19 Mars 2024

Ministrja Hoxha kërkon angazhim rreth zbatimit të masave të PKMZSA-së

Prishtinë, 24 shtator - Në takimin e radhës të Komitetit Punues për Integrime Evropiane, ku morën pjesë anëtarët e këtij komiteti, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka kërkuar më shumë angazhim nga të gjitha institucionet për të përmbyllur me sukses implementimin e prioriteteve të mbetura të Agjendës Evropiane te Reformave si dhe masave të parapara me MSA.

Ky grup punues, ka identifikuar disa nga çështjet kyçe qe dalin nga obligimet e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKMZSA) dhe për të cilat duhet punuar më shumë, theksoi Ministrja Hoxha.

“PKMZSA, është i dobët, plani nuk është realizuar. Të gjeturat e raportit janë brengosëse. Jemi zotuar që këtë vit të arrijmë një nivel zbatimi të Programit të MSA-së prej të paktën 60%. Mosrealizimi i planit, do të ketë ndikim për mbështetjen direkte buxhetore për Reformën e Administratës Publike”, theksoi Ministrja Hoxha.

Deri në fund të qershorit janë zbatuar vetëm 12.78% e të gjitha masave të planifikuara, sa i përket gjendjes zbatimit të reformave legjislative, të gjeturat tregojnë se kemi arritur një shkallë zbatimi prej vetëm 18.06%, pasi që janë zbatuar vetëm 26 nga 144 masat legjislative të planifikuara, vuri në dukje Ministrja Hoxha.

“Sa i përket zbatimit të reformave të tjera, të gjeturat tregojnë se është arritur një shkallë zbatimi prej vetëm 10.82%, pasi që janë realizuar vetëm 42 nga 388 masat zbatuese të planifikuara”, theksoi Ministrja Hoxha, duke shtuar se vazhdimisht Ministria e Integrimit Evropian ka dërguar letra njoftuese për masat që secili institucion ka obligim në programin e MSA-së, dhe sërish rezultatin e kemi mjaft dobët.

“Komiteti punues ka karakter teknik, pas këtij takimi do të mbledhim sërish Këshillin Ministror ku bashkë me Kryeministrin do të kërkojmë raportime nga Ministrat se ku qëndrojmë me zbatimin e programit”, theksoi Ministrja Hoxha.

Ministrja ftoi anëtarët e Komitetit Punues për Integrime Evropiane që të fokusohen të gjithë në masat për përmirësimin e zbatimit të programit të MSA-së, dhe të arrijmë zotimin prej 60%, edhe pse kanë mbetur vetëm pak muaj deri në fund të vitit.

Ministrja prezantoi edhe ekspertin e GIZ-it, Z. Aleksandar Pejoviq, i cili sjell ekspertizën e tij dhe përvojat e Malit të Zi në proceset e integrimit dhe MSA-së,  duke ftuar të pranishmit të përfitojnë nga përvoja e tij dhe praktikat e mira të vendeve të tjera.

Anëtarët e Komitetit Punues për Integrime Evropiane, referuan rreth angazhimit dhe përqindjes së realizimit të Planit Kombëtar të MSA-së për secilën ministri dhe agjenci të pavarur, duke shprehur sfidat e procesit, por edhe duke u zotuar se përqindja e zbatimit do të arrihet sipas zotimit.

 

 
 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)