19 Prill 2024

Pack nderohet me titullin ”Doctor Honoris Causa”

Prishtinë, 3 nëntor - Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Mujë Rugova, të mërkurën, i ka ndarë titullin “Doctor Honoris Causa”, eurodeputetes Doris Pak. Me ç’rast ka thënë se Doris Pak ka merita të veçanta për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës si dhe për proceset demokratike e eurointegruese në vendin tonë.

Eurodeputetja Doris Pak, theksoi sot se vizita e saj në Kosovë, po bëhet në një moment specifik për vendin, pasi Qeveria ka rënë dhe është shpërbërë Kuvendi.

Mirëpo, ajo shprehi besimin se Kosova do të dalë nga kjo situatë dhe do të krijojë një Qeveri të fuqishme. Pas takimit me ushtruesin e detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, Pak premtoi ndihmë që Kosova të njihet edhe nga 5 vendet e BE-së dhe të jetë pjesë e liberalizimit të vizave.

Eurodeputetja gjermane Doris Pak i vlerësoi sot zhvillimet e fundit politike në Kosovë, si procese normale dhe demokratike. Pas takimit me ushtruesin e detyrës së Presidentit të vendit Jakup Krasniqi, eurodeputetja Doris Pak, u angazhua që Kosova të dalë sa më shpejtë nga kjo situatë, duke mbajtur zgjedhje demokratike dhe krijimin e një Qeverie të fuqishme.

“Kam ardhur në një moment shumë specifik, ndonëse nuk e kam zgjedhur, por ka ndodhur dhe tani jeni në një situatë, kur Qeveria ka rënë, ajo, sidoqoftë do të jetë në dorëheqje deri më 12 dhjetor, kur do të mbahen zgjedhjet. Vetëm t’ua japë juve përshtypjet e mia, ishte një kohë e vështirë, por mesa e kam parë, politikanët tuaj i kanë kryer detyrat e tyre në rrugë normale demokratike, dhe kjo është mirë. Shpresoj se do të keni një Qeveri të fuqishme, e cila duhet të shikojë kah e ardhmja, që nënkupton se duhet të ketë fqinjësi të mirë me të gjithë”, tha Pak.

Për bisedimet e paralajmëruara mes Prishtinës dhe Beogradit, ajo tha se thirrja e disa liderëve serbë të Beogradit, që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhje, është një sinjal i mirë për fillimin e këtij procesi.

“Ajo që dëgjova nga Presidenti sot, që serbët në Beograd i kanë ftuar serbët e Kosovës të marrin pjesë në votime, siç keni kërkuar ju të gjithë, është sinjali i parë për ndryshime. Jam e sigurt se e ardhmja do të jetë më e mirë”, ka shtuar Pak.

Edhe ushtruesi i detyrës së Presidentit të vendit, Jakup Krasniqi, ka shprehur gatishmërinë për bisedime me Beogradin, por jo pa u bërë konstituimi i institucioneve të Kosovës.

“Ne jemi për bisedime dhe sigurisht që zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë konstituimin e institucioneve të Kosovës dhe fillimin e bisedimeve. Mendoj se në këtë rrafsh, jemi në një mënyrë në dakord të plotë se institucionet e Kosovës të dala nga zgjedhjet duhet ta marrin përgjegjësinë për bisedime”, tha Krasniqi.

Krasniqi vlerësoi edhe angazhimin e zonjës Pak në mbrojtjen e fuqishme të kërkesave të ligjshme të Kosovës në Parlamentin e Bashkimit Evropian, siç është liberalizimi i vizave. Eurodeputetja, Pak premtoi ndihmën e saj në procesin e liberalizimit të vizave, por tha se nuk mund të garantojë se ky proces do të jetë i shpejtë.

“E di që të gjithë janë të interesuar të dinë rreth procesit të liberalizimit të vizave, por nuk mund të ju japë përgjigje. Shpresoj shumë se ju do ta merrni udhërrëfyesin që nevojitet, pasi të gjithë tashmë e kanë marrë atë. Ju e dini se vendi i ri ende nuk është njohur nga pesë vendet e Bashkimit Evropian dhe kjo merr pak më shumë kohë. Sidoqoftë, shpresoj shumë se kjo kohë do të shkurtohet dhe Parlamenti Evropian do të ndihmojë në këtë drejtim”, tha Pak.

Eurodeputetja, po ashtu, deklaroi se do të punojë që pesë vendet e mbetura të BE-së ta njohin Kosovën, në mënyrë që të përshpejtohet edhe procesi i integrimit. Pak, u takua edhe me Kryeministrin në detyrë, Hashim Thaçi, ndërsa në një ceremoni të veçantë, Universiteti i Prishtinës i ndau titullin “Doctor Honoris Causa”.

Ndërsa, ministri në dorëheqje i Arsimit, Enver Hoxhaj, duke folur për mbështetjen e eurodeputetes Pak ndaj shtetit të Kosovës, tha se në këto raste duhet të jenë objektiv dhe jo indiferent.

“Jemi mbledhur në UP që ta dëshmojmë, përkushtimin, obligimin ndaj një mikeshe të madhe të Republikës së Kosovës, ndaj një deputeteje të veçantë të Parlamentit Evropian, zonjës Doris Pak”, është shprehur Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)