04 Mars 2021

Mitrovicë, nesër mbahen zgjedhjet serbe, thirrje për bojkot

Mitrovicë, 29 maj - Në komunën e Mitrovicës pritet të mbahen të dielën zgjedhjet serbe, zgjedhje të cilat janë cilësuar të jashtëligjshme nga autoritetet e Kosovës.

Përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe Zyrës civile ndërkombëtare, thonë se zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, të organizuara nga Serbia ditën e diel, janë të kundërligjshme dhe se rezultatet e tyre nuk do të njihen, ndërkohë që u kanë kërkuar që të bashkëpunojnë me qeverinë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci, thotë se me organizimin e zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, Serbia sa po thellon hendekun në raportet Kosovë-Serbi dhe po rëndon pozitën e pakicës serbe në Kosovë. "Ju e dini që ne kemi pranuar dhe kemi bërë kompromise në kuptimin e decentralizimit, me krijimin e komunave të reja në pjesë të tjera të Kosovës dhe kjo ka pasur dy qëllime. Qëllimi i parë ishte që tu jepet e drejta etnike qytetarëve serbë dhe ata ta ndjejnë vetën pjesë të pushtetit dhe shtetit të Kosovës.

Dhe e dyta, kemi bërë kompromis me qëllim të shtrirjes së autoritetit në veri të Kosovës. Kjo e dyta nuk po ndodh. Pra qëndrimi i qeverisë së Kosovës është së zgjedhjet lokale serbe në veri të Mitrovicës, nuk kanë fuqi juridike dhe nuk kanë legjitimitet demokratik dhe nuk do të jenë partner as të vendorëve e as të ndërkombëtarëve," thotë Kuci, transmeton DW.

Ndërkohë, zyra civile ndërkombëtare, nëpërmes një letre elektronike i tha DW-së, se të vetmet zgjedhje legjitime në veri të Mitrovicës cilësohen ato që organizohen nga institucionet e Kosovës. Zëdhënësi i kësaj zyreje, Kai Muller Berner, thotë se:

"Në partneritet me qeverinë e Kosovës, ne jemi duke vazhduar përgatitjet për komunën e re të Mitrovicës së Veriut që do t`iu mundësojë qytetarëve të saj ndikim të vërtetë mbi çështjet që i preokupojnë më shumë, dhe e tërë kjo e bazuar në një sistem me standardet më të larta ndërkombëtare. Ekipi Përgatitor Komunal vazhdon të punojë në detyrat e tij për përgatitjen e komunës së re të Mitrovicës së Veriut. Ato janë të vetmet zgjedhje legjitime për atë komunë," thotë zëdhënësi Kai Muller Berner.      

Kalendari

Ngjarjet e datës 4 Mars 2021

 - Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me përfaqësuesit e bankave. (Ndërtesa e BQK-së, ora 10:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Oda e Mjekëve të Kosovës ndan mirënjohje për mjekët në pension dhe për institucionet shëndetësore që kanë kontribuar në luftën kundër Covid-19. (Amfiteatri i Telemjekësisë në QKUK, ora 10:00)

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti takohet me shoqatat e bizneseve. (Ndërtesa e BQK-së, ora 14:00 - mediat mund te marrin pamje)

- Dogana e Kosovës organizon konferencë për shtyp ku do të paraqiten rezultatet e doganës gjatë dy muajt e parë të vitit 2021 dhe luftimi i kontrabandës dhe informalitetit në muajt e fundit. (Drejtoria e doganës në lagjjen Emshir, ora 14:00)   

- Guvernatori i BQK-së Femi Mehmeti mban konferencë për media. (Ndërtesa e BQK-së, ora 15:00)