18 Nëntor 2019

Pamundësohet realizimi i pensioneve të ndërprera arbitrarisht nga Serbia

Prishtinë, 1 nëntor - Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj papërgjegjësisë dhe neglizhencës së institucioneve të Republikës së Kosovës, drejtë përmbushjes së obligimeve shtetërore në ndërmarrjen e masave lidhur me Aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në rastin Grudić kundër Serbisë.

Si rezultat i mungesës së vullnetit politik dhe neglizhencës në ofrimin e mbështetjes shtetërore në realizimin e të drejtës pensionale të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga Sigurimi Pensional dhe Invalidor i Serbisë (SPDIF), me dhjetëra mijëra qytetarë të Kosovës, në mënyrë arbirtrare sot janë të privuar në realizimin e së drejtës për të përfituar pensionet e tyre për të cilat kishin kontribuar me vite dhe dekada të tëra.

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Grudić kundër Serbisë kishte konstatuar se ka shkelje të së drejtës pronësore të pensionistëve, në kuptim të Nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe në bazë të praktikës së GJEDNJ sipas të cilës edhe pensionet paraqesin pronësi.

Aktgjykimi i GJEDNJ-së në rastin Grudić kundër Serbisë, i vitit 2012, kishte obliguar Serbinë t’i kompensojë në mënyrë të njëjtë, sipas aktgjykimit të lartpërmendur, pensionet kontribut-paguese, pensionet invalidore të punës dhe pensionet familjare, për qytetarët e Kosovës, të cilët kanë kontribuar në fondin pensional deri në vitin 1999, kur edhe janë ndërprerë nga Serbia në mënyrë arbitrare.

Lidhur me këtë, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës përmes mekanizmave të saj kishte vënë në zbatimin mbikqyrjen e zbatimit të Aktgjykimit të GJEDNJ-së lidhur me përmbushjen e obligimeve nga ana e Serbisë dhe të realizimit të të drejtave të pensionistëve nga Kosova.  

Përderisa, Serbia përmes institucioneve të saj kishte dërguar nëntë (9) opinione tek Komiteti i Ministrave lidhur me përpjekjet dhe veprimet e ndërmarra në zbatimin e Aktgjykimit të GJEDNJ, Kosova nuk kishte ndërmarr asnjë iniciativë dhe nuk kishte dërguar as edhe një (1) opinion tek Komiteti i Ministrave. Si rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Kosovës, Serbia në vazhdimësi ka ofruar arsyetime për t’i ikur zbatimit këtij Aktgjykimi përkundër detyrimit për respektimin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Duke parë mungesën e reagimit institucional, i vetmi institucion në Kosovë që kishte bërë përpjekje të vazhdueshme lidhur me sensibilizimin e kësaj çështje ishte Avokati i Popullit, i cili edhe publikisht kishte kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të përmbushin obligimet e tyre shtetërore dhe ligjore ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, e që fatkeqësisht kanë hasur në vesh të shurdhër.

Dhe në fund, Institucioni i Avokatit të Popullit, duke marrë parasysh që institucionet e Republikës së Kosovës, nuk e kanë ngritur këtë çështje në instancat, përmes të cilave do të kërkohej zbatimi i Aktgjykimit të GJEDNJ-së dhe, së këndejmi, për gjitha rastet tjera të kësaj natyre, i njëjti kishte dërguar një opinion, duke u bazuar në Rregulloren e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që ka të bëjë me mbikëqyrjen e ekzekutimit të Aktgjykimeve, si dhe duke propozuar masa konkrete në përmbushjen e obligimeve nga Serbia.

Në kundërshtim me rekomandimet e Avokatit të Popullit dhe kërkesës së vazhdueshme që shteti përmes mekanizmave të saj të kërkojë mbrojtjen e interesave të qytetarëve të Kosovës, dhe në kundërshtim me vet kërkesat e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, që kishte kërkuar nga Serbia përmbushjen dhe zbatimin e GJEDNJ, Qeveritë e kaluar, kishin kërkuar që tema e mbyllur përmes Aktgjykimit të GJEDNJ-së të vihej në listën e temave që duhet të diskutohet në Bruksel në mes të delegacioneve të Serbisë dhe Kosovës. Për më tepër, një qasje të tillë Kosova e kishte potencuar dhe proklamuar edhe në raportimet e rregullta para Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju York.

Kalendari

Ngjarjet e datës 18 nëntor 2019

- Oda Ekonomike e Kosovës do të mbajë konferencë për media në të cilën do të prezentojë hulumtimin rreth opinionit të bizneseve për marrëveshjen Kosovë-Serbi. (Objekti i Odës Ekonomike të Kosovës, ora 9:00)

- Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU! me përkrahjen e Ambasadës së Mbretërisë së Holandës përmes Programit Matra organizon tryezë në të cilën do të publikohet raporti me titull Qasja në Drejtësi. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Qendra e Inovacionit të Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizojnë ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë 2019 në Kosovë. (Menza "Ramiz Sadiku" në Prishtinë, ora 10:00)

- Grupi Tematik për të Drejtat e Fëmijëve në Shëndetësi në kuadër të Koalicionit te OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve organizon konferencën për media në te cilën do të prezantojë një dokumet me të dhëna dhe rekomandime për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. (Qendra e Resurseve për OSHC, Forumi për Iniciativa Qytetare në Lagjen Pejton, ora 10:00) 

- Instituti i Kosovës për Drejtësi me përkrahje të Departamentit të Shtetit Amerikan - Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit dhe NED-it do të organizojë tryezë me titull “Pandëshkueshmëria e korrupsionit”. (Hotel Sirius, ora 10:00)

- Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit organizon prezantimin e studimit per Çështjen e Kompleksit të Trepçës dhe Çështjen e Reparacioneve për Krimet e Luftës të kryera në Kosovë në Kontekstin e ‘Finales së Madhe’ eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Hotel Swiss Diamond, ora 10:00)

- Komuna e Prizrenit në bashkëpunim me PPSE Swisscontact dhe SHB Sharri përuron shtegun turistik të ri Via Ferrata "Panorama". (Gryka e Lumbardhit, 4.5 km nga qendra e qytetit, ora 11:00 - transporti i organizuar nga Komuna e Prizrenit, nisja nga Shtëpia e Bardhë, ora 10:30)

- Në kuadër të aktivitet kulturor kushtuar "Ditet e Alfabetit", promovohet botimi 'Levizja Protestante te shqiptaret 1818-1908" te autorit prof. dr. David Hosaflook. (Biblioteka Kombetare "Pjeter Bogdani", ora 10:30)

- Muzeu Kombëtar i Kosovës hap ekspozitën “Bienalen e Akuarelit Edicioni i 2-të” e cila sjellë vepra arti të artisëve nga 70 vende të botës me rreth 380 piktura. (Muzeu Kombëtar, ora 19:00)