Parlamentar. (Ndërtesa e Kuvendit, salla C 203, ora 11:00)

- Bëhet përurimi i libri “Liri për Sadri Ramabajën” i përgatitur për botim nga Sherif Konjufca, kurse është botuar nga Shoqëria Lëvizja. (Bibliotekën kombëtare “Pjetër Bogdani”, ora 12:00)

- Partia Socialdemokrate organizon tryezë lidhur me pagën minimale, me titullin “Pagë me jetu!”. (Hotel Sirius, ora 13:00)

- Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” do të organizojë mbledhje komemorative pas ndarjes nga jeta të akademik Idriz Ajetit, i cili shërbeu edhe si rektor i Universitetit të Prishtinës. (Salla e Senatit në Rektorat, ora 14:00)

- Galeria e Ministrisë së Kulturës e fillon Programin e saj Artistik për vitin 2019 me ekspozitën “Origjinaliteti”, të autorit Visar Mulliqi. (Galeria e Ministrisë së Kulturës, ora 19:00)