29 Mars 2024

Mitrovicë, veri mbahen zgjedhjet serbe, jugi protesta

Mitrovicë, 30 maj - Në komunën e Mitrovicës mbahen zgjedhjet serbe, zgjedhje të cilat janë cilësuar të jashtëligjshme si nga autoritetet e Kosovës ashtu edhe ato ndërkombëtare. Njëkohësisht, në jug të qytetit tri organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Zyrës civile ndërkombëtare, thonë se zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, të organizuara nga Serbia ditën e diel, janë të kundërligjshme dhe se rezultatet e tyre nuk do të njihen, ndërkohë që u kanë kërkuar që të bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se me organizimin e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Serbia sa po thellon hendekun në raportet Kosovë-Serbi dhe po rëndon pozitën e pakicës serbe në Kosovë.

Në kohë të njëjtë, kur mund të votohet në zgjedhjet lokale të Serbisë në veri të Mitrovicës, në jug të qytetit tri organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë për ruajtjen e sovranitetit të Kosovës.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, dhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Muharrem Xhemajli, para dy ditëve kanë paralajmëruar përmes një konference shtypi se në fund të kësaj jave në qytetin e ndarë do të protestohet me moton: “Të mbrohet sovraniteti i Kosovës”. Ata kanë treguar se vendtakimi i qytetarëve për protestën me karakter paqësor e të lajmëruar në Policinë e Kosovës do të jetë në “Sheshin e Jasharëve” e pastaj do të marshohet deri te sheshi “Isa Boletini”.

Edhe Xhemajli e edhe Jashari kanë treguar se qëllimi i protestës është dërgimi i mesazhit të njëjtë edhe tek autoritetet ndërkombëtare e edhe ato vendore në Kosovës, se lejimi i mbajtjes së zgjedhjeve serbe në veri të Kosovës paraqet cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit dhe se ata që janë kompetentë për ta ruajtur atë duhet ta bëjnë një gjë të tillë.

Me gjuhë të ashpër, përfaqësuesi i SHFD të UÇK-së, Xhavit Jashari, është shprehur se Serbia po e shfrytëzon papërgjegjësinë e faktorit politik vendor dhe atij ndërkombëtar për të organizuar zgjedhje në veri të vendit.

Megjithëse janë quajtur të paligjshme, si nga organet e vendit ashtu edhe nga EULEX-i, në fakt këto zgjedhje paraqesin një rrezik për destabilizim të situatës së sigurisë dhe asaj politike.

EULEX-i megjithëse ka deklaruar se i injoron këto zgjedhje, ka marrë vendim për largimin apo shmangien e lëvizjes së pjesëtarëve të tij në ditën kur mbahen zgjedhjet në veri. EULEX-i nuk ka dashur ta komentojë këtë vendim, me arsyetimin se ka qenë vendim i brendshëm, vetëm për stafin e EULEX-it e jo për opinion.

EULEX-i, që me një njoftim të brendshëm ka bërë thirrje për “tërheqje” nga veriu, nuk ka njoftuar për ndonjë plan operativ policor. Sipas zëdhënësit, Hanns-Christian Klasing, EULEX-i i konsideron këto zgjedhje të paligjshme dhe nuk është i përfshirë fare në këtë proces.

“Ne nuk komentojmë për ndonjë plan operativ. EULEX-i nuk është i përfshirë në këtë proces dhe nuk i njeh këto zgjedhje. Policia është e vetëdijshme për atë se çfarë do të ndodhë nesër, sikur në jug ashtu edhe në veri të Mitrovicës, por nuk mund të komentojmë asgjë për ndonjë plan operativ policor”, ka deklaruar Klasing.

KFOR-i, ndërkohë, ka bërë të ditur se do të jetë vigjilent dhe ka bërë thirrje për qetësi më 30 maj. Megjithëse nuk i ka kundërshtuar apo legjitimuar zgjedhjet serbe, KFOR-i duket të jetë i shqetësuar për organizimin e protestave në jug të lumit Ibër.
Trupat e KFOR-it, sipas këtij njoftimi, do të jenë në vend për të mbrojtur të gjithë protestuesit paqësorë, por gjithashtu do të marrin masa të duhura për të kundërshtuar çfarëdo veprimi të dhunshëm.

Në anën tjetër Policia e Kosovës ka vendosur që të mos hartojë kurrfarë plani operativ për të menaxhuar situatën në veri. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Behar Selimi, ka deklaruar se policia nuk do të pengojë mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por do të kujdeset për ruajtjen e rendit, pronës dhe të jetës së qytetarëve.

“Ne do të sillemi profesionalisht ashtu siç është deklaruar edhe Qeveria e Kosovës, pra do ta injorojmë atë ngjarje, edhe për ne ajo nuk ekziston zyrtarisht , ndërkohë që policët e Kosovës atje do të kujdesen për detyrat e zakonshme të tyre, rendin dhe qetësinë, në rast se ka ndonjë incident që ka të bëjë me pronën, jetën, trupin, etj”, ka thënë Selimi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)