08 Maj 2024

LVV dhe LDK avancojnë bisedimet por akoma pa marrëveshje

Prishtinë, 2 dhjetor - Takimi ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka përfunduar pa marrëveshje.

Edhe pse te dy partitë politike që po negociojnë rreth formimit të Qeverisë së ardhshme të Kosovës patën paralajmëruar marrëveshjen e koalicionit, pas takimit ndërmjet Kurtit e Mustafës, të dy thanë se u nevojitet edhe pak kohë që t’i harmonizojnë disa çështje për të cilat nuk janë marrë vesh.

Përkundër negociatave afër dy orësh me një pauzë të shkurtër, dy liderët nuk arritën të nënshkruajnë marrëveshjen ashtu siç është deklaruar, pasi aty u shpërfaqën dallime të tjera në të cilat nuk pati pajtueshmëri. Dy krerët e partive thanë se ka avancime në diskutime, por marrëveshje ende jo.

Lideri i VV-së, Albin Kurti u shpreh se negociatat do të vazhdojnë, pasi ende ka dallime në disa çështje, por nuk i tregoi se cilat janë ato.

"Nuk jemi marrë vesh, mirëpo avancim në diskutimet që i kemi bërë ka. Atëherë kur do ta kemi marrëveshjen e plotë mund ta shpalosim atë gjerë e gjatë. Këtu përfundon takimi i sotëm e unë jam në kontakt të drejtpërdrejt me kryetarin e LDK-së që ta përcaktojmë takimin e radhës", tha Kurti.

Ndërkaq, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa theksoi nevojën që ende të punohet të përafrimin e marrëveshjes, pasi janë disa çështje të cilat ende nuk kanë përafrim.

“Patëm një bisedë mjaft përmbajtjesore sepse pa biseda të tilla është e vështirë të arrihet një bashkëpunim i ardhshëm i qëndrueshme katërvjeçar. Ne kemi pajtueshmëri sa i përket programit qeverisës dhe çështjet që janë harmonizuar deri tani ndërmjet grupeve tona punuese”.

“Kemi edhe çështje të tjera që sot i kemi biseduar me zotin Kurti për të cilat do të punojmë që të arrijmë një përafrim ose qëndrime të përbashkëta të cilat pastaj mund t'i ndihmojnë bërjes së koalicionit. Sot nuk ka marrëveshje për koalicione ka marrëveshje që të vazhdomë punën", tha Mustafa.

Pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit nga KQZ-ja, partia fituese Lëvizja Vetëvendosje ka intensifikuar takimet me partinë e dytë, LDK-në për të formuar qeverinë e ardhshme. Derisa nuk u bë e ditur se kur do të jetë takimi i radhës, por u tha se për këtë do të njoftohen mediat.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)