19 Prill 2024

Maldive dhe Kosova së shpejti me marrëdhënie diplomatike

Prishtinë, 19 mај - Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka mbajtur sot në Forumin Islamik Ekonomik Botëror një fjalim, si dhe është takuar me liderë të ndryshëm të vendeve që po marrin pjesë në këtë forum. Përvec bisedave të shumta që ka pasur me përfaqësuesit e vendeve pjesëmarrëse, Presidenti Sejdiu ka pasur një takim të përzemërt me Presidentit e Maldiveve, Mohamed Nasheed, të cilin e ka falënderuar për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga ky vend.

Po ashtu, Presidenti Sejdiu i ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë homologut Nasheed për angazhimin e tij personal për njohjen e Kosovës nga sa më shumë vende të botës.

“Populli dhe institucionet e Republikës së Kosovës e vlerësojnë lart gjithë përkushtimin Tuaj për afirmimin dhe njohjen e vendit tonë në botë”, tha Presidenti Sejdiu, duke shfaqur po kështu gatishmërinë e Kosovës për thellimin e bashkëpunimit në mes të dyja vendeve.

Në këtë takim, të dy presidentët u pajtuan se është shumë e nevojshme që Republika e Maldiveve dhe Republika e Kosovës t’i avancojnë edhe më shumë raportet e ndërsjella. Ata pohuan gjithashtu se tashmë është koha që të vihen edhe marrëdhëniet diplomatike, me qëllim që bashkëpunimi dhe miqësia në mes dy vendeve të intensifikohen edhe më tej.

Ndërsa, Presidenti i Maldiveve, Mohamed Nasheed e siguroi Presidentin Sejdiu se do të vazhdojë të angazhohet për njohjen e Kosovës, sidomos nga vendet e Konferencës Islamike dhe nga vendet e tjera me të cilat Maldivet kanë raporte më të ngushta.

“Ne jemi krenarë që ndër vendet e para të botës islamike e kemi njohur Republikën e pavarur të Kosovës, por ju siguroj që nuk do të ndalemi me kaq, por do të punojmë edhe më shumë, në mënyrë që Kosova të ketë njohje të reja, të forcohet dhe të përparojë në të gjitha fushat”, tha Presidenti Mohamed Nasheed.
 
Në fund të këtij takimi miqësor dhe shumë përmbajtësor, të dy presidentët i bënë ftesa të ndërsjella njëri-tjetrit për vizita në vendet respektive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)