19 Prill 2024

Pacolli: Dell e nxori emrin nga zarfi

Prishtinë, 8 prill - Kur ambasadori amerikan Christopher Dell kishte nxjerrë nga zarfi emrin e Atifete Jahjagës për ta propozuar për presidente, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa kishin mbetur të habitur.

Këtë e kishte bërë në shtëpinë e tij ku si mysafir i kishte dy liderët e partive më të mëdha në Kosovë si dhe Behgjet Pacollin, i cili kishte negociuar arritjen e marrëveshjes që të enjten zëvendësdrejtoreshën e Policisë së Kosovës e solli në postin më të lartë të shtetit – presidente të Republikës.

Prapaskenat e arritjes së marrëveshjes për ndryshime kushtetuese, zgjedhore dhe për caktimin e afateve për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka shpjeguar të enjten sebepi i kësaj marrëveshjeje, Behgjet Pacolli, i cili udhëhoqi vendin për 35 ditë.

Në një intervistë në “Klan Kosova”, Pacolli ka folur për ditët e tij si president, mosmarrjen e ftesës për të qenë i pranishëm me rastin e votimit të Atifete Jahjagës për presidente dhe negociatat për daljen nga ngërçi politik që kishte hyrë vendi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konstatoi se zgjedhja e Pacollit president nga ana e Kuvendit ishte bërë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik të vendit.

Pasi Pacolli kishte konfirmuar në shtëpinë e ambasadorit amerikan, se tërhiqet nga gara për shkak të irritimit që kishte përjetuar nga deklarata e Isa Mustafës, i cili i kishte thënë se nuk i garanton vota, ndonëse kishte thënë se do të jetë i pranishëm në seancën e votimit, Christopher Dell kishte nxjerrë emrin e Atifete Jahjagës nga një zarf për t’ua propozuar kandidaten për presidente. 

“Unë kam thënë tërhiqem dhe në momentin kur kam thënë tërhiqem më ka pyetur ambasadori Dell a je i sigurt, thashë unë tërhiqem, unë s’dua me qenë më kandidat i koalicionit për president atëherë është qitur zarfi, ka qenë i mbyllur në tavolinë dhe ka thënë kjo duhet të pranohet për arsye se ju do ta humbni një mik të madh dhe agjendën amerikane për Kosovën”, ka treguar Pacolli momentin e prezantimit të emrit të presidentes së re. Ai e ka përshkruar ambasadorin amerikan të ketë qenë i nervozuar dhe i ashpër, i cili edhe ua kishte tërhequr vërejtjen Isa Mustafës e Hashim Thaçit: “Mos e përbuzni këtë”.

Pacolli i ka përshkruar Thaçin e Mustafën se si janë shikuar mes veti kur u është prezantuar emri i Jahjagës. Këtë emër e ka pranuar edhe Pacolli se kurrë nuk e kishte dëgjuar. Pacolli ka shtuar se në atë moment i ka këshilluar edhe ai Thaçin e Mustafën që të pranojnë edhe ata pas sakrificës që kishte bërë duke hequr dorë nga kandidatura për president, post për të cilin është shprehur i sigurt se do ta rifitonte po të mos tërhiqej nga gara. 

“Të dytë kanë qenë të habitur kështu. Është dashur të jetë një telekamerë ta incizojë atë për të mundur të shpjegosh reaksionin e tyre”, ka rrëfyer Behgjet Pacolli për të shtuar se ambasadori amerikan kishte qenë i paanshëm në këtë proces. “Aty është rikapitulluar ajo që është diskutuar, Ligji zgjedhor, ndryshimet kushtetuese. Dell ka qenë shumë i përgatitur me juristë, me stafin e tij është bërë drafti në gjuhën angleze dhe shqipe për t’u nënshkruar. Nuk është bërë trysni prej anës së ambasadorit”, ka thënë Pacolli.
Njeriu i dytë që u rrëzua nga posti i presidentit pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është shprehur i bindur se po të donte, të enjten do të ishte ai president e jo Atifete Jahjaga. Mirëpo kishte dashur që të gjente zgjidhje dhe të mos e rrezikonte vendin që të shkonte në zgjedhje të parakohshme ndonëse ishte i sigurt që do të merrte të paktën 67 apo 68 vota.

Ideja për të nisur arritjen e marrëveshjes ndërmjet dy liderëve Thaçit e Mustafës ai ka thënë se i kishte ardhur një ditë pas vendimit të Kushtetueses. Teksa i ka përshkruar kryeministrin e vendit dhe kryetarin e Prishtinës si plus e minus, Pacolli ka shtuar se ishte i sigurt se do t’ia dilte ta bënte një gjë të tillë.

“Ideja ka lindur në shtëpinë time pas një vizite të zotit Dell në shtëpinë time, ditën e dytë kur ndodhi me vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ne biseduam gjerë e gjatë. Kemi biseduar se si të jetë më mirë e mundur që të kalohet seanca pa hyrë në konflikt me Kushtetutën që të jetë edhe një kandidat tjetër që AKR-ja e kishte, ishin edhe nënshkrimet e mia të mbledhura për një orë kryesisht me deputetët e partnerit të koalicionit dhe ishte në pyetje se si të mblidhen deputetët e opozitës që të jenë brenda në sallë”, ka thënë Pacolli, shkruan sot “Koha Ditore”.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)