25 Prill 2024

Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri Thaçi lobojn në New York

New York, 20 shtator - Me të arritur në New York, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka filluar aktivitetet dhe takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

Në një takim bilateral me Presidentin e Republikës Afrikës Qendrore, Shkëlqesinë e Tij, François Bozizé, Presidenti Sejdiu, i shoqëruar nga Kryeministri Thaçi dhe Ministri Hyseni, e ftoi Presidentin e këtij shteti që sa më parë ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, hap ky që do të mundësonte pastaj bashkëpunimin e ngushtë në mes të dyja shteteve.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë shumë e qartë sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe e ka sqaruar se kjo pavarësi ishte rezultat i rrethanave shumë specifike, duke konfirmuar kështu se Kosova vërtet është një rast i veçantë. Mendimi i Gjykatës se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare ka hequr çfarëdo dileme që dikush mund të ketë pasur sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës”, theksoi Sejdiu.

Ai shtoi se pavarësia e Kosovës ishte shprehje e vullnetit të popullit të saj për të jetuar i lirë dhe njohja nga Republika e Afrikës Qendrore, përveç që do ta përkrahte këtë vullnet, do të kontribuonte edhe në stabilitetin dhe paqen në Evropën Juglindore.

Presidenti Bozizé e falënderoi Presidentin Sejdiu për këto informata të dorës së parë dhe tha se shteti i tij i jep rëndësi të madhe çështjes së Kosovës. Ai shtoi se e kuptojnë vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur dhe janë duke e analizuar me vëmendje të gjithë situatën. Presidenti Bozize po ashtu theksoi se rajoni i ish-Jugosllavisë ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme dhe tanimë ka ardhur koha që ky rajon të jetojë në paqe. 

Presidenti Sejdiu e njoftoi Presidentin Bozize për zhvillimet në Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe e ftoi atë për vizitë në Kosovë që për së afërmi të njihet me këto zhvillime si dhe me historinë dhe luftën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur.

Takimet me Presidentin e Ruandës, Paul Kagame

Në një mbrëmje të veçantë për Afrikën, organizuar nga Cinema for Peace Foundation, Presidenti Sejdiu u takua me Presidentin e Ruandës, Shkëlqesinë e tij z. Paul Kagame, si dhe liderë e ministra të tjerë të cilët ishin prezentë në këtë mbrëmje. Edhe në bisedën me Presidentin Kagame, Presidenti Sejdiu përsëriti kërkesën për njohje të Republikës së Kosovës.

“Kosova dhe Ruanda kanë përjetuar histori të përgjakshme dhe gjenocid kundër popullit të tyre, prandaj janë shtete që shumë mirë e kuptojnë njëra tjetrën dhe kanë nevojë për përkrahjen e njëra tjetrës”, tha Presidenti Sejdiu.

Prandaj, shtoi Presidenti Sejdiu, presim që Ruanda të përkrahë popullin e Kosovës dhe të drejtën e tyre për të jetuar i lirë dhe i pavarur pas të gjitha tmerreve që ka përjetuar.

Presidenti Sejdiu, Kryeministri Thaçi, Ministri Hyseni dhe delegacioni përcjellës po ashtu darkuan me Kryeministrin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha me delegacion.

Delegacionet diskutuan koordinimin e mëtejmë dhe bashkëpunimin e ngushtë mes të dyja shteteve si dhe procesin e njohjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)