16 Prill 2024

Nëna Terezë është e të gjithëve

Prishtinë, 5 korrik -  Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot në takim Ipeshkvin Dodë Gjergji, me të cilin bisedoi për shumë aspekte që lidhen bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ipeshkvinë, por në të njëjtën kohë kishin në fokus përgatitjet për organizimin sa më të mirë të  aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të lindjes së humanistes dhe nobelistes shqiptare,  Nëna Tereze.
 
“Ju e dini që unë e kam shpallur vitin 2010 si vit të Nënë Terezës. Është krenari për tërë vendin dhe botën shqiptare në përgjithësi që kemi një personalitet të fuqishëm të paqes dhe të urtësisë si Nëna Terezë. Kremtja e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës do të jetë një zë i vazhdueshëm jo i propagimit por edhe i shpalosjes në thellësi në botë për veprën, jetën, krijimtarinë dhe përkushtimin e saj të gjithmonshëm”, theksoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se janë formuar ekipe të përbashkëta por edhe ekipe që lidhen me pjesën e institucioneve, për shënimin sa më mirë të kësaj date të rëndësishme.
 
“Është një moment që ne do ta kemi krenarinë ta themi fjalën tonë dhe, në të njëjtën kohë, biseduam edhe për shumë aspekte të tjera që janë të nevojshme në koordinim të mëtejshëm të punës për të pasur një shpalosje të identitetit të Kosovës, duke e çmuar lartë frymën e tolerancës, të bashkëpunimit ndërkonfensional. Shqiptarët, e dini, se janë me shekuj të cilësuar si një popull vërtet me veçantinë e vet të tolerancës ndërreligjioze sepse janë njerëz të një gjaku”, tha Presidenti Sejdiu.
 
Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se bashkëpunimi dhe përpjekja e përbashkët për të çuar proceset përpara është ashtu siç e tha edhe Presidenti por unë jam këtu për të falënderuar Presidentin e Republikës së Kosovës për kontributin e tij në bashkëpunimin e mirë me Kishën Katolike, por edhe në kultivimin e bashkëjetesës ndërfetare në Kosovë, e posaçërisht për shpalljen e vitit 2010 si vit i Nënë Terezës.
 
“Diskutuam për mundësitë e zhvillimeve të mëtejshme të realizimit të këtij viti jubilar dhe organizimin e festës solemne më 5 shtator për të cilën kremte i ftojmë të gjithë shqiptarët  sepse Nënë Tereza është e të gjithëve ashtu si ka qenë e të gjithëve me dashurinë dhe zemrën e saj, ashtu do të mbetet për të gjithë një person i cili pas Gjergj Kastriotit Skënderbeut i bashkon të gjithë shqiptarët në dashuri”, tha Ipeshkvi Gjergji.
 
Ipeshkvi Dodë Gjergji, duke u përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për përpjekjet e dikujt tjetër për tjetërsimin e Nënë Terezës tha se ne nuk kemi nevojë për t’i treguar dikujt se Nënë Tereza është shqiptare sepse ajo i ka treguar të gjithë botës vetë, kështu që do të merremi me aktivitetet tona dhe 5 shtatori do të jetë dita e kremtimit solemn e të gjithë shqiptarëve por edhe e miqve tanë dhe kjo festë do të kremtohet në Katedralen e re në Prishtinë.
 
Ndërsa, i pyetur nga gazetarët për mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, e thirrur nga Serbia, dhe nëse  ajo do të dërgojë një imazh jo të mirë për Kosovën pas ngjarjeve në Mitrovicë, Presidenti Sejdiu tha se ne si institucione të vendit e kemi thënë dhe e themi se Kosova është e të gjithë qytetarëve të saj dhe natyrisht në Kosovë ka edhe të atillë që dëshirojnë ta prishin imazhin e mirë të përgjithshëm që ka vendi ynë.
 
“Nuk duam të paragjykojmë se cili do të jetë akteri për tërë atë që ka ndodhë, organet e hetuesisë duhet ta bëjnë punën e vet dhe jemi të vetëdijshëm se ata që ia duan të mirën Kosovës nuk e kanë bërë një gjë të tillë. E dimë se Serbia, si gjithmonë deri tash ka bërë përpjekje që të gjejë grimca të caktuara sipas saj për të demonstruar se Kosova nuk mund të jetë një vend i qëndrueshëm dhe stabil, por do ta ketë të kotë sepse qytetarët e vendit janë akterë të rëndësishëm në stabilitetin e përgjithshëm dhe, në të njëjtën kohë, aktet e dhunës, siç e kemi thënë të gjithë bartësit e institucioneve por edhe qytetarët nuk janë rrugë që mund të ndihmojnë ecjen dhe zhvillimin e Kosovës dhe e kemi dënuar si të tillë”, tha Presidenti Sejdiu.
 
“Për ne është me rëndësi që të shpejtojmë në sqarimin e plotë, është me rëndësi që shumë fakte ekzistojnë se kjo ka qenë një pjesë e protestës së qytetarëve që kundërshtojnë vendosjen e rendit dhe të ligjit dhe ofertën e mirë të institucioneve të vendit për të ndërtuar mekanizma që janë në të mirën e qytetarëve dhe kjo rrugë e mirë e nisur e institucioneve të vendit për të vënë rend dhe ligj në bashkëpunim edhe me EULEX-in do të vazhdojë”, tha Presidenti Sejdiu.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)