28 Mars 2024

MPBAP garanton sundim të ligjit dhe siguri publike për të gjithë qytetarët

Prishtinë, 10 shkurt - Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, z. Agim Veliu, ka mbajtur takimin e parë njoftues me udhëheqësit e Agjencive dhe Departamenteve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

Me këtë rast, ministri Veliu, para menaxhmentit të lartë të Ministrisë theksoi se është i bindur se gjatë këtij mandati do të ketë një bashkëpunim të mirë, të bazuar në mirëbesim, transparencë dhe llogaridhënie.

“Jam i njoftuar për rezultatet e shumta pozitive që janë arritur në të kaluarën qoftë në Ministrinë e Brendshme dhe atë të Administratës Publike. Mirëpo në të njëjtën kohë, jam i vetëdijshëm që të dy këto institucione janë ballafaquar me sfida, të cilat unë si Ministër në bashkëpunim të plotë më të gjithë ju do t’i adresojmë në mënyrën sa më të mirë”- tha ministri Veliu.

Sa i përket bashkimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme me atë të Administratës Publike, ministri Agim Veliu bëri të ditur se të gjitha paqartësitë e mundshme pritet të sqarohen shumë shpejtë, duke mos penguar funksionimin e rregullt të ministrisë dhe agjencive. 

“Obligimet tona në garantimin e sundimit të ligjit dhe sigurisë publike si dhe ofrimin e shërbimeve ndaj institucioneve dhe qytetarëve duhet të vazhdojnë dhe kryhen me përkushtim të lartë”, vazhdoi më tutje ministri Veliu.

Gjithashtu, gjatë këtij takimi, ministri Agim Veliu shpalosi prioritetet tjera me rëndësi, ku ndër tjerash përmendi zbatimin në përpikëri të obligimeve nga Marrëveshja për Stabilizim-Asociim, kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave, si dhe përgatitja për procesin pas-liberalizimit, forcimin e luftës kundër të gjitha formave të krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve ekonomike, parandalimin dhe luftimi e terrorizmit dhe ekstremizmin e dhunshëm etj. 

Në përfundim të këtij takimi, ministri Veliu tha se qëllimi ynë i përbashkët është që Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, të jetë kredibile dhe e aftë në shërbim të të gjithë qytetarëve për regjionin dhe partnerët ndërkombëtarë.​

Shumë shpejt, pritet që ministri Veliu t’i vizitoj të gjitha agjencitë nga afër dhe të njihet me kushtet, sfidat dhe prioritetet e tyre.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)