05 Dhjetor 2020

Ministri Veliu mori pjesë në tryezën “Reforma e Administratës Publike”

Prishtinë, 29 tetor - Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z.Agim Veliu, sot mori pjesë në tryezën “Reforma e Administratës Publike”, organizuar nga Grupi për Ballkan, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit. 

Gjithashtu, në këtë takim morën pjesë Kryeministri i Kosovës, z. Avdullah Hoti, Ambasadori i Mbretërisë  së Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grondahl, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së, z.Tomas Szunyog dhe drejtori Ekzekutiv i Grupit për Ballkan, z.Naim Rashiti. 

Në fjalën e tij të rastit ministri Veliu shprehi konsideratën dhe vlerësimin e tij më të lartë për punën, profesionalizmin dhe qasjen korrekte në trajtimin e çështjeve dhe temave që janë cekur në këtë Raport, në veçanti të dalat dhe rekomandimet sa i përket reformave në administratë publike (RAP).

Ai theksoi se aprovimi i pakos ligjore për Reformën e Administratës Publike nga Kuvendi i Republikës së Kosovës shënoi kulmimin e viteve të tëra të përpjekjeve për të krijuar një reformë gjithëpërfshirëse të shërbimit civil dhe të administratës shtetërore.

“Këto ligje krijojnë një sistem krejtësisht të ri të procedurave të rekrutimit dhe avancimit në shërbimin civil, duke i‘u bërë ballë në masë të madhe ndërhyrjeve politike në këtë proces, përmes vendosje së një sistemi të unifikuar për mbi 82-mijë nëpunës që janë të punësuar në sektorin publik, si dhe e rritë llogaridhënien e administratës shtetërore dhe të agjencive të pavarura’, tha ministri Veliu.

Gjithashtu, ministri Veliu bëri të ditur se janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për të vazhduar tutje me hartimin e Ligjit për Pagat dhe me plotësim-ndryshimet e Ligjit për Zyrtarë Publik.

“Përkundër arritjeve që kemi shënuar, akoma mbesin sfida të cilat presin dhe duhet adresuar nga ana jonë. Zbatimi efektiv i pakos ligjore për reformë në administratë publike është prioritet qenësor për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Për këtë dua të falënderoj  në veçanti Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në tërë këtë proces”, tha ministri Veliu.

Ai potencoi se viti 2020, me pandeminë Covid-19, ka dëshmuar rëndësinë e një administrate publike efektive dhe me kapacitete të mjaftueshme dhe të domosdoshme për tu përballur me sfida të pa-parashikuara, prandaj theksoi se do të mbetet i  përkushtuar në arritjen e qëllimeve. 


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 5 Dhjetor 2020

- Let’s Do It do të shënojë Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarëve duke shpallur vullnetarët e vitit 2020. (Zyrat e Let’s Do It, lagjja Pejton, rr. Pashko Vasa, ora 11:00)