29 Mars 2024

Pacolli: Në Prekaz u vulos pavarësia e Kosovës

Prekaz, 6 mars - Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, në ditën e dytë të manifestimeve për shënimin e 13-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bëri sot homazhe para varrit të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë në varrezat e Prekazit.

Në një deklaratë bërë më këtë rast, Presidenti Pacolli theksoi se Prekazi është vendi ku u vulos pavarësia e Kosovës.

“Prekazi është një vend që i bashkon të gjithë shqiptarët nga Kosova, nga të gjitha trojet dhe nga diaspora. Këtu u vulos pavarësia e Kosovës, të cilën ne e gëzojmë sot. Lavdi këtyre dëshmorëve dhe gjithë dëshmorëve të tjerë të rënë në luftën për liri. U qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, theksoi Presidenti Pacolli.

Presidenti Pacolli vizitoi edhe familjen Jashari ku u prit nga Rifat Jashari dhe anëtarët e tjerë të familjes Jashari. Në një bisedë të ngrohtë dhe miqësore, Rifat Jashari e falënderoi Presidentin Pacolli për vizitën dhe kujdesin ndaj familjes së tyre.

Nga ana e tij, Presidenti Pacolli çmoi lart sakrificën e familjes Jashari, e cila ka dhënë kaq shumë për pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Gjatë qëndrimit në Prekaz, Presidenti Pacolli vendosi kurora lulesh edhe para lapidarit të Salë e Hamit Jasharit, duke nderuar kujtimin e tyre dhe të rënëve të tjerë për liri.

Presidenti Pacolli me bashkëpunëtorët, në Prekaz, gjithashtu vizitoi familjen e Habib Jasharit, e cila gjatë luftës ka qenë e strehuar te familjarët e Presidentit Pacolli.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)