13 Korrik 2020

Ministrat e Austrisë, Alexander Schallenberg dhe Karoline Edtstadler vizitojnë Kosovën

Prishtinë, 28 maj - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, së bashku me Ministrin për Integrime Evropiane, Blerim Reka, kanë pritur të enjten në vizitë zyrtare homologët austriakë, Ministrin për Evropë dhe Punë të Jashtme të Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg dhe ministren për Bashkimin Evropian dhe Kushtetutë të Republikës së Austrisë, znj. Karoline Edtstadler.

Kjo ishte vizita e tyre e parë jashtë vendit që nga fillimi i pandemisë, prandaj ministri Konjufca që në fillim i falënderoi përzemërsisht në emrin e tij, të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe njëherësh u shprehu ngushëllimet më të sinqerta për të gjithë ata dhe ato që gjatë kësaj kohe kanë humbur jetën nga COVID-19 në Republikën e Austrisë.

Në takimin bilateral, z.Konjufca theksoi se marrëdhëniet e Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Austrisë janë marrëdhënie të vërteta miqësore, dhe se populli dhe Qeveria e Kosovës e konsiderojnë Republikën e Austrisë një vend mik të vërtetë të Republikës së Kosovës.

Shefi i diplomacisë kosovare u bëri të ditur mysafirëve se ky relacion nuk është i ri, por është tradicional midis dy vendeve. “Prandaj, ne e çmojmë mbështetjen dhe përkrahjen e Republikës së Austrisë që ka ndodhur në çdo moment historik dhe në çdo përpjekje të popullit të Kosovës për liri dhe për pavarësi, duke filluar prej viteve të 90-ta, me kontributin për çlirimin e Kosovës, me bombardimet e NATO-s dhe me praninë e trupave ushtarake austriake në kuadër të KFOR-it për t’i kontribuar stabilitetit dhe sigurisë në Kosovë”.

Ministri Konjufca tha se Austria ka qenë një prej shteteve të para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008 dhe në çdo sfidë që e ka pasur Kosova në rrugën e vet të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar dhe anëtarësimit në Bankën Botërore dhe organizata të tjera ndërkombëtare, ka qenë gjithmonë e mbështetur edhe me votën e shtetit mik austriak.

“Prandaj, realizimi i kësaj vizite të sotme, në niveli kaq të lartë, në kohë pandemie, tregon për rolin e madh dhe interesimin që ka shteti mik austriak, Republika e Austrisë për Kosovën, për zhvillimet në Kosovë dhe për Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Prandaj, neve, populli ynë, do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje konstante që e ka pasur shteti mik austriak, Republika e Austrisë ndaj Republikës së Kosovës”.

Në këtë takim, së bashku me Ministrin për Integrime Evropiane, ministrat Schallenberg dhe Edtstadler u informuan edhe për zhvillimet në Republikën e Kosovës, për zhvillimet në rajon dhe qëndrimin e shtetit të Kosovës, tashmë të mirënjohur dhe të përcaktuar në rrugën evropiane.

“Qeveria e Kosovës është e përcaktuar që t’i kryej reformat e nevojshme duke filluar nga sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe deri te reformimi i administratës publike, të cilat në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian janë kushte kryesore në drejtim të ecjes më të shpejtë të implementimit të Marrëveshjes së MSA-së dhe anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Ky është një drejtim pa dilema i popullit dhe shtetit të Kosovës”, tha Ministri Konjufca, duke u kërkuar ministrave austriakë që Republika e Austrisë, ashtu si gjithmonë, të vazhdojë edhe mbështetjen për sa i përket liberalizimit të vizave për Republikën e Kosovës.

Ministri i Jashtëm shprehu qëndrimin e Republikës së Kosovës dhe të Qeverisë së saj edhe për zhvillimin dhe ndërtimin e marrëdhënieve të mira e fqinjësore me të gjitha vendet në rajon, duke mos përjashtuar këtu as Serbinë, për vazhdimin e dialogut, natyrisht duke shpresuar dhe besuar të arrihet një marrëveshje që ka kuptimin eksplicit të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e saj.

“Me këtë rast theksova se Qeveria jonë është e palëkundur në qëndrimin që çfarëdo zgjidhje që do ta përfshijë marrëveshja me Serbinë, nuk duhet ta prekë shtetësinë e Kosovës, nuk duhet ta sfidojë pavarësinë e saj dhe nuk duhet ta prekë integritetin territorial të Republikës së Kosovës”, tha Ministri Konjufca në konferencën e përbashkët për medie, që u zhvillua pas takimit bilateral dhe nënshkrimit të marrëveshjes nga Ministri Schallenberg me përfaqësuesin e UNDP-së në Prishtinë për të ndihmuar Republikën e Kosovës me 250 mijë euro ndihma për pajisje të nevojshme për të luftuar pandeminë.

Ministrat austriakë me këtë rast theksuan se kjo vizitë nuk ishte rastësore apo vetëm me qëllim të sjelljes së ndihmave në vlerë prej 250 mijë eurove për të luftuar pandeminë, por edhe vizitë politike, për nxitjen e arritjes së një marrëveshje që do të hap dritaren e progresit edhe për Ballkanin Perëndimor, si dhe miqësore, pasi siç theksoi z. Schallenberg, miqësia midis dy vendeve është e vjetër, edhe para pavarësisë, qëkur politikanë e diplomatë austriakë e ndihmonin Kosovës për të arritur në këtë drejtim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 13 Korrik 2020 - Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e hap fushatën e korrje-shirjeve. (Fushata e korrje-shirjeve nis në mes të fshatave, Livoq i Poshtëm dhe Velekincë, ora 10:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Besian Mustafa dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt do të vizitojë kompaninë “SOWI KOSOVA” në Bajgorë të Komunës së Mitrovicës. (Bajgorë - Mitrovicë, ora 11:00)

- Vazhdon seanca plenare e Kuvendit në të cilën do të shqyrtohet Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020. (Salla e Kuvendit, ora 14:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti raporton në Kuvendin e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID-19. (Salla e Kuvendit, ora 16:00)