26 Nëntor 2020

Ministrja Haradinaj-Stublla udhëton për vizitë zyrtare në Kroaci

Prishtinë, 22 nëntor - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar sot për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë.

Gjatë kësaj vizite, Ministrja Haradinaj-Stublla, do të realizojë takime të nivelit të lartë, në të cilat do të diskutohet për intensifikimin e bashkëpunimit dhe lidhjes së fortë që ekziston ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë.

Takimin e parë zyrtar, bashkë me Zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Kosovës,Besnik Tahiri, shefja e diplomacisë kosovare do ta ketë me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkovic.

Pas këtij takimi, Ministrja Haradinaj-Stublla, do të pritet në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme i Kroacisë, Grlić Radman.

Para nisjes për vizitë zyrtare në Kroaci, ministrja Haradinaj-Stublla, bëri këtë deklaratë:

“Kroacia dhe Kosova ndajnë historinë e hidhur të rrugëtimit për liri dhe pavarësi. Kanë pasur përjetime të njëjta si vende dhe popuj.''

''Edhe sot, përderisa Kosova po përballet me qasje revizioniste të vuajtjeve dhe historisë së saj, ka shumëçka për të mësuar nga Kroacia si vend dhe popull fitimtar ndaj luftës në Ish-Jugosllavi, e tash si shembull i mirë në rajon për integrimin Euro-Atlantik”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 26 Nëntor 2020

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston drejtorin e Departamentit të mjedisit dhe ujërave, Muhamet Malësiu dhe drejtorin e Autoritetit të Rajonit të Pellgjeve Lumore Gani Berisha, nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 12:00)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës Avdullah Hoti dhe Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi marrin pjesë në përurimin e kompletit te veprave të prof. Anton Çettës. (Biblioteka Kombëtare e Kosovës, ora 12:00)

- Komisioni Hetimor Parlamentar mbi procesin e licencimit, operimit, mbikëqyrjes dhe aplikimit për lejet e hidrocentraleve në Republikën e Kosovës interviston Kryetarin i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N204, ora 14:00)