21 Shtator 2020

Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet i përhershëm e edhe gjatë pandemisë

Prishtinë, 11 gusht - Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani-Sadriu, bashkë me grupin e deputetëve të përbërë nga Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, si dhe Hajrulla Çeku nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, vizituan sot Komunën e Mitrovicës së Jugut, në kuadër të turit të ‘Vizitave të Gjelbra’.

Pas vizitës në Komunën e Obiliqit, kjo është vizita e dytë në terren e cila ka për qëllim që përmes diskutimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, të kuptohen nga afër dhe në mënyrë përmbajtësore sfidat mjedisore e rrjedhimisht edhe ato shëndetësore me të cilat ballafaqohen qytetarët në komunat e Kosovës.

Vizita filloi me takimin e përfaqësuesve të Kuvendit me Kryetarin e Komunës, z. Agim Bahtiri, gjatë të cilit takim u diskutua për projektet e realizuara në fushën e mbrojtjes së mjedisit, por edhe për sfidat e lindura gjatë pandemisë, si dhe masat e reja të ndërmarra për adresimin e situatës me pandemi.

Në takimin e mbajtur me qytetarët, i cili, për shkak të rrethanave me pandeminë, është kufizuar në një numër të reduktuar të qytetarëve, ishin prezentë përfaqësues të grupeve rinore, organizatave që merren me çështje të mjedisit, si dhe përfaqësues të diasporës.

Me këtë rast, Kryetarja Osmani theksoi që: “Mjedisi nuk duhet të jetë prioritet vetëm në ditë dhe në javë të caktuara. Mbrojtja e mjedisit duhet të jetë prioritet i përditshëm i të gjithëve, qoftë i politikanëve apo qoftë i qytetarëve. Në Kosovë numri i qytetarëve që vdesin për shkak të mjedisit të ndotur, në veçanti nga ajri i ndotur, është vërtet i madh. Duhet të kuptojmë përfundimisht që shëndeti ynë është ngushtë i lidhur me shëndetin e mjedisit që na rrethon, andaj, nëse nuk sigurohemi të mbrojmë të parën atëherë rrezikojmë edhe të dytën. Një dëshmi aktuale e kësaj është edhe pandemia me të cilën po ballafaqohemi e që ka konfirmuar lidhjen e ngushtë që ka njeriu me natyrën”.

Nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj dhe Haxhi Avdyli theksuan se përveç angazhimit të institucioneve, është e nevojshme të mobilizohen edhe të rinjtë të cilët me kontributin e tyre shkencor mund të ndihmojnë që politikat mjedisore si dhe ato shëndetësore, të jenë të bazuara në statistika dhe evidencë të mjaftueshme nga terreni.

Në këtë drejtim, Hajrulla Çeku nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, theksoi se qytetarët kanë rol tejet të madh në atë se si do të zhvillohen politikat mjedisore në vend, duke qenë vigjilentë ndaj veprimeve të politikbërësve dhe duke kërkuar llogaridhënie nga ta për angazhimin apo mos angazhimin e tyre në këtë drejtim.

Në takim, qytetarët u njoftuan edhe për inicimin e formimit të një komisioni hetimor për menaxhimin e lumenjve dhe kryesisht për ndërtimin e hidrocentraleve, të cilat po e dëmtojnë në mënyrë serioze mjedisin në pjesë të ndryshme të Kosovës.

Takimi u mirëprit nga qytetarët e Komunës së Mitrovicës së Jugut, të cilët folën për shqetësimet e tyre në lidhje me mjedisin në atë komunë si dhe propozuan nisma të ndryshme që do të duhet të mbështeteshin edhe nga Kuvendi.

Në mes tjerash u trajtua me vëmendje të veçantë çështja e ndotjes industriale dhe mostrajtimi i duhur i mbeturinave industriale, që drejtpërdrejtë po afekton shëndetin e qytetarëve, e sidomos të pakicave në hapësira të caktuara të Komunës së Mitrovicës së Jugut.

Ndërsa, qytetarët shfrytëzuan rastin që të flasin edhe për nevojën për gjelbërim të hapësirave, promovim të riciklimit dhe luftimin e përdorimit të qeseve të plastikës, por edhe nevojën për bashkëpunim më të thellë në mes të nivelit lokal dhe qendror, për adresim të përbashkët dhe më adekuat të sfidave mjedisore.

Pas takimit me qytetarët, përfaqësuesit e Kuvendit vizituan edhe Fafos-in, për të diskutuar mbi sfidat e lindura nga mostrajtimi i duhur i mbeturinave industriale.

‘Vizitat e gjelbra’ do të vazhdojnë edhe në komuna të tjera të Kosovës në muajt në vijim.​

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 21 Shtator 2020 - Mbahet mbledhja e Qeverisë së Republikë së Kosovës. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 8:30)

- Fillon Shkolla Verore e BE-së në të cilën do të shtjellohet temat për zhvillimin ekonomik, qëndrueshmërinë mjedisore dhe shfaqjen e pandemisë globale. (Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ora 9:00)

- Mbahet mbledhja e komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në të cilën do të votohet raporti i panelit përzgjedhës për shqyrtimin e aplikacioneve, intervistim dhe listën e ngushtë të kandidatëve për Avokat të Popullit. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N302, ora 10:00)

- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla takohet me Ambasadorin japonez, Mizutani Akira. (Kabineti i ministres Haradinaj Stublla, ora 10:00 - pa prezencen e mediave)

- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, pret në takim delegacionin e Qeverisë së SHBA-ve, të udhëhequr nga Kryeshefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA Adam Boehler, të cilit do t’i bashkohet edhe i dërguari special i SHBA-së për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, përfaqësues të USAID, Kryetarin e Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë të qeverisë nga Departamentet e Energjisë dhe Tregtisë në SHBA. (Ndërtesa e Qeverisë, ora 10:00)
 
- Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori japonez, Mizutani Akira, nënshkruajnë marrëveshjen për donacionin e radhës të Japonisë për Kosovën. (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ora 10:30)

-  Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë shqyrton listen e dëshmitarëve, përzgjedh ekspertët e jashtëm si dhe publikon adresën për dorëzimin e dëshmive nga qytetarët. (Ndërtesa e Kuvendit, salla N10, ora 11:00)

- Kryeministri Avdullah Hoti merr pjesë në përurimin e shtatores së Heroit Ahmet Krasniqi, si dhe në inaugurimin e sheshit, i cili do të mbajë emrin e tij. (Sheshi “Ahmet Krasniqi” në Vushtrri, ora 11:00)  

- Mbahet ceremonia e dorëzimit të pajisjeve mjekësore për Sallën e Operacionit dhe Sallën e Lindjes për gratë e infektuara me COVID-19, pajisje këto të financuara nga partneri jonë Raiffeisen Bank në Kosovë dhe AMC. (QKUK, ora 11:00)

- Kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi, do të takohet me U.D i Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji Arsim Janova, ku do të  nënshkruajnë një Marrëveshje Mirëkuptimi dhe Bashkëpunimi mes dy institucioneve, pas nënshkrimit të marrëveshjes do të ketë konferencë për medie. (Ish-objekti i Bankës së Lubjanës, kati i IV, ora 11:15)

- Seanca plenare e Kuvendit, e ndërprerë të premten do të vazhdojë sot. (Ndërtesa e Kuvendit, ora 13:00)