23 Prill 2024

PD: të ndërprehet provokimi i ndjenjave fetare të qytetarëve

Prishtinë, 20 qershor - Partia e Drejtësisë kërkon në mënyrë të përsëritur shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ 7/2009 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë respektivisht paragrafit 13 të Nenit 4, që kodifikon ndalesën e përdorimit të uniformës fetare në shkolla dhe shërben si bazë ligjore për nxjerrjen e Rregulloreve me përmbajtje të ngjashme jokushtetuese në komunat e Kosovës.

Ferid Agani kryetar i PD-së ka thënë se ky formulim i padefinuar dhe tendencioz juridik lejon për të kuptuar ndalesën e bartjes së mbulesës në kokë për nxënëset dhe mësimdhënëset e besimit Islam, që është në kundërshtim të plotë me konventat relevante ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, të cilat garantojnë manifestimin e lirë të identitetit fetar për çdo qytetar të vendit.

Partia e Drejtësisë kërkon nga Qeveria e Kosovës që të ndërprehet provokimi i mëtutjeshëm i ndjenjave fetare të qytetarëve dhe me këtë të ndërprehet polarizimi i shoqërisë Kosovare në baza fetare, që është plotësisht i panevojshëm dhe shumë i dëmshëm për të ardhmen e vendit.

Agani ka thënë së Partia e Drejtësisë e konsideron protestën e organizuar të premten nga njëzet organizata joqeveritare si shprehje demokratike të pakënaqësisë përkitazi me këtë çështje.

"Njëkohësisht, tërhjekim vëmendjen se protestat e përmasave të ngjashme në të ardhmen hapin mundësi për ngjyrime të cilat nuk përkojnë me interesat shtetërore të vendit. Në këtë drejtim Partia e Drejtësisë kërkon veprim energjik të Kryeministrit të vendit dhe shfuqizimin e menjëhershëm të udhëzimit të sipërpërmendur administrativ në pajtim me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj; Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit kundër Femrës; dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës; duke e pasur parasysh edhe vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, që me ligj e ka sanksionuar përdorimin e lirë të mbulesës nga ana e nxënëseve si pjesë esenciale e identitetit të tyre fetar", ka theksuar Agani.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)